Kërkesat e Kryetari të Partisë Demokratike drejtuar qeverisë:

-Të shpallë gjendjen e emergjencës.

-T’i futen punës, të organizojnë me plane konkrete mbështetjen e banorëve të zonave të përmbytura, lehtësimin  e  gjendjes së tyre, plotësimin e nevojave të tyre  të domosdoshme.

-Të informohet media dhe publiku në mënyrë zyrtare, në çdo orë të ditës,  për  gjendjen dhe zhvillimet në zonat e goditura.

-Të  përllogariten në vijimësi humbjet dhe të vendoset kompensimi i tyre konform ligjeve të vendit.

-Të marrin masa  pa humbur kohë për të evituar përmbytjet dhe fatkeqësitë e  evitueshme në zonat e tjera të vendit që mund të goditen në ditët në vijim nga reshjet dhe moti i keq.

-Të  rishikohet buxheti i shtetit më qëllim alokimin dhe rritjen e  fondeve për  bujqësinë  dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe moti i keq, duke hequr dorë nga investimet  dhe shpenzimet e luksit dhe korrupsionit qeveritar.

Të nderuar deputetë,

Nëser është seanca e radhës, por nuk ka asgjë rutinë apo të zakonshme në Shqipëri për momentin. Vlora dhe Fieri, Gjirokastra, Permeti, Tepelena, Berati, Elbasani dhe  shumë bashki dhe komuna  janë prej  katër ditësh dhe vazhdojnë të jenë në një situatë dramatike, të jashtëzakonshme, për shkak të reshjeve masive që kanë goditur këto zona dhe kanë përmbytur shtëpitë, pasuritë, bagëtitë, pronat, tokat dhe të mbjellat e mijëra e mijëra familjeve shqiptare, duke u shkaktuar dëme të jashtëzakonshme.

Këto zona janë në fakt në gjendjen e emergjencës kritike, pavarësisht se kryeministri, për t’u ikur përgjegjësive nuk e ka njohur dhe nuk e ka shpallur gjendjen e emergjencës deri në këtë moment. Banorët e këtyre zonave janë në alarm të madh, në një të keqe të madhe që i ka zënë. Po vajtojnë humbjet e jashtëzakonshme.

Sot kam qenë në Fier dhe në Vlorë, kam parë nga afër gjendjen dhe kam biseduar me dhjetra e qindra banorë të goditur. Përpara meje kanë qenë në  zonat e përmbytura Sekretari i Përgjithshëm, zoti Ristani, deputetë të zonave, zonja Vokshi kryetare e Komisionit për Çështjet Sociale, dhe zyrtarë të tjerë qendrorë dhe vendorë të Partisë Demokratike.

Dua ta nis me një falenderim për kontributin e gjithë atyre trupave vullnetare apo pjesëtarë të strukturave shtetërore,  policë, ushtarakë, civile  që  u angazhuan në momentin e parë dhe në vazhdimësi për të evituar  humbjet eventuale të jetëve njerëzore.

Në emrin tim, në emrin tuaj, në emër të Partisë Demokratike u shprehim  falenderimet dhe mirënjohjen me të thellë familjeve vlonjate, fierake, beratase e tjerë, që kanë hapur dyert për  familjet e përmbytyra. Ky është solidariteti  njerëzor, një vlerë e vjetër mbarëshqiptare, vlera që që na sjellin më afër me njëri-tjetrin për të ndihmuar në ditë të vështira, në ditë të këqia si këto që po përjetojnë qindra e mijëra familje të këtyre zonave.

Falenderim të veçantë kam për gazetarët, mediat e pavarura, korespondentët e terrenit, që kanë raportuar me realizëm zhvillimet dhe të vertetën në zonat e përmbytura, që kanë mbrojtur e po mbrojnë me integritet të lartë dhe sakrificë vlerat e profesionit, kundër  presioneve, denigrimeve apo zhurmuesve  që ka lëshuar kundër tyre qeveria propagandistike.

Por nga ana tjetër, ne si opozitë, bashkë me  mediat e pavarura  që monitorojnë pa pushim gjendjen në terren,  kemi denoncuar dhe denocojmë me forcë  sërish sot,  braktisjen e banorëve  në fatkeqësi nga qeveria, nënvlerësimin  e fatkeqësisë së tyre, nga qeveria, mungesën e një  operacioni  dinamik dhe efikas të emergjencës për t’u ardhur  në ndihmë apo për të lehtësuar kushtet e tmerrshme në të cilat janë shtrënguar  të jetojnë apo më mirë të themi të mbijetojnë.

Janë lënë në mëshirën e rastit dhe në varësinë e  fatit për t’u strehuar, për tu ushqyer, për ujin e pijshëm, për bagëtitë, e deri  për të siguruar vendin se ku do kalojnë natën. Kushdo që i takon dhe bisedon me këta banorë siç shumë prej nesh kanë bërë këto ditë, e kupton fare qartë se një shpërfillje e tillë nga ana e ekzekutivit  nuk  ka ndodhur në asnjë prej fatkeqësive natyrore që ka goditur vendin tonë.

