Godina e Partisë Demokratike në Elbasan është dhunuar mbrëmë, dyert e të gjithë ambjenteve janë shqyer dhe zyrat janë bastisur.
Ky është një rast i përsëritur i dhunimit të zyrave të Partisë Demokratike dhe është një sulm në prag të zgjedhjeve lokale.
Kjo goditje është qartazi e frymëzuar nga politika dhe retorika antiopozitë e dyshes Rama-Meta, të cilët e kanë nisur mandatin e tyre duke nxitur dhe porositur dhunë ndaj opozitës.
Kjo klimë terrori e krijuar në gjithë jetën e vendit edhe ndaj opozitës, është shenjë e dëshpërimit dhe humbjes së llogjikës të dyshes Rama-Meta, për shkak të spirales kriminale ku janë zhytur, dhe për shkak se kanë dalë lakuriq, të dy, në sytë e popullit, me lidhjet e tyre me botën e mafias, të larjes së hesapeve dhe përplajses mes bandave të tyre.
Këto në fakt janë shenjat e agonisë së pushtetit të tyre.
Kur sulmohet opozita, kur agresohen përfaqësuesit e saj, kur dhunohen mjediset e zyrat e saj, kemi të bëjmë me një pushtet në kaos, që kërkon të zgjasë ditët duke u bazuar te dhuna dhe duke goditur opozitën.
Dhuna dhe metodat banditeske nuk kanë qënë, dhe kurrë nuk do të jenë zgjidhje.
Ato kanë qënë dhe do të jenë gjithnjë, tregues të kaosit dhe dritshkurtësisë që shkakton frika e largimit nga pushteti.
Demokratët e Elbasanit e të gjithë Shqipërisë janë më të bashkuar se kurrë.
Qytetarët e vendit janë ngritur në këmbë, dhe ia kanë bërë të qartë dyshes Rama-Meta, se nuk i pranonjnë më zullumet e tyre, se nuk pranojnë më të sundohen nga krimi dhe mafja në pushtet.
Ora e drejtësisë dhe e ligjit po vjen.
Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, 19 Mars 2015