Tirana, Shqipëria, nuk është më e njëjta që prej mesnatës së djeshme, më saktë prej orëve të errëta të mëngjesit. Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur.

Edi Rama ka hedhur në erë çdo garanci për bashkëjetesë demokratike, duke mbyllur me dhunë një grevë studentësh, duke shoqëruar me dhunë në komisariat grevistët e duke i dhunuar në qeli.

Edi Rama ka vendosur pra të mos lejojë protestën, mendimin ndryshe, kundërshtimin e qeverisë së tij. Ka vendosur me dhunë të ndalojë vlerën më themelore në demokraci, oksigjenin e saj, që është e drejta për t’u organizuar, për të shprehur kundërshtimin me qeverinë, për të kërkuar drejtësi.

Grevistët, studentët, nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike.

Janë të rinj që kërkojnë të arsimohen, që kërkojnë të mos diskriminohen nga qeveria.

Këtyre studentëve u është mohuar një e drejtë fondamentale kushtetuese, e fituar me sakrifica të mëdha që më rënien e komunizmit, pasi qeveria ka vendosur një taksë të rëndë, të papërballueshme ekonomikisht nga ata dhe familjet e tyre. Qeveria u ka mbyllur dyert e shkollës.

Prej një viti këta studentë kërkojnë të drejtën e tyre, por janë trajtuar me përbuzje e janë shpërfillur e poshtëruar sistematikisht. Dhe në fund, vendosën të bëjnë grevë urie, sepse zëri i tyre, kërkesa e tyre u refuzua. Ata u refuzuan si qënie humane nga qeveria, por jo rrallë nga shoqëria, e nga media. Të gjithë jemi pak fajtorë para kauzës së tyre të paqortueshme.

Çfarë duan ata?  Duan të studiojnë, ta vendosin vetë të ardhmen e tyre. Duan të ndjekin ëndrrën e tyre, duan të diplomohen, të marrin një profesion, të ecin në rrugën e dijes.

Edi Rama jo vetëm i ndalon, por mbrëmë, në orë 2 e 30 pas mesnate, në errësirën e hajnave e cubave, shfaqet para tyre i dhunshëm, u heq dhe të drejtën për të protestuar, të drejtën për ta kërkuar drejtësinë e mohuar.

A mundet Edi Rama t’u mbyllë gojën mijëra studentëve shqiptare që në një sipërmarrje tërësisht korruptive i ka lënë pa të drejtën e arsimimit. Nuk janë vetëm studentët e Tiranës, por janë dhe të Peshkopisë në protestë që këtë muaj u ndërpritet e drejta e studimit dhe transferohen në Durrës, janë dhe studentët e Elbasanit, Vlorës e Gjirokastrës që nuk paguajnë dot tarifat e dyfishuara.

Për interesat e tij për pushtet, Edi Rama ka bërë grevën e urisë më të kontestuar në historinë e vendit, duke bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e duke penguar integrimin europian të vendit dhe heqjen e vizave për shqiptarët. Sot, përsëri për interesat e tij, ndalon me dhunë, kamzhikë e kallashnikovë, një grevë të drejtë studentësh.

Mbrëmë ishte nata e thyerjes së xhamave në Tiranë. Skalionet e policisë të armatosur rëndë, që kanë harruar ligjin dhe udhëhiqen vetëm nga porositë politike,

thyen dritaret e dyert e godinës,

u futën me dhunë në atë ambjent ku studentët po mbanin gjallë të drejtën e fundit që u kishte mbetur,

i morën zvarrë duke i lidhur duart me fasheta të mprehta plastike,

i përplasën duke i kapur nga flokët, djem e vajza,

I futën në makina private me targa falso,

i goditën dhe në komisariat në qeli, i kërcënuan, i poshtëruan, e çuan deri në fund porosinë e kryeministrin për frikësimi dhe terrorizimin përsëgjalli.

Të paktën 12 prej tyre u vizituan nga deputetët tanë në Spitalin Ushtarak ku po mjekohen. Një pjesë janë dërguar në spitalin civil, shenjat e plagëve i kanë akoma të freskëta.

Ndërkohë gjatë natës, në konspiracion të plotë dhe sipas mësimeve të shkollës së vjetër të Sigurimit të Shtetit, ish-sigurimsat e kthyher në polici nuk jepnin asnjë informacion se ku gjendeshin të rinjtë. Edhe pas kërkesave të vazhdueshme të të afërmve të tyre dhe përfaqësuesve të tyre, ishte e pamundur për të marrë të dhëna.

Deri afër mesditës, studentët nuk e dinin se ku i kishin shokët e tyre, pasi policia u ka marrë mbrëmë edhe telefonat, për të hequr çdo mundësi filmimi apo dokumentimi të aksionit të turpshëm të këtij regjimi gangsterësh.

Partia Demokratike e konsideron këtë akt, një sulm danditesk të paligjshëm.

Partia Demokratike, fajëson e bën direkt përgjegjës Edi Ramën për konliktin civil që e ka nisur prej ditës së parë si kryeministër, e që mbrëmë shënoi një kulm tjetër.

Unë angazhohem sot para jush, para opinionit publik, në emrin tim, në emër të Partisë  Demokratike, në emër të opozitës, në emër të standardeve demokratike europiane, më emër te ligjit demokratik se do të bëjmë drejtësi;  secili prej dhunuesve me uniformë shtetërore, nga zbatuesit në errësirën e hajnave e cubave, e deri tek urdhëruesit, ministri e shefi i tij do të përgjigjen deri në fund për dhunimin e poshtërimin që u kanë bërë të rinjve.

Përsëris kërkesën time drejtuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës ndaj studenteve.

Ne jemi e do të jemi në krah të tyre, derisa kauza e tyre e drejtë të triumfojë.

Demokracia nuk do të ndalet me urdhër të askujt, aq më pak të Edi Ramës.

I kujtoj atij sot, se në historinë 25 vjeçare të vendit nuk ka pasur njeri në këtë vend, sado i sëmurë në papërgjegjshmërinë e tij, që t’ia dilte t’u mbyllte gojën studentëve. Me aktin e djeshëm, ai jo vetëm që ka minuar themelet e bashkëjetesës demokratike por vetë legjitimitetin e tij si kryeministër, me guximin për të bërë me studentët atë që nuk guxoi Ramiz Alia, ka vulosur fatin e tij më keq së të Ramiz Alisë.

Revolta ka pushtuar çdo qytetar, këtë revoltë nuk ka dhunë që ta ndalë. Largimi i kësaj qeverie nga pushteti, është zgjidhja e vetme për vendin dhe qytetarët.


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 1 Mars 2015