Ky takim kishte për qëllim diskutimin e pesë prioriteteve, për të parë sa përparim ka bërë Shqipëria dhe a mund të hapen negociatat. Qëllimi i diskutimit është përparimi që bën Shqipëria për të hapur negociatat.

Si opozitë, ne ngritëm shqetësimet tona që janë të ditura tashmë, shqetësime që lidhen me çdo prioritet. Njëri prej prioriteteve është të Drejtat e Njeriut. Ngritëm me forcë shqetësimin që kanë qytetarët shqiptarë me sjelljen e qeverisë shqiptare në aksione të shumta, me dhunë e ne mungese te respektit për të Drejtat Themelore të qytetarve përsa i përket dhe strehës, edhe banesës së tyre. Shqetësimi që kemi me mungesën e theksuar të vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin që janë dy prioritete kyçe. Mungesën e vullnetit politik për të pasur një reformë gjithëpërfshirëse në fushën e drejtësisë që është prioritet, parakusht dhe për të garantuar kushtet e tjera, luftën kundër krimit, korrupsionit, të drejtat e njeriut, shqetësimin se pushimet masive në administratë vazhdojnë.

Këto ishin shqetësime që ne ngritëm. Shqetësime të cilat gjetën, kanë gjetur jehonë edhe në raportimet e Komisionit Europian, dhe për fat të keq nuk pati asnjë fjalë për shpresën dhe mundësinë për hapjen e negociatave. Pra jemi, më shumë se një vit, nga marrja e Statusit të vendit kandidat, dhe nuk ka ende asnjë shpresë për hapjen e negociatave. Ky është një lajm shqetësues, ky është një lajm shumë i keq. Të gjithë presim që Shqipëria të avanconte, si gjithë vendet e rajonit, të cilat brenda vitit të parë, pas marrjes së statusit kandidat, kanë hapur negociatat.

Duket që mënyra se si ka qeverisur kjo shumicë, nuk e bën këtë gjë të mundur deri më sot. Shpresojmë që të ketë reflektime, pra një kurs tjetër qeverisës, që të bëjnë të mundur hapjen e negociatave brenda vitit të parë, pas marrjes së statusit të vendit kandidat.

Z. Bumçi a pati një deklaratë të përbashkët miratuar në përfundim të takimit dy ditor ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe BE-së dhe nëse jo cila ka qenë arsyeja që nuk është rënë dakort mes forcave politike këtu në Shqipëri për të miratuar një rezolutë të përbashkët siç ka ndodhur më parë?

Për fatin e keq nuk pati deklaratë të përbashkët, nuk arritëm dot të gjenim konsensusin. Ne jemi te shqetësuar për këtë mungesë vullneti të shumicës për të përfshirë çështje të cilat janë legjitime dhe të ngritura edhe nga institucionet ndërkombëtare. Unë do të ndalem në pikat kryesore. Kishte disa çështje për të cilat nuk ramë dakord. Do ndalem tek çështjet kryesore. Njëra prej çështjeve, që është çështja më e rëndësishme, akuza më e rëndë që ka ndoshur në këto 24 vite, akuza e bërë nga një deputet i shumicës që Kryetari i Kuvendit ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Është e vërtetë që kjo ishte e përfshirë në deklaratë, që akuzat kriminale duhet të hetoheshin sa më shpejt dhe në mënyrë të besueshme. Por akuzat kriminale që përfshijnë deputetë të Kuvendit, akuza kriminale që përfshijnë deputetë të Kuvendit nuk i thotë asgjë askujt, madje do ishte e pandershme për burrat dhe gratë e Kuvendit të Shqipërisë të cilët nuk kanë lidhje me akuza kriminale. Akuza është me emër, është për Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe ne kërkonim të përfshihej Kryetari i Kuvendit. Pra hetimi i akuzave kriminale që përfshin Kryetarin e Kuvendit, të bëhet në mënyrë të besueshme pa ndikime, pa presion nga ana e qeverisë. Shumica nuk ishte dakort që te përfshihej Kryetari i Kuvendit dhe donin të linin një term të përgjithshëm, Deputetët e Kuvendit, por kjo është e padrejtë, e pandershme, çlidhje kanë 140 deputetët e tjerë me këtë akuzë. Kjo është pika e parë.

Kishte një çështje tjetër që s’ramë dakord, përfshirjen në deklaratë te personave të shkarkuar nga puna, siç konfirmohet edhe nga Progres Raporti. Janë gati 6.000 persona të pushuar nga administrata publike deri në shtator. Ne kërkuam që kjo e dhënë të përfshihej në Progres Raport. Shumica refuzoi ta përfshinte këtë gjë, është e habitshme, një dokument tashmë i miratuar, publik, me të dhëna të besueshme nuk pranohet që të përfshihet në konkluzionet përfundimtare.

Një çështje e tretë që nuk u pranua nga shumica, ka të bëjë me reformën në drejtësi. Siç e dini, Kryeministri Rama mori një zotim para komisionerit të zgjerimit në qershor, që reforma do jetë gjithëpërfshirëse, me të gjithë aktorët, me Komisonin e Venecias dhe me Misionin Euralius. Dy javë mbasi bëri këtë deklaratë, në Korrik, propozoi tre ndryshime ligjore. Komisioni Europian i drejton një letër shumicës ku i kërkonte që sipas zotimit të saj të priste shtatorin kur të vinte Euraliusi dhe reforma të ishte gjithëpërfshirëse. Z. Rama nuk e dëgjoi Komisionin Europian, miratoi tre ligjet, në nëntor bëri të njëjtën gjë, miratoi një të katërt, pa pyetur Bashkimin Europian. Ne kërkuam që ky shqetësim, i ngritur me letër publike, i Komisionit Europian, të përfshihej në deklaratë. Pra kemi një shembull të qartë, kur qeveria vepron kundër rekomandimit të Komisionit Europian dhe kjo u refuzua.

Kishte edhe çështje të tjera, mund të përmend edhe si çështje tjetër të rëndësishme, rastin e zyrtarëve që duhet të denoncojnë korrupsionin, juristit të Vlorës, ka dhe një ligj të veçantë që qeveria miratoi me propagandë të madhe, që mbështet nënpunësit civil që denoncojnë afera, praktika korruptive brenda institucionit të tyre. Kemi një rast të znj. Luiza Gjonaj, në Ministrinë e Punës, e cila iu drejtua Kryeministrit për një praktikë korruptive në ministrinë e saj dhe u shkarkua në shkelje të ligjit të Nëpunësit Civil, në shkelje të ligjit për denoncuesit që duhet ti kishte dhënë një status të veçantë mbrojtës.

Këto janë çështje që shumica nuk pranoi ti përfshinte, shprehim keqqardhjen tonë, që çështjet që tashmë janë pasqyruar në qendrimet zyrtare të Komisionit Europian, të Parlamentit Europian, në raportet e tyre zyrtare, u refuzuan të përfshiheshin në deklaratën përfundimtare.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Aldo Bumçi, 17 Mars 2015