Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike

Të nderuar aleatë

Ka lajme të këqia për vendin dhe për këdo që shpresonte se ishte një ëndërr e keqe, ajo që pamë dje. Por është realitet, është një ditë e zezë për demokracinë. Kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Kryeministri është nën akuzë se ka dijeni prej 5 muajsh për këtë skenar.

Nuk dihet më ku është kufiri ndarës në këtë binom-kriminal, kush është autori e kush është bashkëpunëtori, kush është porositësi e kush është dëshmitari.

Në vitin 2015, 25 vjet pas hapjes së Shqipërisë, pas nisjes së rrugëtimit europian, gjendemi para realitetit tronditës, të kthyer mbrapsht në parametrat e republikave të dështuara kriminale, ku dy personat që qeverisin vendin janë të zhytur në bëmat më të errëta, në skenare vrasjesh që vijnë pas pazareve të prishura, nga trafiqet e paligjshme tek ushtrimi i influencës për përfitim financiar.

Tani që bomba ka shpërthyer dhe ujërat më të ndotura të kanaleve të mazhorancës po vërshojnë në sytë e të gjithëve, duke nxjerrë faqe botës llumin e krimit e të përlyerjes më të fëlliqur të dy kokave të pushtetit e gjithë klaneve të tyre, të dy aktorët kryesorë, Ilir Meta dhe Edi Rama po rreken të fshihen, po rreken të krijojnë alibi, të dalin të pastër nga kjo histori.

Ilir Meta duhej sot të deklaronte vetëm një gjë. Dorëheqjen si kryetar i Kuvendit dhe dorëzimin para drejtësisë, deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Sot Ilir Meta duhej të ishte para drejtësisë, duke iu nënshtruar procedurave të hetimit.

Në vend se të trokiste në dyert e Prokurorisë, se është nën akuzën më të rëndë të 25 viteve politikë, del e kapardiset para kamerave dhe synon të krijojë mjegull me deklarata të rreme e kriminale, akuza të mjera kundër opozitës.

Çdo i dëshpëruar kur gjendet para akuzave të përbindshme të kësaj natyre, që ka porositur dhe parapaguar vrasjen e dy deputetëve, do të fliste përçart e do të bënte gjeste të dëshpëruara, irracionale. Por kjo nuk ka për ta shpëtuar Ilir Metën. Ai duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë, të vihet në dispozicion të Prokurorisë, aty ku e ka vendin nga dje në orën 2.

Asnjë qytetar i vendit nuk e njeh më për kryetar Kuvendi, asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues, një të akuzuar për dy vrasje.

Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret Prokurorin në zyrë.

Eshtë ai që duhej të shkonte në zyrën e Prokurorit, e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eleminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Alibia e Edi Ramës nisi që dje, në fabrikimin e disa tezave përmes medias, sikur gjoja paska nisur dekriminalizimi në partinë e tij, me përjashtimin e deputetit akuzues.

Por të gjithë e pamë, se ajo çfarë deshi Edi Rama të bënte, ishte një pajtim, një pakt i ri, një mbyllje e hesapeve, pra bash e kundërta e dekriminalizimit.

Ai dërgoi emisarin Kokëdhima për negociata dhe dështoi. Ai dërgoi më pas emisarin Tahiri për negociata dhe sërish dështoi.

Çfarë është e gjitha kjo?

Asgjë tjetër përveçse lojë kumbarësh që përplasen me njëri tjetrin se kujt do tia puthin dorën; don Ramës apo don Metës. Asgjë tjetër nuk është kjo dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë qytetarët e vendit.

Ky teatër po luhet me interesat e vendit, vetëm se në kullën e pushtetit ka plasur lufta e klaneve, me vrasës me pagesë. Hesape personale, për interesa që shkojnë nga trafiqet tek kontrolli i doganave e pasurive, e ndarja e influencave. Luftë brenda llojit për pushtet dhe secili ka thirrur nën armë bandën e tij.

Këto ngjarje e kanë bërë urgjencë kombëtare, dekriminalizimin. A ka vërtetim më të madh se sa zhvillimet e fundit, nevoja që ka vendi për ta pastruar politikën nga krimi? Tani dekriminalizimi po del qartë se nuk është më një procedurë, është vetëm vullnet politik. Po cili duhet ta dëshmojë vullnetin politik. Padrinot e vërtetë që janë sot, njëri i akuzuar për planifikimin e vrasjes, tjetri si bashkëpunëtor pasi ka 5 muaj që është në dijeni të këtij skenari mafioz.