Përballë situatës kritike të emergjencës, përballë mijëra e mijëra  burrave, grave, fëmijëve,  pleqve dhe të sëmurëve që janë shtrënguar të lënë banesat e përmbytura dhe të strehohen te miqtë e tyre, përballë shtëpive nën ujë, tokave të përmbytura  dhe  bagëtive të mbytura, përballë dhjetra   e  dhjetra rasteve kur banorët detyrohen  të paguajnë skafistë  privatë për të shpëtuar bagëtitë e tyre, “shkëlqen” margaritari i mashtrimit, qeveria e Edi Ramës, vetëm në një drejtim: në propagandë, në demagogji, në llafollogji dhe në fajësimin e opozitës!

Ma thanë sot drejt, disa banorë  të zonave të përmbytura:  qeveria krihet ndërkohë që fshati digjet. Kryeministri gjen kohë të dredhë  zinxhirin. Janë fjalë pak të zbukuruara sepse aty ku isha ma thanë më vendçe. E kanë marrë vesh të gjithë, se në këtë kohë përparësia e Kryeministrit mbeten eglendisjet, qejfet. E kanë marrë vesh të gjithë se kur Gjirokastra dhe Vlora po përmbyteshin, ai bënte qejf në Korçë.

E vërteta e përmbytjeve në Jug nuk është ajo që thotë qeveria propagandistike dhe veglat e saj.

Eshtë ajo që jetojnë dhe thonë banorët  e zonave të përmbytura.  Eshtë ajo që ata ankojnë, ajo që ulërasin  të revoltuar shumë prej tyre për shkak të  braktisjes, shpërfilljes dhe demagogjisë qeveritare.

Kjo është qeveria e shpërfilljes arrogante të halleve, fatkeqësive, brengave  dhe nevojave  më jetike të njerëzve – këtë e dimë. E kemi parë  e denoncuar  me dhjetra herë qëkurse Rama-Meta kanë ardhur në pushtet.

Kjo është qeveria e pashpirtësisë- edhe këtë e dimë. E kemi parë e denoncuar  me qindra raste dyshen “Rama-Metën” që arrreston fukarenj dhe të pamundur, i harron në qeli, i shtyn deri në vetvrasje.

Kjo është qeveria e arbitraritetit dhe arrogancës, e dime ne dhe gjithë shqiptarët. E kemi parë e denoncuar me qindra mijëra herë  qeverinë  që ka shembur në kundërshtim flagrant me ligjin dhe me  pashpirtësi ektreme  shtëpitë e jetës, mundin dhe kursimet të sa e sa shqiptarëve, për të cilat, do të japin llogari patjetër para drejtësisë.

Duan ta vazhdojnë në Vlorë këtë  avaz.  Rama  nuk rri dot asnjë ditë pa prishur, pa shkatërruar, pa goditur  qytetarët e këtij vendi.

Në kulmin e fatkeqësise natyrore të reshjeve dhe përmbytjeve në gjithë vendin, deputeti dhe kreu i ekzekutivit lajmëron se do të vijoje me prishjet e shtëpive të hallexhinjve në Vlorë pa i kompensuar fare me vlerë tregu. Ky është një qëndrim i pa
shoq, tipik i dyshes Rama-Meta që në vend se të cojnë të gjitha mjetet, resurset, mjetet e rënda për të zhbllokuar rrugët, për të vendosur prita, për të riparuar apo ndërtuar argjinaturat, për të parandaluar dëmet e metejshme, tani po mendojne si të bëjnë garë me natyrën për të dëmtuar më shumë njerëzit.

Kjo është qeveria e demagogjisë, rrenave dhe mashtrimeve, – edhe këtë e dimë. Por  me rastin e përmbytjeve në Jug, sikurse edhe me rastin e pilotit major të  forcave  të armatosura  që humbi jetën  në Spanjë  duke pilotuar një  helikopter të  ngarkuar me drogë, kemi mësuar dhe ka dalë në pah një tjetër  ves i  kësaj qeverie:  Kjo është qeveria që ka lënë punën.

Eshtë qeveria që ka braktisur punën.Ajo dhe agjencitë e saj. Qindra punonjës të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, të Policisë Ushtarake dhe instuticioneve  të tjera të kontrollit, që janë numerikisht shumëfishi i subjekteve për t’u kontrolluar në sektorë të  veçantë të Forcave të Armatosura, kanë rezultuar jashtë loje në rastin e pilotit të drogës.

Shkrehje apo demotivim nga ngritja dhe promovimi i drogës në sistem prej kësaj qeveria e cila i ka shtyrë të mbyllin gojën, kjo pak rëndësi ka. Përgjegjësia  politike në të dyja rastet i shkon e plotë zonjës ministre dhe zotit kryeministër.

Por këta nuk e dinë ç’është përgjegjësia, nuk e  dinë ç’është llogaridhënia në sistemin demokrattik. Shkojnë e vijnë lart e poshtë duke mburrur njëri-tjetrin, i japin dekorata njëri tjetrit në parada qesharake, reklamojnë suksese  që nuk i sheh njeri dhe nuk i prek  njeri, me përjashtim të klientelës së tyre të ngushtë politike-ekonomike të dyshes Rama-Meta.

