Nga Elbasani dua t’i drejtoj të gjithë shqiptarëve urimet e mia më të përzemërta për Ditën e Verës, ditën e luleve, ditën e rilindjes së shpresës. Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për shpresë, kanë nevojë më shumë se kurrë për besim, kanë nevojë më shumë se kurrë për një të ardhme për veten e tyre dhe fëmijët e tyre, për një rrugëdalje nga situata e rëndë në të cililën gjendet vendi.
Edhe në këtë Panair, ndonëse kam takuar dhe uruar përzemërsisht të gjitha kompanitë, bizneset pjesëmarrëse, kam prekur zhgënjimin, dëshpërimin, shqetësimin thellësisht të rëndë ekonomik, social, të sigurisë, e të gjithanshëm. Papunësia, varfëria, shtrëngimi i lakut në familjet shqiptare, shtrëngimi i rripit për kryefamiljarët shqiptarë, reflekton në rënien e konsumit, në rënien e investimeve, reflektohet në dobësimin e biznesit vendas, reflektohet në gjendjen e përgjithshme ekonomike e cila nuk ka se si të jetë e ndryshme nga gjendja e përgjithshme e sigurisë. Në këto kushte, unë uroj me gjithë zemër që bashkë me lulet e verës shqiptarët të kenë edhe ofertën e re, shpresën për t’u ndalur nga rruga që çon drejt humnerës për t’u rikthyer në rrugën e zhvillimit, në rrugën e forcimit të ekonomisë, të një të ardhme të sigurtë, të një ekonomie të fortë që hap vende pune, që siguron zhvillim, punësim, mirqënie për të gjithë. Në emër të Partisë Demokratike jam plotësisht i angazhuar që bashkë me demokratët dhe jo vetëm, me gjithë shqiptarët pa dallime politike, t’ia japim këtë ofertë të re Shqipërisë, t’ia japim këtë mundësi shqiptarëve, fëmijëve të tyre, të cilët meritojnë dhe do të kenë një të ardhme më të mirë.
Ashtu si lulet që çelin sot, ashtu çeltë shpresa për çdo shqiptar.
Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 14 Mars 2015