Këto që do t’ju them tani,  jam i sigurt që i dini përmendësh, por po jua përsëris për t’ju kujtuar, jo vetëm juve por të gjithë shqiptarëve, se sa shumë erë të keqe vjen qeverisja juaj, se sa i paaftë është Kryeministri juaj, sa i kompleksuar dhe i pasigurtë është ai në detyrën që ka marrë përsipër dhe se sa të pamundur e keni ju, për të bërë punë të mira e të dobishme për këtë vend.

Gjatë  takimeve të mija në Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, jam takuar  me shumë qytetarë me dhe pa bindje partiake, të cilët janë shprehur shumë të pakënaqur ndaj politikave të Edi Ramës.  Kam takuar gjithashtu dhe shumë të majtë që ndanin të njëjtat pakënaqësi.

Pyeta një plak vlonjat, të majtë për hir të së vërtetës, pasi më shprehu pakënaqësitë e tij e pyeta,  si mendonte,  kush ka për ta marë në qafë qeverisjen e Edi Ramës?

Në fakt prisja një përgjigje tip batute, ashtu siç dinë të përgjigjen vlonjatët, por mora një përgjigje tejet prozaike, tejet të thatë, por krejtësisht të vërtetë: paaftësia, mu përgjigj plaku, duke mos dashur të komunikojë më gjatë me një të djathtë.

E dini që në fakt që ne të djathtët, duke ditur lidhjet e Edi Ramës me krimin, duke ditur ndoshta më mirë se qytatarët e thjeshtë, aferat korruptive të tij dhe ministrave të tij, si dhe shumë e shumë zullume të tjera, kemi harruar thelbin e qenies së tij: pikërisht paaftësinë e tij.

Paaftësinë për të krijuar një ekip të vërtetë qeveritar, paaftësinë për të qeverisur.

Në këtë kontekst, dua të falenderoj kolegët tanë të majtë që nuk harrojnë ndonjëherë të na e kujtojnë paaftësinë e tij, jo vetëm neve por të gjithë shqiptarëve.

Dëgjojini kto fjali:

–          disa ministra po vjedhin popullin.

–          ka fakte që edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve dhe familjarët e saj janë kthyer në sekserë për përfitime personale.

–          Pas një viti e gjysëm qeverisje situata nuk është e mirë.

–          Eshtë koha për ndryshime në qeveri dhe administratë.

Këto fjali nuk janë të thëna nga Arben Ristani apo ndonjë demokrat tjetër nga ne këtu. Këtë e thotë një kolelgu ynë i majtë, deputeti Tom Doshi, që duke qarë në fakt hallin e të vetëve, qan indirekt dhe hallin e gjithë Shqipërisë.

Nuk besoj se është ulur papunësia. Nuk besoj se të varfrit sot paguajnë më pak taksa, përkundrazi janë të varfrit ata që po kontribuojnë më shumë duke marë në kthim më pak në formë shpenzimesh publike. Kemi marrë shumë borxhe për shkak të panikut, amatorizmit dhe mungesës së parashikimit. Sot ka më shumë shqiptarë që duan të ikin nga Shqipëria, etj etj.

Këto fjali përsëri nuk janë të thëna nga Arben Ristani, as nga ndonjë prej kolegëve të mi opozitar,  por nga deputeti Ben Blushi.

Vazhdoj të citoj:

Është një qeveri që nuk di të shpjegoj vetveten. Në perceptimin e njerëzve ka mbetur…drita, drita, drita… burg, burg, burg.

Këto që dëgjuat tani, që kanë dhe një pjesë dashamirësie brenda, nuk i thot Arben Ristani, po një ish kryeminsitër socialsit si Pandeli Majko.

Nuk po kaloj tek ato gjëra që bisedojmë me kolegët tanë të majtë, pasi nuk duan të vuajnë persekutimin direkt të Kryeministrit të tyre, ashtu siç mund ta vuajnë këta deputetë të cilët kanë guxuar që tja vënë në dukje Kryeministrit, publikisht, paaftësinë e tij për të qeverisur.

Po i them këto, për të qenë i sinqertë, jo se, thënë troç, më ha meraku për të majtën, por për t’i thënë shqiptarëve që kryeministri Rama dhe ato aftësi prej bojaxhiu që ka, nuk mund t’i fusë dot në punë.

Pse?!

Sepse të gjitha energjitë dhe të gjithë mekanzimat e pushtetit do ti harxhojë për të mikluar deputetet e tij që kanë kurajon dhe pergjegjësinë për të thënë të vërtetën.

Por ka edhe më keq se paaftësia.