Puna e vetme që nuk e ndalin asnjë minutë  është të akuzojnë opozitën. Nuk kanë bërë asnjë ditë qeverinë, vazhdojnë të bëjnë opozitën e ish-qeverisë. Ky është një perversitet i madh politik, por edhe një tallje e madhe me zgjedhësit që i kanë votuar para një viti e gjysëm për të qeverisur.

Po e shohim edhe në rastin e përmbytjeve. Kryeministri, një e dy dhe fajin për përmbytjet e paska opozita.  Kujton se njerëzit hanë bar dhe besojnë  mbroçkullat e tij. Njerëzit jo që nuk i besojnë, por me sa po shoh unë në  takimet e mia me qytetarët, nuk duan ta dëgjojmë më, nuk dua ta shohin më me sy, aq i pabesueshëm është bërë.

Pse ke  ulur e shkurtuar  investimet për  bujqësinë, për hidrovoret, për kanalizimet, për kullimin, për veprat mbrojtëse të tokës dhe vendbanimeve? Pse i destinon paratë e taksapaguesve tek vila e gjethit, tek bunkarti yt, tek festa e dritave, e të tjera vepra luksi “Jessie James” dhe korrupsioni qeveritar, si ato që kemi denoncuar dhe nuk  i çon aty ku janë nevojat me të mëdha për sigurinë e  shtëpive, tokave, bagëtive dhe jetës të  qytetarëve.

Pse nuk  ke  ndërhyrë  me INUK-un tënd aty ku  thua se paska qenë e keqja,  por s’ke lenë shtëpi pa rrafshuar aty ku  s’të pëlqente ty apo kishe mllefe për të nxjerrë? Pse nuk  shpall gjendjen e emergjencës?

Këto janë  pyetjet  që bëjnë  njerëzit, familjet e përmbytura, media e pavarur dhe ne si opozitë.  Kryeministri hesht. Heshtja e tij flet. Heshtja e tij thotë “s’ma ndjen. Kështu e kam nisur e kështu do ta vazhdoj sa të jem në këtë karrige”.

Në fakt emergjenca më e madhe  kombëtare, që ua kalon përmbytjeve, është pikërisht kryeministri i papërgjegjshëm. Ditë pas dite kjo po bëhet bindja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Dhe shumë shpejt kjo shumicë do të jetë aq e madhe e aq zëlartë për tu ndjerë rehat vetëm me hapësirën e jashtëzakonshme të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, apo sheshit Skënderbej apo të çdo sheshi tjetër në Shqipëri.

Sot jemi në emergjencë dhe prandaj nga kjo mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në emrin tuaj, në emër të gjithë deputeve të opozitës, në emër të shumicës  qytetare në vend, i kërkoj  kryeministrit dhe qeverisë:

Të shpallë gjendjen e emergjencës.

T’i  futen punës, të organizojnë me plane konkrete mbështetjen e banorëve të zonave të përmbytura, lehtësimin  e  gjendjes së tyre, plotësimin e nevojave të tyre  të domosdoshme.

Të informohet media dhe publiku në mënyrë zyrtare, në çdo orë të ditës,  për  gjendjen dhe zhvillimet në zonat e goditura.

Të  përllogaritën në vijimësi  humbjet dhe të  vendoset kompensimi i  tyre konform ligjeve të vendit.

Të marrin masa  pa humbur kohë për të evituar përmbytjet  dhe fatkeqësitë e  evitueshme  në zonat e tjera të vendit që mund të goditen në ditët në vijim nga reshjet dhe moti i keq.

Të  rishikohet buxheti i shtetit më qëllim alokimin dhe rritjen e  fondeve për  bujqësinë  dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe moti i keq, duke hequr dorë nga investimet  dhe shpenzimet e luksit dhe korrupsionit qeveritar.

Ne do të vijojmë të qëndrojmë  pranë zonave të përmbytura për të ndihmuar me të gjitha fuqitë dhe mundësitë tona, për të dëgjuar zërin e tyre, për të ngritur zërin e tyre në Kuvend nesër dhe në vazhdim, për të ngritur zërin e tyre në çdo tribunë të komunikimit  publik, për të  nxitur e shkundur qeverinë, për të promovuar solidaritetin qytetar me njerëzit në nevojë, duke dhënë ne shembullin tonë, siç bëri dje dega e PD-së e Vlorës, ndërsa sot ajo e Fierit.

Të gjithë deputetët tanë do të vazhdojnë të jenë në kontakt të përhershëm me zonat  dhe qarqet e tyre, e në veçanti në zonat e përmbytura, për të informuar për gjendjen dhe përpektivën e  afërt në dritën e parashikimeve të motit, të jemi të parët që të japim alarmin e të kërkojnë ndërhyrje në pikat ku mund të godasë përmbytja, të jemi panë qytetarëve me qytetarët siç është mendësia, filozofia, dhe vetë arsyeja e ekzistencës tonë.

Faleminderit!