Fakte tronditëse janë zbuluar rreth përfshirjes së zyrtarëve të lartë të policisë dhe qeverisë në fabrikën e kokainës së Xibrakës.
Kolumbiani i njohur si një nga shefat e biznesit kriminal është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, me datën 15 janar të këtij viti, pasi qeni anti-drogë ka konstatuar lëndën e dyshimtë në rrobat dhe në çantën e tij.
Por shumë shpejt, ka mbërritur urdhri nga lart, dhe ai është lënë i lirë. Eshtë lënë i lirë pikërisht ditën e aksionit në Xibrakë, pra me 15 janar, ku u ndaluan një pjesë e trafikantëve, dhe kolumbiani po arratisej ndërkohë.
Të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se shefi kolumbian i drogës, Gilberto Sanabria Hernandez me pasaportë me numër AN 870127, ka kaluar në orën 18 e 26 minuta, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Kjo tregon se Policia jo vetëm kishte dijeni për aktivitetin e grupimit kriminal, jo vetëm e dinte për instalimin e fabrikës së kokainës, por u kishte krijuar edhe lehtësi e mbrojtje personave të përfshirë.
Kjo shpjegon edhe faktin se aksioni i ndalimit dhe i arrestimit, kurseu kapot e vërtetë.
Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të nisë menjëherë hetimin, për lirimin e kolumbianit, pas ndalimit nga policia në kufi. Të hetojë e të zbardhë këtë ngjarje të rëndë, gjë që do të ndihmonte në zbulimin e mekanizmit dhe të kokave të vërteta të trafikut të kokainës.
Pse u lirua kolumbiani?
Kush e dha urdhërin?
Kush fshihet pas fabrikës së kokainës?
Kjo ngjarje tregon se krimi ka depërtuar deri në kupolën më të lartë të policisë dhe të shtetit. Inkriminimi është tronditës, duke krijuar lehtësi e favore për trafikantët ndërkombëtarë të drogës.
Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur Kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kryeministri e ministri i Brendshëm bashkëpunëtorë në fshehjen e ngjarjes për 6 muaj.
Shqipëria do të ecë përpara, vetëm kur të clirohet nga sundimi i krimit në pushtet.
Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Alban Zeneli, 15 Mars 2015