Të nderuar kolegë dhe qytetarë që na ndiqni. Shqetësimi publik në lidhje me gjendjen e sigurisë dhe rendit apo  kthimin e Shqipërisë në listën e zezë të trafikun e drogës, duhet të alarmojnë çdo qeveri të përgjegjshme e cila duhet të marrë masat e nevojshme për përmirësimin e menjëhershëm të situatës. Deri më sot me keqardhje vëmë re se përveç propagandës boshe dhe mungese totale përgjegjshmërie dhe profesionalizmi, strukturat shtetërore përgjegjëse me një lëshim skandaloz të punës dhe neglizhencë fatale, tregojnë paaftësi për t’iu përgjigjur me seriozitetin e duhur këtij shqetësimi legjitim publik. Madje, përfshirja e zyrtarëve publik në veprimatri të tilla kriminale duhet të ketë bekimin e qeverisë përderisa sot numërohen me qindra zyrtarë të lartë publikë të emëruar dhe promovuar nga kjo qeveri, edhe pse në të shkuarën kanë qënë të përfshirë në veprimtari kriminale dhe trafikim lëndësh narkotike. Ditët e fundit, opinioni publik është njohur me përfshirje e një oficeri të lartë të FA-së në një organizatë ndërkombëtare të trafikimit ajror të lëndëve narkotike. Edhe në këtë rast, qeveria dhe ministria e Mbrotjes zgjodhi rrugën e propagandës duke shmangur përgjegjësinë e vet. Në këtë pike, vlen të theksohet se një fakt i tillë duhet të shqetësojë kuvendin jo vetëm për faktin se një efektiv i FA-ve është i përfshirë në veprimtari të rrezikshme kriminale, por edhe për faktin se rrezikon kredibilitetin e ushtrisë shqiptare si anëtare e denjë e NATO-s dhe mundësinë që duhet të kenë Forcat e Armatosura për të verifikuar dhe zbuluar raste të tilla të rënda. Deputetët e opozitës janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe dëmtimin që i bëhet vendit në sytë e aleatëve euroatlantikë. Në vlerësimin tonë, është detyra e Ministrit të Mbrojtjes së një vendi anëtar të NATO-s që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse dhe të mbajë qëndrim publik mbi punën e bërë nga strukturat e saj të varësisë për zbulimin dhe parandalimin e rasteve të tilla. Në këto kushte, në përputhje me nenin 97 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë ku parashikohet se një Kryetar i një Grupi Parlamentar ose 7 deputetë mund të kërkojnë zhvillimin e një interprelance për çështje urgjente me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi këtë ngjarje të rëndë të përfshrjes së një efektivi të FA-ve në një organizatë kriminale të transportimit ajror të lëndëve narkotike si dhe qendrimeve apo veprimeve që ka ndërmarrë Ministria e Mbrojtjes, për këtë çështje, ne 7 deputetët kërkues, kërkojmë: zhvillimin e një interprelance urgjente me Ministren e Mbrojtjes për të raportuar për përfshirjen e një efektivi të FA-ve në një organizatë kriminale si dhe veprimtarinë e realizuar nga strukturat tona për të verifikuar, parandaluar dhe zbuluar raste të tilla. Kjo kërkesë bazohet në nenin nr.7 të Kushtetutës ku sanskionohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe nenet përkatëse të rregullores.

Gent Strazimiri, ndërhyrja e dytë: Faleminderit z.Kryetar. Nuk është se u habita shumë nga performance e ministers këtu. Nuk po i bëj komplimente atij që ia ka shkruar sepse çështja është shumë sensitive dhe jemi seriozisht shumë të shqetësuar për këtë punë. Ministrja nuk dha përgjigje por shtroi pyetje. Shprehu edhe gadishmërinë për të ardhur këtu një herë tjetër për orë të tëra, ndërkohë që sot është thirrur për këtë punë. Bie dakord me ministren që është çështje modelesh dhe asgjë tjetër. Eshtë modeli që ende sot nuk ke kurajon të japësh informacion për ngjarjen apo për hetimin, sigurisht pa hyrë në detaje. Por këtu e dhe një informacion pa dashje duke dashur të përbaltësh paraardhësit.

