Duke e konsideruar këtë një shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon kryetarit të kuvendit të përfshijë në seancën e së enjtes më 5 mars, interpelancën urgjente me kryeministrin.
“Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për përsëritjen e vazhdueshme të dhunimit të të drejtave të shqiptarëve, nëpërmjet përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik mbi punën e kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit”, thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë.
Kërkesa është bazuar në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Një Kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë mund të kërkojë zhvillimin e një interpelance për çështje urgjente”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë nga Kryeministri për rrahjen e dhunimin brutal të studentëve, të rinjve e të rejave, natën e 28 shkurtit duke u gdhirë 1 marsi.
Njoftim për shtyp, 2 Mars 2015