Unë gjej rastin edhe një herë të përshëndes qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë, të aleatëve të çmuar amerikanë dhe Bashkimit Europian, që dje në orën më kritike për demokracinë në vend, dolën dhe thanë shprehimisht se dekriminalizimi duhet të bëhet sa më shpejt.

Nuk mund të ketë gjysëm-dekriminalizim. Ai duhet të bëhet i plotë pa kursyer askënd, sidomos themeluesit e tij. Ishin pikërisht Edi Rama dhe Ilir Meta që e ngjizën paktin me krimin përpara zgjedhjeve të fundit dhe ftuan në aleancën e tyre të gjithë qelbësirat, thjesht e vetëm për të ardhur në pushtet.

Kush i solli në parlament njerëzit e hurit e të litarit?

Kush i solli në parlament mujsharët e punëve të pisëta, që sot po shpallen gjoja armiq, vetëm për interesa personale. Këtë e dëshmojnë edhe vetë deputetët e Partisë Socialiste, të cilët thonë se po kriset një miqësi për kokë, për hesape të sho-shoqit, ku nuk gjendet asnjë gjurmë principi, përveç interesave dhe axhendës private.

Çdo të ishte një dekriminalizim nëse nuk do të pastronte politikën nga etërit krijues të inkriminimit?

Ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kësaj emergjence kombëtare.

Partia Demokratike bëri gjithçka mundi. Ne qëndruam në kauzën tonë edhe përkundër agresionit fizik, përkundër shkeljes së përsëritur të të gjithë të drejtave kushtetuese, përkundër zvogëlimit deri në zhdukje të çdo hapësire. E thamë fjalën tonë deri në fund, e mbajtëm të gjallë kauzën.

Shihni Edi Ramën.

Nuk e ka përmendur as edhe një herë të vetme si fjalë dekriminalizimin. Edhe kur mbarë Europa u trondit nga depërtimi i krimit deri në nivelet më të larta të politikës, edhe kur mbarë Europa u ndërgjegjësua për zgjatimin alarmant vertikal e horizontal të krimit në çdo zyrë të qeverisjes, vetëm një njeri heshti dhe as nuk e nxori një herë të vetme nga goja fjalën dekriminalizim. Dhe nuk ka se si. Nëse nis dekriminalizimi, Edi Rama bie. Krimi dhe lidhjet e tij, janë gjysma e Edi Ramës. Nëse bie krimi, nëse bien lidhjet kriminale, rrëzohet sakaq dhe Edi Rama.

Të dashur qytetarë të vendit.

Shqipëria sot është vënë përfund nga një oligarki e organizuar kriminale. Jemi të gjithë dëshmitarë, se këtu luhen fatet e vendit. A do ta lëmë ne vendin peng të përplasjes së bandave në pushtet?

Unë them jo. Partia Demokratike nuk do ta lejojë. Opozita nuk do ta lejojë. Qytetarët e vendit nuk do ta lejojnë. Ata që kanë hesape janë një minorancë me pushtet e me klane të rrezikshme nga pas. Ata janë subjekt i drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm është sot para një përgjegjësie historike për t’i shërbyer vendit e Kushtetutës. Unë e inkurajoj, ne të gjithë e inkurajojmë për hetim të plotë e të thellë derisa të dalin përgjegjësit para ligjit.

E dimë që ai vetë dhe prokurorët janë nën një kërcënim mafioz por i japim fuqinë e plotë të zemrave dhe shpirtrave të bashkuar të shqiptarëve që presin sot nga ai dhe Prokuroria e Përgjithshme të bëjë detyrën më të lartë përpara sfidës më të rrezikshme me të cilën është përballur ndonjëherë vendi.

Sepse shumica e njerëzve të ndershëm në këtë vend kanë tjetër axhendë nga kjo minorancë mafioze.

Shumica e qytetarëve kanë zgjedhur Europën.

Dhe ne, do ti prijmë kësaj aspirate.

Nuk do të lejojmë askënd të vrasë shpresat, ëndrrat dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Kjo është një betejë që do të luftohet e fitohet me çdo çmim.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 3 Mars 2015