The që dokumentacioni tregon që sistemi nuk ka funksionuar për shkak se ti i ke dhënë besimin një oficeri me të gjitha ato të dhëna që i the këtu. U përpoqe t’ia lesh ministrit të PD-së, dhe në rastin konkret, është z.Gazmend Oketa të cilit sot nuk i përmendet emri për shkak se është aleat i kësaj qeverie në politikë, por që me ndershmërinë më të madhe, do të thoja që mua me rezulton të ketë qënë një ministër i mirë. Të paktën nga sa kam marrë vlerësim me njerëz që kanë punuar për të. Jam i detyruar në këto kushte të bëj një retrospektivë të ngjarjes. Reagimi i parë i menjëhershëm me breshëri ishte që nga kryeministri, ministri i Mbrojtjes, shefi i Shtabit madje dhe ministri i Jashtëm i përfshirë në këtë histori, sepse kryeministri e citoi si burim. U tha që u rrëzua një helikopter me pilot shqiptar nga Guarda Civil çka nuk ishte e vërtetë. U tha se piloti ishte me leje të zakonshme, se kjo ishte një ngjarje e pakëndshme, një gabim i kryer nga një prej pilotëve më të besuar të FA-së, dhe që ishte një rast i veçuar. Eshtë pasaktësi në fshehje apo bashkëpunim, unë nuk e di, por nga fjala e parë deri tek e fundit janë gënjeshtra. Ndjesë, fakti që ishte njeri i besuar nuk ishte gënjeshtër dhe është e vetmja e vërtetë aksidentale që u tha këtu. Që majori i ndjerë Fekaj ishte njeri i besuar. Kjo po. Certifikimi i tij nga kjo ministre dëshmon më së miri preferencën që kishte për këtë pilot. Ishte e vërtetë që ishte klasifikuar në 12 më të aftët e regjimentit, nga trajnuesi anglez në një kohë kur duheshin vetëm katër veta në këtë mision specializimi në të cilin shkoi me helikopterët Kugar. Nga përzgjedhja, ky nuk ishte ndër ata 4. Ministra ka miratuar fillimisht katërshen dhe janë bërë të gjithë procedurat, por në fund, kapiteni që duhet të shkonte nuk u lejua. Ministra shfuqizoi urdhërin dhe kapiteni u zëvëndësua nga i ndjeri Fekaj me të gjithë kurrikulumin që na e lexoi këtu ministrja. Si i besur i kësaj ministre, u tha se kjo ministre që ka bërë në minutën e fundit zvëndësimin e dinte që ky ishte dënuar dy herë, pastaj edhe 4 herë të tjera dhe se sistemi nuk kishte funksionuar në atë kohë. Në këtë kohë sistemi funskionoi. Në fakt të gjitha indisiplinimet e tij, fakti që të gjitha problemet apo meritat që kishte nëpërmjet dekorimit, sot i kemi me letra, do të thotë që sistemi ka funskionuar.

Këtë radhe sitemi nuk funksionoi dhe prroçka u bë shumë e madhe. Arsyet e kundër-urdhërit të fundit i di vetë ministrja dhe unë mund të marr me mend që ajo nuk e ka kompetencën teknike për të vlerësuar se cili është piloti më i aftë. Atë e ka përcaktuar trajnuesi anglez në listën që ka paraqitur. Por besimin jo aeronautic, por institucional, ministrja e krijon nëpërmjet një makinerie të tërë që është në funksion vetëm të sajin, me instrumenta të inteligjencës dhe veprimet operacionale që mbërrijnë deri në kompetenca policore. Çështja është se sa ka funksionuar sistemi i kontrollit dhe besueshmërisë në këtë rast ose më saktë pse nuk ka funksionuar. A ishte ky një rast i veçuar. Sigurisht që jo.

