-Dorëheqja e Ilir Metës, ndjekja prej tij e procesit të hetimit nga karrikja e një deputeti të thjeshtë, është një parakusht për një hetim të drejtë dhe objektiv të skandalit, të pandikuar nga politika dhe faktorët kriminalë të përfshirë në këtë skandal të paprecedent.

-Janë Rama dhe Meta autorët e filtrimit në media të informacioneve nga marrja në pyetje e Durim Bamit për këtë çështje. Informacione të tilla, në çfarëdo rrethane, në shtetin ligjor, janë pjesë e sekretit të hetimit, vërtetësia apo sajimi i të cilave mund të konfirmohen sipas ligjit vetëm nga organet e drejtësisë dhe në aulën e drejtësisë.

-Po bëjnë çmos të rregullojnë alibitë, po bëjnë çmos t’u vënë këmbë të gjata   genjeshtrave të tyre flagrante. Po bëjnë çmos të manipulojnë dhe zhurmojnë faktet e rënda duke i përzier me lloj-lloj spekullimesh e shpjegimesh pa vlerë, me qëllim që njerëzit të mos kuptojnë çfarë po ndodh, çfarë po bëhet.

-Oligarkia sot e gjithë ditën po e sfidon dekriminalizimin, po e kthen mbrapsht atë, pikërisht në ditën që ky proces është kthyer në nevojë urgjente kombëtare. Pas inkriminimit masiv, që u shfaq me formën e tij më agresive me akuzat para të cilave ndodhet Kryetari i Kuvendit, oligarkët ndalojnë hetimin, ndalojnë drejtësinë.

-Edi Rama dhe Ilir Meta duhet ta dinë se dekriminalizimi nuk bëhet duke vrarë, nuk bëhët me krim! Ata janë sot të akuzuar, njëri si porositës i vrasjeve me pagesë të deputetëve, tjetri si dëshmitar dhe fshehës për gjashtë muaj i veprës penale.  Kanë punë me drejtësinë. Mund t’i fshihen ligjit, mund t’i fshihen drejtësisë, por nuk do t’i fshihen dot popullit.

U bë dita e tretë që Ilir Meta gjendet publikisht nën akuzë për porositjen e dy vrasjeve, dhe ai po refuzon të dëgjojë zërin e arsyeshëm të qytetarëve të vendit dhe kërkesën e opozitës që të japë dorëheqjen.

Ajo çfarë duam ne, është një hetim i drejtë dhe objektiv. Kërkojmë drejtësi për akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në historinë politike pas vendosjes së pluralizmit, akuzë që vjen nga radhët e vetë mazhorancës.

Po jam i sigurtë, se kjo është ajo që kërkon sot çdo qytetar i vendit, çdo njeri racional, që dëshiron që parimet e drejtësisë dhe ligji të jenë në majën e vlerave, e të mos humbasin nga paktet e hesapet mes palëve në pushtet.

Dorëheqja e Ilir Metës, ndjekja prej tij e procesit të hetimit nga karrikja e një deputeti të thjeshtë, është një parakusht për një hetim të drejtë dhe objektiv të skandalit, të pandikuar nga politika dhe faktorët kriminalë të përfshirë në këtë skandal të paprecedent.

Por siç po e shohin me sy i madh e i vogël në Shqipëri, dy pushtetet, ekzekutivi i Ramës dhe legjislativi i Metës, e gjithë kupola nën akuzë, janë bërë bllok dhe janë përfshirë në një përpjekje të ethshme për ndikuar e devijuar hetimin dhe për të manipuluar ngjarjen sipas interesave të tyre.

Po bëjnë çmos të rregullojnë alibitë, po bëjnë çmos t’u vënë këmbë të gjata   genjeshtrave të tyre flagrante. Po bëjnë çmos të manipulojnë dhe zhurmojnë faktet e rënda duke i përzier me lloj-lloj spekullimesh e shpjegimesh pa vlerë, me qëllim që njerëzit të mos kuptojnë çfarë po ndodh, çfarë po bëhet.

Për shqiptarët kjo në fakt nuk është as e re as e papritur.

Qeveria që i ka mashtruar për gjithçka që u ka premtuar, që nga energjia elektrike te shëndetësia, e ka mjeshtërinë dhe zanatin e saj genjeshtrën, spekullimin, mashtrimin, sulmet  ndaj opozitës.

Por edhe kësaj radhe, në vend që të vënë sytë, por nxjerrin vetullat.

