Dorëheqja e kryetarit të parlamentit, Ilir Meta i akuzuar si porositës i vrasjes së dy deputetëve, konsiderohet nga eurodeputetët një akt i detyrueshëm për standartet demokratike. Në përfundim të samitit të PPE, që u mbajt sot në Bruksel, ku mori pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së, Elmar Brok e konsideroi të çuditshëm faktin që kryeparlamentari nuk ka dhënë ende dorëheqjen, në një kohë kur ka nisur një hetim lidhur me akuzat ndaj tij.

“Së pari, është detyrë e autoriteteve shqiptare që të hedhin dritë mbi çështjen dhe të kryejnë hetimin. Nëse ka akuza për kreun e Kuvendit që ai ka urdhëruar dy vrasje, atëherë është Prokurori i Përgjithshëm që hap hetimin dhe në rrethana normale, në këta rast, në një vend demokratik, Kryetari i Kuvendit jep dorëheqjen. Nëse hetimi është në vijim e sipër nga autoritetet shtetërore, atëherë do të ishte e çuditshme të mos jepet dorëheqje”, u shpreh Brok, në një prononcim për mediat.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e drejtuesve të shteteve dhe qeverive anëtare të BE, drejtuesve të institucione të BE, dhe parlamentit europian, në aksionin që ka bashkuar opozitën dhe qytetarët shqiptare, atë të pastrimit të politikës dhe administratës nga personat e inkriminuar. Pas këtij takimi, Basha foli për mediat.

“Pata rastin të informoj të gjithë bashkëbiseduesit për situatën jashtëzakonisht të rëndë në Shqipëri, për mos-iplementimin e marrëveshjes së dekriminalizimit, për skandalin “Doshi-Meta” dhe përpjekjen për të mbajtur të fshehtë për 6 muaj, si një klikë brenda shtetit dhe jo si një shtet ligjor, si dhe për përpjekjen e vazhdueshme për të fshehur të vërtetën, për të trysnuar hetimin dhe për të drejtuar hetimin në hullinë ku dëshiron z.Meta, kryeministri apo ministri i brendshëm”, tha Basha.

Kreu i opozitës shoti se: “Siç mund ta imagjinoni këto ishin jashtëzakonisht shokuese për bashkëbiseduesit që i dëgjonin për herë të parë, të cilët, po kështu si kolegët, bashkëpunëtorët që ishin mjaft të informuar për situatën, konkluduan se një situatë e tillë përbën një rrezik, një kërcënim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre europiane por edhe më gjerë”.

“Ndaj na dhanë mbështetje të plotë dhe të gjithanshme, Partisë Demokratike, mua si kryetar i saj, opozitës dhe aksionit të saj me qytetarët shqiptarë për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm demokratikë për ta kthyer këtë mynxyrë, këtë tragjedi, në një mundësi të artë për ta pastruar politikën dhe institucionet nga krimi dhe personat me rekorde të tmerrshme kriminale. Kjo mbështetje është jashtëzakonisht e rëndësishme, dhe vjen për një çështje që nuk i ndan shqiptarët, nuk i polarizon shqiptarët në të djathtë dhe në të majtë. Siç tregoi edhe protesta e të enjtes së kaluar, siç po tregojnë protestat e përditshme, shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë në thirrjen e dekriminalizimit të politikës shqiptare. Kur them shumica dërrmuese kam parasysh edhe të majtët, të cilët nuk mund të pranojnë që edhe ata, fëmijët e tyre të cilët janë të diplomuar në universitetet normale apo edhe në perendim të mbeten papunë, ndërkohë që krimi dhe kriminelët kapin vendet e punës, si në shtet dhe përmes trafiqeve dhe influencave, pasurohen çdo ditë. Kjo është një çështje e emergjencës kombëtare”, deklaroi Basha.

-A u artikulua në gjirin e Partive Popullore Europiane mbështetja për një hetim ndërkombëtar si edhe për një mundësi për të përfshirë një ekspertizë ndërkombëtare në hetime, dhe dorëheqja e kreut të Kuvendit, ashtu sikundër u kërkua nga disa përfaqësues të Bundestagut për sa kohë hetimi në Shqipëri vazhdon?

Basha: Jo vetëm në Berlin, por edhe këtu në Bruksel, edhe këtu në Samit u diskutua gjerësisht për domosdoshmërinë për të mbështetur besueshmërinë dhe objektivitetin e këtyre hetimeve përmes institucioneve europiane, angazhimin dhe mbështetjen morale në hetimin për të qenë sa më objektiv. Në mënyrë absolute dorëheqja e një personi me pushtet të tillë si kryetar i Kuvendit, u konsiderua një standard europian për t’u përmbushur automatikisht në rastin e një skandali, një akuze kaq të rëndë, si ajo nën të cilën është vendosur Ilir Meta.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Mars 2015