Pezullimet dhe arrestimet për shkak të presionit të opozitës dhe opinionit publik dëshmojnë se jo. Deri tani, me gjithë mungesën totale të transparencës, në hetim rezultojnë vetëm dy oficerë të arrestuar si bashkëpunëtorë. A është rasti i parë që termat drogë, trafik ndërkombëtar, faciliteti i ushtrisë, aeroport, radar përmenden së bashku në një logjikë që i lidh në mënyrë objektive dhe subjektive. Jo të nderuar kolegë, jo të nderuar qytetarë. Minstrja e mbrotjes ndërsa i garantonte publikut nga
kjo sallë se kishte zero fakte për përfshirje të faciliteteve të ministrisë që drejton në aktivitete të paligjshme, njëkohësisht jepte urdhër të betonoheshin aerodromet. Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit në atë moment na dhuruan humor me avionë që spërkasnin mushkonjat. Po për çudi, kërkuan të ngrejnë një komision hetimor për të hetuar nga maxhoranca nën drejtimin e Ermonelës, megjithëse nuk kishte ndodhur asgjë dhe kishte zero fakte. Pra zero shqetësim.

Dhe kështu u bë, komisioni i solli qeverisë zero fakte megjithëse avioni i riformatos ra mu në kokë të komisionit në Divjakë, i pa interceptuar nga asnjë radar në një vend anëtar të NATO-s. pastaj me radhë erdhën ngjarjet. Fillimit 89 kg drogë në Ekuador me destinacon Shqipërinë, pastaj 250 kg kokainë në Mal të Zi, laboratori i kokanës i Laçit, pastaj laboratori i kokainës në Xibrakë. Bravo ju qoftë. E keni kolumbizuar Shqipërinë në vetëm 300 ditë me ritme të jashtëzakonshme. Në këtë kolumbizim të atdheut Mimi ka pasur një rol parësor. Eshtë sigurisht çështje modelesh. Unë këtë e rikonfirmoj dhe jam shumë dakord. 3 ishin premtimet. Reforma e kuadrit siç e thoni për hatër të së shkuarës tuaj ose resurset e aseteve njerëzore siç e tha sot ministrja, pronat dhe tenderat çfarë kishte “vjedhur” Arben Imami, si dhe reforma ligjore dhe strukturore ishin prioritete të kësaj ministre ditën që hyri në zyrë.

Po e filloj me të parin, kuadrin. Sigurisht është çështje e dinjtetit të ushtarakut por këtu bëhet fjalë për preference, për të besuarit dhe të pabesuarve apo të pabesueshmëve të ministres. Ditën që hyri në ministri ka pasur në xhep listën e armiqve që duheshin shkatërruar. Në krah kishte Arjan Zaimin, një ish gjeneral, partizani Meke që quhej zakonisht, një njeri që është në pension dhe vesh atë uniformë të ushtrisë që i ndodhet në dollap pavarësisht se smund ta veshë dhe megjithëse ushtria ka ndryshuar uniformat. Shkon në zyrë të ministrisë, është këshilltari i ministres me gradën general-major në pension dhe shkon me uniformë. Ja tek e keni këtu në aktivitet publik (tregon foto). Ja tek fotoja tjetër me uniformën e re mbas kryeministrit. Ky zotëri sot është i liruar dhe në pension. Vesh uniformën siç ka qef. Me këtë shikon se kush janë të besueshmit dhe kush janë të pabesueshmit, me këtë zgjedh modelin e ushtarakut dhe dinjtetit të ushtarakut dhe uniformës së ushtarakut.