Psikologu Robert Hare, kur flet për karakteristikat e një lloj tipi njerëzor thotë se ky tip karakterizohet nga egzibicionizmi dhe elementët butaforikë të shfaqjes. Tipi i kushton një rëndësi mjaft të madhe performancës së jashtme,   Për ta ka rëndësi se çfarë mendojnë njerëzit rreth tyre dhe kujdesen posaçërisht për këtë fakt. Kjo i bën të rafinuar dhe arrivistë në qëllimet e tyre.

Tipi ka vetëvlerësim te tepruar. Është i  shkëputur nga realiteti. Kjo i bën ata arrogantë dhe mendjemëdhenj. Këta njerëz nuk arrijnë të bëjnë vlerësimet e duhura për veten dhe realitetin, duke ngritur shumë lart një anë të balancës dhe ulur shumë poshtë anën tjetër.

Tipi ka dëshira te pangopura për Sfida. Ka një uri patologjike për sfida gjithmonë e më të mëdha. Ata janë vazhdimisht në kërkim dhe nuk ndalen dhe asnjëherë nuk llogarisin pasojat

Tipi karakterizohet nga përdorimi i gënjeshtrës. Tipi eshte gënjeshtar patologjik. Ai mund të gënjeje fare pa shkak dhe ndërtojnë marrëdhëniet përmes saj.

Tipi eshte manipulator dhe shfrytëzues i madh. Ata i shohin njerëzit vetëm si sende apo objekte që mund t’u vesh këmbën për t’u ngjitur gjithmonë e më lart. Asnjëherë nuk arrijnë të kenë empati dhe të bashkëndjejnë me të tjerët.

Mungesa e Pendesës dhe e Turpit. Pendesa dhe turpi janë diçka të huaja për ta, Keta lloj tipash nuk arrijnë dot të ndiejnë. Kjo i bën ata të verbër ndaj interesave të të tjerëve, të ashpër dhe të dhunshëm.

Mungesa e Dashurisë. Keta lloj tipash nuk zotërojnë ndjenjën e dashurisë. Kjo i bën ata të huaj dhe jashtëzakonisht të rrezikshëm në shoqëri. Karakterizohen nga një qëndrim i ftohtë dhe cinik ndaj saj.

Mungesa e Vetëkontrollit. Keta lloj tipash nuk arrijne të kontrollojnë dot veten në zemërim e sipër. Kjo i bën ata shumë agresivë dhe të rrezikshëm për familjen dhe shoqërinë.

Mungesa e Objektivave dhe e Planifikimit. Keta tipa nuk kanë objektiva dhe nuk arrijnë të planifikojnë. Ata jetojnë nëpërmjet rastësisë dhe reagojnë vetëm pasi kanë ndodhur ngjarjet.

Impulsiviteti. Ata nuk shquhen për qetësi dhe maturi. Impulsiviteti është mjeti i vetëm i tyre për zgjidhjen e problemeve. Kjo ndodh sepse ata nuk arrijnë të ndjejnë frikën për pasojat.

Mungesa e Marrëveshjeve. Keta tipa nuk ndërtojnë dot marrëdhënie dhe si pasojë nuk kanë marrëveshje. Edhe nëse ndërtojnë
një marrëveshje, ata nuk i përmbahen asaj. Nuk negocojnë dhe refuzojnë t’u nënshtrohen rregullave të shoqërisë.

Mungesa e Përgjegjshmërisë. Ata nuk marrin përgjegjësi dhe problemet i shohin gjithmonë tek të tjerët. Ata gjithmonë fajësojnë dhe kjo i gjen ata përherë në luftë dhe konflikte të hapura.

Mungesa e Besueshmërisë. Ata janë persona që nuk zotërojnë besueshmëri.

Këto karakteristika, të rënditura nga psikologu i famshëm, duket se pershkruajnë tiparet e kryerilindasit tonë.

Shikoni se çpo i bën kryerilindasi shqiptarëve,  shtyrja drejt vetëvrasjes, burgu dhe eksodi është oferta më e mirë sot e kësaj qeverie për shqiptarët.

Kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk ka bërë dhe nuk do bëjë asnjë punë të mirë për këtë vend.

Do shihni shumë shpejt qe nuk do lyejë më asnjë godinë, nuk do mbjellë më pemë sepse do jetë duke qarë me lot te këmbët e Tomës duke u lutur që mos ta ngacmojë edhe ca kohe ose do jetë te shpia e Pezes duke kënduar kengë partizane për t’i dhënë vetes gajret sepse revolta popullore po vjen.


Fjala në Kuvendit e deputetit të PD, Arben Ristani, 26 shkurt 2015