Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vijim të vizitës së tij në Gjermani është takuar me kryetarin e Komisionit për Çështjet e Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum dhe Roderich Kieseëetter, zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU në Komisionin e Punëve të Jashtme, deputetin Thorsten Frei raporter për Shqipërinë, si dhe këshilltari për politikën e jashtme të grupit parlamentar të CDU/CSU, Hans Joachim Falenski, dhe deputetin social demokrat, Dietmar Nietan, anëtar i komitetit për politikë të jashtme në Bundestag.
Situata politike në Shqipëri dhe nivelet alarmante të depërtimit të elementëve kriminalë në strukturat e shtetit, angazhimi i z. Basha për t’i dhënë një ofertë të re Shqipërisë në një situatë të rëndë ekonomike dhe të sigurisë, intensifikimi i bashkëpunimit me CDU, në funksion të përgatitjes së platformës së re të PD dhe avancimit të procesit të integrimit në BE, kanë qënë në qendër të takimit të z.Basha me ligjvënësit gjermanë.
Kryetari i Partisë Demokratike ka shprehur në këtë takim shqetësimin e thellë, jo vetëm për opozitën por për qytetarët shqiptarë, të depërtimit të elementëve kriminalë deri në Kuvendin e Shqipërisë.
Një tjetër shqetësim i shprehur nga z. Basha është skandali që plasi brenda mazhorancës, ku prej më shumë se gjashtë muajsh, kryetari i kuvendit është i akuzuar për vrasjen e dy deputetëve me pagesë, ndërsa kryeministri dhe ministri i brendshëm janë përpjekur ta fshehin këtë ngjarje si nga opinioni publik, ashtu edhe nga procesi i duhur ligjor.
Basha i njohu dy zyrtarët e lartë të qeverisë gjermane me përpjekjet që po bëhen nga pushteti për të penguar hetimin, e për të fshehur të vërtetën, mbi çështjen më të mprehtë të 25 viteve të fundit.
Dorëheqja e kryetarit të kuvendit nga posti i tij, tha zoti Basha është parakusht për t’i hapur rrugën një hetimi të drejtë e të plotë, të painfluencuar nga pushteti.
Çdo ditë, – tha zotit Basha – raportohen skandale të përfshirjes së punonjësve të administratës dhe të policisë në trafik droge, lidhje me elementët kriminalë apo favorizim të tyre, duke mos i ndaluar dhe arrestuar sipas ligjit por duke mundësuar dhe kalimin e tyre në pikat kufitare.
Partia Demokratike – bëri të ditur zoti Basha – ka iniciuar një proces dekriminalizimi, në mënyrë që asnjë person me precedentë kriminalë të mos jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, të mos jetë pjesë e të zgjedhurve vendorë apo e administratës. Përveç nismës për t’i ndaluar me ligj personat me të shkuar kriminale që të kandidojnë apo kandidohen, PD – tha z.Basha do të ketë dhe një komision të posaçëm pranë saj, që do të merret me verifikimin e figurave të përzgjedhura prej saj për të kandiduar në nivel lokal apo qendror.
Kjo iniciativë e Partisë Demokratike është mirëpritur nga ligjvënësit gjermanë të cilët janë angazhuar për ta mbështetur fuqimisht atë si dhe e kanë konsideruar si një sinjal të qartë edhe për partitë e tjera, që të ndjekin një praktikë të tillë. Ndërkohë, duke iu referuar skandalit të përfshirjes së kreut të Parlamentit në skenarë vrasjesh, ligjvënësit gjermanë kanë vlerësuar se mënyra e hetimit të kësaj çështje do të ndikojë në vlerësimin që jepet për fillimin apo jo të negociatave për anëtarësim në BE, me Shqipërinë. Në praktikat europiane, për një akuzë të rëndë, zyrtarët largohen nga posti, për t’i hapur rrugë hetimit. Po kështu, ligjvënësit gjermanë kanë theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes së dhjetorit që lidhet me dekriminalizimin.
Bashkëpunimi me partinë e drejtuar nga kancelarja Angela Merkel ka qenë një tjetër çështje e diskutuar në takimin mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe deputetëve gjermanë. Z.Basha ka marrë mbështetjen e ligjvënësve gjermanë të cilët ashtu si edhe drejtues të CDU do të asistojnë Partinë Demokratike në hartimin e platformës së saj dhe shpalosjes së ofertës së re për shqiptarët e cila do t’i nxjerrë nga kjo situatë e rënduar ekonomike dhe e sigurisë dhe do të pershpejtojë rrugën drejt integrimit europian.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 18 Mars 2015