Se në fund të fundit ushtaraku, në çdo shtet, ai që vendos të shkojë dhe të merret me këtë punë që fëmijë, atë kapele ka në kokë, atë uniformë dhe ato grada. Nëqoftëse edhe këto ja përdhos ministrja e vet, atëherë çfarë i ngelet një ushtaraku? I dyti është gjeneral major, a gjeneral brigade, a general komisar i them unë, Osman Gazepi ose Jeronim Bazo. Edhe ai çohet në mengjes me humor ke ajo uniforma që është aq e shenjtë, merr dhe heq dekoratat siç ka qejf jo siç ia kanë dhënë. Ja ku e ke këtu, në aktivitet publik hiq një rresht dekoratash vër një rresht dekoratash, nga ato që Dritan Demiri dhe ata Kolonel që ti i ke nxjerrë në lirim dhe që sot tenton ti përbaltësh i kanë marrë me gjak në luftë në Kombat Mission. Këta dy zotërinj, shikojnë figurën e ushtarakut dhe e nisin, me kë? Lista. Admiral Gerveni na paskish pasur gjithashtu ai një pasaktësi në një uniformë, skandal sigurisht, siç e shpjegova, nuk kam arsye, por që nga Brukseli dhe kjo është rrethanë shumë interesante, në Bruksel ku ishte, ia kanë sjellë nga Tirana, ja kanë sjellë in-ekstremis pak minuta para se të hynte në këtë ceremoni ku duhej detyrimisht ta kishte, uniformën e re. Interesant është fakti, se e dini kush ia ka nisur? Ia ka nisur Gjenerali Jeronim Bazo i cili bujarisht, me sa duket, siç vë dekoratat në gjoksin e vet vë edhe shiritat në uniformat e shokëve. Sot, Gjeneral Gerveni, është i liruar dhe sigurisht nën këtë skandal të uniformës. Gjeneral Bazo shkon lartë e më lartë. Eshtë sigurisht çështje modeli, e përmend edhe Gjeneral Syrja Gjokën, absolutisht një nga burrat më me integritet, një nga burrat më të ndershëm dhe më energjik që ka shkelur në shkallët e Ministrisë së Mbrojtjes. Ta ka treguar që në takimin e parë kur ke shkuar atje me këto dy palaçot.

Agjensia e Inteligjencës së Mbrojtjes, e para që duhej të shkrihej, dhe me premtimin e vet Ministres, do të merrnin vesh të pabërat që kanë bërë duke përgjuar opozitën, madje edhe ambasadorët. Nuk e di a ka marrë vesh ndonjëri deri më sot ndonjë gjë të kësaj natyre se s’kanë lënë gjë pa bërë në Prokurori. U shkarkuan që të gjithë, po me kë u zëvendësuan? Modeli i ri, është sigurisht çështje modeli. Drejtor vunë pa pikën e lidhjes me zanatin, personin që shërbeu në fabrikimin e dosjeve të ashtuquajtura të Korrupsionit të Arben Imamit. Që më gjithë presionin që pati, nga Media dhe nga Qeveria, Prokuroria ia përplasi në fytyrë dhe ia kthehu mbrapsht.

Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm – Operativ, ish-Operativ sigurimi në Kërrabë.

Drejtor i kundërzbulimi – Operator sigurimi në Shkodër

Drejtor i Analizës- Operator i Përgjimeve në Sigurimin e Shtetit.

Zv.drejtori i kundërzbulimit – operativ sigurimi në Shëngjergj.

Zv.drejtor i zbulimit të Jashtem – Operativ sigurimi në aviacion,

Shefi kunderzbulimit – Operativ sigurimi në Ersekë

Shef i sekretarisë sekrete me Naton – Operativ sigurimi në metalurgjik Elbasan

Shef i sektorit të zbulimiit – Operativ sigurimi në Korçë

Drejtori i trajnimeve – Operativ sigurimit në Shkodër

Lista është aq e gjatë sa që nuk dua t’ia marr minutat vetes, po këta janë të gjithë shokë klase. Të gjithë të përgatitur për sigurimin e shtetit, me shkollën e Kadri Azbiut, në shërbim të Traktatit të Varshavës. Të gjithë, nga i pari tek i fundit, do ta thoni meqë është moda sot, ish punonjës të shtëpisë me gjethe. Po harxhojmë1 milion dollarë që shtëpinë me gjethe ta bëjmë Muze që të edukojmë brezine ri. Ata që kanë punuar Brenda, i kemi çuar nëpër institucione që çdo institucion ta bëjnë shtëpi me gjethe.

Kjo armatë spiunësh që përmenda, dhe militantësh, kishte për detyrë të ruante dhe çertifikonte besueshmërinë e të ndjerit Major Sokol Feka. Mirëpo ishin të zënë duke fabrikuar intriga kundër gjeneral Syrja Gjokës, kundër Kolonel Dritan Demirit, kundër të gjithë Komandantëve Operacional që ti sot i ke hedhur o cepave të Ministrive, o i ke nxjerrë në lirim pa pyetur për ligjin.