Janë ata, Rama dhe Meta autorët e filtrimit në media të informacioneve nga marrja në pyetje e Durim Bamit për këtë çeshtje. Informacione të tilla, në çfarëdo rrethane, në shtetin ligjor, janë pjesë e sekretit të hetimit, vërtetësia apo sajimi i të cilave mund të konfirmohen sipas ligjit vetëm nga organet e drejtësisë dhe në aulën e drejtësisë.

Kjo rrjedhje informacioni, që nuk mund të dihet për momentin a është i vërtetë apo i fabrikuar, është organizuar për të bërë presion dhe për të orientuar hetimin në hullinë që dëshiron kupola nën akuzë.

Krerët e organeve të hetimit në Prokurori dhe në Polici kanë detyrimin të mbajnë qëndrim kundër rrjedhjes së paligjshme të informacionit, kundër interferimeve me sajime dhe kundër çdo ndërhyrjeje politike apo kriminale në procesin e hetimit.

Rama-Meta, të kapur në ankth nga denoncimi i superdeputetit dhe mikut të tyre për kokë, kanë vënë në lëvizje një makineri lajmesh të rreme dhe spekullimesh me një qëllim: të zhurmojnë  dhe mjegullojnë të vertëtën, të frikësojnë organet e drejtësisë.

Nuk dua të merrem me përpjekjet e tyre për ta paraqitur si mitoman shokun e ngushtë, deputetin e tyre që deri dje e mbanin si deputetin numër një në veriun e Shqipërisë.

Dua të merem me fakte, të denoncoj turpet dhe gënjeshtrat e tyre që rrjedhin lumë sa herë hapin gojën.

Nuk e kam takuar asnjëherë marrësin e porosisë për të vrarë dy deputetët, thotë drejtori i policisë Didi. Ministri i Brendshëm e përgenjshtron. Ka qenë në takim dhe ka mbajtur edhe shënime, pohon ministri.

Askush në kupolë nuk skuqet, si të mos bëhëj fjalë për vrasje njerëzish, por mizash.

Ministri i Brendshëm del dhe njofton me krenari se e ka takuar privatisht atentatorin, është shtruar me të dhe pas kësaj nuk kemi asnjë hap ligjor, asnjë masë.

Çfarë mesojmë ne, çfarë mëson publiku nga apologjia e gjatë e  ministrit  Tahiri në përpjekje për të nxjerrë engjëj, Metën dhe Ramën?

Mësojmë se gjashtë muaj ka qenë Saimir Tahiri në krye të operacionit të mbajtjes së fshehtë të skenarit për vrasjen e dy deputetëve. Dhe vetëm kur ujërat më te zeza të aferës plasën sheshit, kur deputeti i mazhorancës foli dhe akuzoi në publik, Ministri i Brendshëm u shfaq, duke lënë një precedent të turpshëm që do të mbahet mend në histori, si negociator dhe bashkëbisedues i palodhshëm me të akuzuarin për vrasës, me synim mbylljen e pakteve, pazareve dhe bizneseve mes palëve në pushtet.

Dhe sot, pasi është turpëruar publikisht dhe neveritur nga gjithë shqiptarët për rolin kriminal në këtë histori prej gjashtë muajsh, ministri i brendshëm merr çertifikimin nga shefi i tij, nga kryeministri, se paska qënë në rregull. Paska qenë në rregull që ka fshehur një krim për gjashtë muaj, paska qenë në rregull që ka shkelur ligjin! Paskan qenë në rregull të dy bashkë që nuk kanë bërë hetime  ligjore sapo janë njoftuar për vrasjen me pagesë, po mundohen deri në fund të manipulojnë faktet dhe dëshmitë për të mbrojtur pa skaj Ilir Metën.

Pse i bëjnë të gjitha këto? Pse ju duhet, për të marrë një shembull të vogël, por domethënës, ta shpallin shofer të kryetarit të PR, një shtetas që është larguar prej njëzet e dy vitesh nga Partia Repubikane? Psej ju duhet të kapen pas fijes së kashtës? Sepse ju djegin mizat, sepse janë përlyer, sepse kanë shkelur ligjet,  sepse do të dalin para përgjegjësisë. Përse tjetër?!

Më e keqja, është se sot janë liruar nga zinxhirët dhe bredhin lirshëm kudo në qytet e në mbarë vendin, bandat e kriminelëve më të rrezikshëm, si skalionet që marrin porosi dhe zbatojnë porosi për shefat e tyre politikë.

Banda që kërcënojnë prokurorë e gjyqtarë, banda që rrëmbejnë dëshmitarë, banda që ndërsehen me urdhrin e oligarkëve dhe mbrohen prej tyre.

