OSHEE po kthehet dita-ditës në një organizatë kriminale, përgjegjëse për dhunimin sistematik të qytetarëve, dhe deri më sot shkaktare e drejtpërdrejtë e humbjes së disa jetëve.

Duke qënë një mashë e verbër në duart e Edi Ramës, OSHEE po aplikon cdo ditë të njëjtën filozofi, errësirën dhe burgun për të pamundurit, dhe sulmet ndaj opozitës.

Partia Demokratike nuk po kërkon asgjë tjetër, përvec faturimit të drejtë e të rregullt të qytetarëve, mbi bazën e konsumit të tyre.

Partia Demokratike do të kërkojë me vendosmëri ndaljen e abuzimit në kurriz të qytetarëve, dhe faturimin e tyre të drejtë.

Pikërisht arbitrariteti i OSHEE i mori jetën Qamil Zelës, i cili u syrgjynos në qeli për më shumë se dy muaj për 35 mijë lekë të vjetra debi.

Arbitrariteti i OSHEE i mori jetën kryefamiljarit tjetër në Novoselë, Llazi Nasi, i cili u mbifaturua disa herë më shumë se konsumi, e nuk gjeti asnjë ditë zgjidhje në dyert e këtij institucioni.

Arbitrariteti i OSHEE vuri në rrezik jetën e djalit 7 vjecar në Gur të Zi në Shkodër i cili ka nevojë për energji, për të vënë në punë paisjen që e furnizon me oksigjen. Familjarët dëshmojnë se në zyrat e këtij institucioni nuk po gjenin asnjë zgjidhje, aq më pak ndjeshmëri e humanizëm për fatkeqësinë e tyre.

Arbitrariteti i OSHEE që sillet me qytetarët si skuadër ekzkutimi e ushtrisë armike, ka cuar në akte ekstreme e të dëshpëruara dhjetra qytetarë deri më sot.

Arbitrariteti i OSHEE ka nxitur revoltën kudo në cdo fshat, lagje, rrugë e qytet të vendit.

Kjo organizatë kriminale po mbjell dëshpërim në mijëra familje me arrogancën e saj, me abuzimin, me mbifaturimin, me faturat aforfe, e me kamat-vonesat mbi këto gjoba të padrejta.

E gjitha kjo ndodh, ndërkohë që drejtuesit e saj, janë zhytur në përvetësime galopante me tendera, dhe teksa favorizojnë miqtë e tyre që janë debitorë deri në 205 milionë lekë, si rasti i deputetit të mazhorancës.

I kujtojmë sot drejtorit të OSHEE se nuk ka korrupsion që do ta shpëtojë nga bëmat e të shkuarës së tij me tendera që kanë sjellë 1.3 milionë dollarë dëme në shtet.

I kujtojmë drejtorit të OSHEE se do të mbajë përgjegjësi për të gjitha abuzimet e dhunimet e qytetarëve, ditën kur drejtësia të vijë.

Kjo është një lavdi e përkohshme që ai po e shijon bashkë me shefin e tij, Edi Rama, frymëzuesin e represionit të pashembullt ndaj qytetarëve.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Shkurt 2015