Kjo armatë spiunësh duhet të ruante nderin dhe integritetin e uniformës ushtarake të Republikës, të parandalonte kthimin e facaliteteve të ushtrisë në çerdhe trafikantësh dhe jo të lëshohet tani për të gjetur koka turku në strukturat S1 dhe S2, G1 e G2 që kanë për mision ruajtjen e integritetit të repartit dhe paprekshmërinë fizike të ushtarakve, jo shërbimin e inteligjencës. Kjo armatë spiunësh paguhet me paratë e taksapaguesve që të njoftonte që Major Sokol Feka, nga data 21 dhjetor deri më datën 30 dhjetor të vitit 2013, ka qenë në Spanjë, kur grupi në të cilin bënte pjesë si specializanti më i besuar i Ministres, është kthyer që në datën 21 dhejtor. Pra sistemin nuk e paskësh mashtruar sot për herë të parë, e paskësh mashtruar të paktën edhe njëherë tjetër. Nëse oficerët e sigurimit që k
e marrë në punë do të kishin kryer detyrën e tyre, i ndjeri Major Feka sot ndoshta do të ishte në burg, por jo në varr. Dhe ushtria shqiptare nuk do ta kishte këtë njollë që ti dhe punonjësit e shtëpisë me gjethe po ia lini mbi shpinë. Dhe e di pse? Sepse urdhri që kanë marrë prej teje është që burgu nuk është për të besuarit tanë, është për burra si Gjeneral Syrja Gjoka, që i kanë shërbyer me nder dhe me dinjitet atdheut duke i dhënë nder ushtrisë.

Pronat. Prisnim me një frymë të na thoje se çfarë ka vjedhur Arben Imami. Në fakt, ke bërë namin vet. Anullove tendera. Ke anulluar në datën 1 tetor, të vitit 2013, tenderin e survejimit të hapësirës ajrore. Nuk kishe fond thoje për 560 milion lekë. 40 ditë më mbrapa, sa bëri të 40-at tenderi i anulluar, ke nxjerrë një fond 850 milion lekë, me firmën e Edi Ramës, për të kryer të njëjtin shërbim që nuk kryheshe dot me aq pak lek sa kishte vendosur Arben Imami. Jo. Ndërkohë, gjatë gjithë kësaj periudhe hapësira ajrore nuk është vëzhguar. Rastësisht koincidon me avionat misterioz që uleshin dhe ngriheshin dhe që ne nuk dinim gjë. Gjeral Komisar Bazo akoma nuk ka dhënë një shpjegim çfarë bëhet në lartësinë 2.500 m, a kemi pasur ne gjatë asaj periudhe aviona renegatë, a funksiononte gjatë asaj kohe radari? Ermonela sigurisht nuk e ka pyetur.

Ke gjetur një gjyq kur ke shkuar në Ministri, për 8.800 m2 pronë ushtrie, nga ato që shiste Arben Imami, në Jalë. Ke dhënë urdhër që gjyqi të ndërpritet. Ministria e Mbrojtjes nuk i mbron më pronat e veta sepse ka vajtur kjo tani, ka model tjetër. Janë të gjitha këto kombinacione. Një shqyerje e parasë publike, e identitetit, e integritetit e uniformës së ushtarakut në ushtri, me të vetmin qëllim, për tu pasuruar, për të marrë paratë e korrupsionit në xhepa. Ju shkon puna deri atje saqë nuk pyesni as për kokën tuaj, a luhet, është llogjikë e thjeshtë, për para, a luhet me karburantin e helikopterit që ti vetë e përdor dhe ha kokën nesër? Kanë bërë një parapagim, 200 mijë litra karburant për helikopterët. Kanë sigurisht vonuar një tendër. Gojët e liga thonë që donin 300 lekë për litër fitim. Negociata ka zgjatur aq shumë saqë kur është firmosur kontrata ishte krejtësisht e pazbatueshme. Atëherë çfarë bëjnë? Ia japim të gjithë fondin sot, për të gjithë vitin, të 200 mijë litrat, në njëkohë kur kapacitete magazinuese ke vetëm për 80 mijë dhe janë kapacitete magazinuese që janë specifike për këtë lloj karburanti, sepse janë të përbëra nga një material tjetër. Jo, kanë marrë aq sa mbajnë fuçitë e regjimentit të Farkës dhe pjesën tjetër e kanë depozituar diku në Lushnje, gjithsesi jashtë kushteve teknike. Në depozita metalike çka e bën atë karburant, dhe do mbash përgjithësi nëse ndodh një aksident i tillë, të papërdorshëm. Të paktën kryeministri ta kishte thënë, se ata hipin herë pas here, ti kishte dhënë nga xhepi ato 200 milion lekë që ke fituar për këtëpunë, të paktën të ruante kokën.