Me sjelljen e tyre, Meta, Rama dhe Tahiri po i thonë drejtësisë, mbylle çështjen, mbylle sa më shpejt.

Po i komunikojnë prokurorisë: mos u lodhni me hetime, se tashmë është marrë vendimi, verdikti është dhënë në zyrat e pushtetit, se ligji janë ata.

Nuk do t’ja dalin. Partia Demokratike dhe opinoni publik janë në këmbë që kjo  çeshtje jetike për demokracinë dhe shtetin shqiptar të zbardhet nga drejtësia ashtu siç është.

Parakushti është dorëheqja e Ilir Metës. Nuk mund të lejojmë që republika jonë dhe standartet demokratike të arritura deri më sot, me jo pak mund, të varrosen një herë e mirë e të kthehemi në kohët më të errëta, ku ligji nuk arrin tek kreu i kuvendit, ku ai është imun pavarësisht se akuzohet për prositjen e vrasjes së dy deputetëve.

Mikun e tij për kokë deri dje, mikun e Ilir Metës, deputetin më të besueshëm të interesave e biznesit, të punëve të pisëta dhe të ndarjes së tortes, sot Edi Rama e quan rrugaç. E përqesh madje edhe të folurën e tij, dhe po na e shpall si katharsis largimin nga grupi.

Por në fakt bëri të pamundurën të mbyllte hesapet me të e të bënte paqe. I dërgoi fjaltorë e negociatorë, herë Kokëdhimën e herë Tahirin. Kur u pa se pazari nuk mbyllej dot më, se lufta për pushtet kishte shkuar shumë larg, tentoi ta bënte kurban, gjoja të dekriminalizimit.

Dekriminalizim, pasi nuk patën sukses asnjë prej përpjekjeve për të bërë një pakt të ri kriminal.

Oligarkia sot e gjithë ditën po e sfidon dekriminalizimin, po e kthen mbrapsht atë, pikërisht në ditën që ky proces është kthyer në nevojë urgjente kombëtare.

Pas inkriminimit masiv, që u shfaq me formën e tij më agresive me akuzat para të cilave ndodhet Kryetari i Kuvendit, oligarkët ndalojnë hetimin, ndalojnë drejtësinë.

Partnerët ndërkombëtarë ritheksuan këto ditë nevojën për dekriminalizimin, kauzën për të cilën ne, Partia Demokratike, luftuam shumë, përkundër gjithë përpjekjeve të shumicës për ta ndaluar, për të na mbyllur gojën, duke na hequr gjithë të drejtat e duke ushtruar edhe dhunë.

Miqtë amerikanë dhe europianë shprehimisht thanë se dekriminalizimi duhet bërë sa më shpejt, por Meta, Rama e Tahiri, po aplikojnë krejt të kundërtën në praktikë. Po mbulojnë krimin, po mbajnë në fuqi paktin kriminal, po e ushqejnë dhe i japin edhe më shumë oksigjen aleancës së tyre me krimin.

Edi Rama po nxitohet duke fërkuar duart e duke mbllaçitur fjalorin e tij ordiner kundër opozitës. Beteja jonë e vendosur kundër ngjitjes së vrasjeve me pagesë në kupoplën e shumicës qeveritare, sapo ka nisur.

E dimë se do të dëshirontë një opozitë dekorative. E dime, se e ka në gen urrejtjen ndaj opozitës si institucion. Por nuk do të mund t’ia japim asnjë sekond  kënaqësinë  e një opozite  fasadë.

Misioni i opozitës ka qenë dhe është demaskimi i premtim-mashtrimeve të tij dhe qeverisë së tij, demaskimi i politikës së mjerimit dhe lakut në fyt për shumicën  dërrmuese të shqiptarëve, demaskimi i krimit, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit galopant në qeverisjen e tij.

Misioni ynë është dekriminalizimi, kauzë madhore, jetike për të sotmen dhe të ardhmen, të cilën do ta çojmë me çdo kusht drejt finalizimit me mbështetjen e qytetarëve dhe partnerëve tanë, SHBA dhe BE.

Edi Rama dhe Ilir Meta duhet ta dinë se dekriminalizimi nuk bëhet duke vrarë, nuk bëhët me krim! Ata janë sot të akuzuar, njëri si porositës i vrasjeve me pagesë të deputetëve, tjetri si dëshmitar dhe fshehës për gjashtë muaj i veprës penale.  Kanë punë me drejtësinë.

Mund t’i fshihen ligjit, mund t’i fshihen drejtësisë, por nuk do t’i fshihen dot popullit.


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, 5 Mars 2015