Fole për Gjeneral Gjunçin.  Të shkosh në Afganistan, tek ata djem që po na zbardhin faqen, edhe ata janë në Combat Mission, ata janë në luftë, në zonën më të rrezikshme të planetit, të shkosh atje dhe t’iu thuash, të kërkosh të pretendosh prej tyre që të pohojnë se kanë dhënë lekë për të shkuar për të lënë kokën, kjo është t’i trajtosh jo sibudallenj por si gomerë, më falni për shprehjen. Secili prej tyre, që ka vendosur të shkojë në luftë, sigurisht atë punë e bën për mision e bën për passion, natyrisht edhe përfitimi financiar nuk është i pa rëndësishëm, por jo aq sa për të lënë kokën. T’iu thuash atyre që keni dhënë lekë për të shkuar në një mision që gjithsesi do të shkoje, dhe në fakt sot po ndodh rotacioni i tretë, secili prej anëtarëve të batalionit të forcave speciale të ushtrisë është hera e tretë që shkon në Afganistan. Po kur e di që do shkojë pas dy muajsh përse do japë lekë sot? Të kërkosh të fëlliqësh në këtë mënyrë eprorin, të baltosësh në sy të tyre dhe mirë bëri që ta dha Rama atë përgjigje që ta kanë dhënë atje, ti vetëm tregon jo seriozitet. Ti tregon që ke shkuar në atë Ministri jo me lopatë për të ndërtuar, por ke shkuar me kamëz në dorë siç shkoni zakonisht.

Të nderuar qytetarë, kam edhe shumë gjëra të tjera, duke u përpjekur të përgatis këtë interpelancë, sigurisht kam rënë në informacione që janë tejet sensitive. Rasti është shumë specifik sepse ka të bëjë direkt me sigurinë kombëtare dhe siguria kombëtare, për fatin e mirë apo të keq të aleancës, cënon direkt sigurinë e alenacës. Informacione sensitive që unë në këtë interpelancë nuk mundem dot, për shkak të përgjegjshmërisë të një shtetari, ti them dhe ti bëj publike. Për këtë arsye, kam vendosur t’i propozoj Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të ngrihet një komision hetimor që ta shohë deri në detaje veprimtarinë e zonjës e cila, e vetmja gjë që ka bërë në këto muaj, ka lënë ca barcaleta dhe ca dëmë të pallogaritshme për ushtrinë. Imagjinoni një ministre që shefit të Shtabit të Përgjithshëm apo secilit prej Gjeneralëve apo Kolonelëve, të cilëve dy javët e fundit i paske mësuar anglishten, t’u thotë “hë vlla si kalove”, “ç’ke ti mos ki merak se ta zgjidh motra”.

Kjo nuk është mënyrë komunikimi institucionale.

Gent Strazimiri. ndërhyrja e tretë: Të tradhëton fytyra e zbehur me këto që the. Të ka plasur bomba dhe kur u plas bomba keni vetëm një model, ambasadën sovjetike. Kemi ca vite që Traktati i Varshavës ka ndodhur. E gjete ushtrinë në NATO, mos e nxirr që andej po të paktën mbaje.


Fjala ne Kuvend e deputetit Gent Strazimiri, 12 Shkurt 2015