Faktori ndërkombëtar, institucionet europiane, kanë 10 ditë që shprehen qartë, për ata që kanë vesh të dëgjojnë, që kanë sy të shikojnë dhe mendje të kuptojnë, dhe shqiptarët besoj nuk mund të merren për budallenj. Ka folur Parlamenti Europian, përmes europarlamentarëve Dan Preda dhe Plenkoviç. Kanë folur parlamentarët e Bundestagut z.Krichbaum, kryekomisioneri i çështjeve europiane në Berlin z.Kiesewetter, ish-reporter për Shqipërinë, njohës shumë i mirë i vendit tonë dhe i rajonit. Dje foli Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian z.Elmar Brok. Çfarë kanë thënë?! Atë që ka thënë opozita, atë që pret çdo qytetar, për akuzat më monstruoze që mund të jenë bërë në këto 25 vite, akuza të cilat vijnë nga gjiri i mazhorancës, jo nga opozita; se Kryetari i Kuvendit, numri dy i Republikës së Shqipërisë, ka parapaguar dhe ka porositur vrasje, për këtë akuzë duhet të ketë një hetim të plotë profesional dhe të besueshëm.
A mund të ketë një hetim të plotë profesional dhe të besueshëm kur ndaj Prokurorisë, ndaj hetimit mbahet një qendrim pengues për të fshehur të vërtetën, për të trysnuar hetimet, për të intimiduar apo bërë qesharak Prokurorinë siç ka ndodhur në bllok nga Kryeministri, tek Kryetari i Kuvendit, tek Ministri i Brendshëm?! Absolutisht jo. Prandaj çështja është shtruar tashmë si një standard, si një standard europian, që do të thotë dorëheqja e Ilir Metës nga Kreu i Kuvendit është një parakusht për zhvillimine hetimeve normale, hetimeve të besueshme.
Ne gjithmonë kemi kërkuar, që nga momenti i parë, dhe kërkojmë, që me aktin e dorëheqjes, Ilir Meta t’i hapë rrugë hetimeve, t’i japë një shans të vërtetës. A do dalë apo jo e vërteta në shesh kjo varet nga disa faktorë. Por që e vërteta nuk do të dalë dhe nuk mund të dalë në shesh kur i akuzuari është numri dy i vendit, kur ngjarja ka gjashtë muaj që mbahet e fshehtë, kur ka përpjekje për t’ia faturuar ngjarjen opozitës, përpjekje për ta redikulizuar akuzën, ngjarjen, kur ka përpjekje për të trysnuar Prokurorinë, kur ka përpjekje për të drejtuar hetimin në një hulli të paracaktuar nga vetë krerët e shumicës, natyrisht që në këto kushte nuk mund të ketë dhe nuk ka hetim objektiv, nuk mund të ketë dalje të së vërtetësh në shesh. Nuk mund të ketë besueshmëri, asnjë shqiptar, as i djathtë as i majtë nuk mund të besojë dhe ka të drejtë të mos besojë në një hetim i cili kryhet në këto kushte.
-Z.Basha, LSI e ka cilësuar si një përdorim politik të z.Elmar Brok, të paktën prononcimin e tij të djeshëm.
Nuk merrem me komente të tilla bajate. Këto tregojnë një nivel dëshpërimi dhe paniku i cili meriton një analizë më vete. Ne nuk kemi ngritur gishtin e akuzës për të përcaktuar vrasësin apo vrasësit në këtë aferë. Akuzën e kanë ngritur vetë deputetët e mazhorancës, në gjirin e kësaj mazhorance, të fuqishëm deri dje, që drekonin dhe darkonin me Ilir Metën dhe Edi Ramën. Ne kemi thënë që organi i akuzës duhet të hetojë. Duhet të hetojë në mënyrë të papenguar dhe objektive këto akuza dhe kemi thënë atë që thonë edhe institucionet europiane, që një hetim i tillë është tërësisht i pamundur, kryekëput një utopi nëse personi i cili është akuzuar për këto vrasje vazhdon të kryejë dhe të ushtrojë pushtetet e numrit dy në vend. Ndaj i kemi bërë thirrje Ilir Metës të dorëhiqet, të vihet në dispozicion të hetimit. Është një hetimi tillë që mund të zbardhë të vërtetën,. Çdo përpjekje tjetër, çdo hetim, ndërkohë që Ilir Meta është Kryetar i Kuvendit, ndërkohë që Edi Rama flet me aktet e tij politike të trysnisë apo flet dhe me heshtjen e tij, duke miratuar presionin ndaj hetimit, diskretiton hetimin.
Çështja është se Shqipëria nuk mund të pranojë, Shqipëria nuk mund të mbajë më një skandal të tillë. Ky shtet është tepër i dobët për të mbajtur në themelet e tij një skandal ku Kryetari i Kuvendit akuzohet për vrasje, ku kryeministri dhe ministri akuzohen për fshehje, për bashkëveprim në fshehjen e krimit, dhe ku organeve të drejtësisë, duke filluar me Prokurorinë, I mohohet, siç i mohohet faktikisht, mundësia për të hetuar.
Nuk mundet Republika e Shqipërisë të vazhdojë të ekzistojë si një shtet normal në këto kushte. Ky është tritol në themelet e shtetit ligjor. Çfarë presim ne, përsa i përket besueshmërisë së institucioneve?! Çfarë presim ne, përsa i përket respektit të institucioneve nga qytetarët shqiptarë nëse krerët më të lartë të vendit, Kryetari i Kuvendit, kryeministri, janë bërë bllok për të penguar hetimin objektiv dhe të besueshëm të kësaj ngjarjeje?! Ndaj kërkesa jonë është ultimative dhe e pandryshueshme. Ilir Meta duhet të largohet nga posti i Kryetarit të Kuvendit deri në përfundimin e hetimit. Çdo hetim që kryhet me Ilir Metën në postin e Kryetarit të Kuvendit ka zero vlerë.
Së dyti, kemi kërkuar dhe mbështesim një përfshirje të institucioneve europiane në ndihmë të hetimit. Edhe si një xhest moral, mbështetje morale për Prokurorinë, për drejtësinë, e cila jo në Shqipëri, po në asnjë vend tjetër të Europës , madje të Botës, nuk mund të veprojë normalisht nëse ka një presion të tillë nga çifti më i pushtetshëm në vend, Kryeministër e Kryetar Kuvendi. Por po kështu, edhe si një parakusht për një hetim objektiv i cili mund dhe duhet të përfitojë nga një nga eskpertiza europiane siç përfitojnë sot e gjithë ditën organet e drejtësisë në Kosovë, siç po kërkojnë të përfitojnë edhe organet e drejtësisë të Maqedonisë apo të vendeve të tjera, ku natyra e akuzave është tepër e rëndë për ti besuar verbëriesht një prokurorie që është nën presion politik.
-Z.Basha, përveç kësaj çështje, sa është gati Partia Demokratike për zgjedhjet e 21 qershorit?
Para se të kalojmë në zgjedhjet e 21 qershorit, dua të theksoj se çështja, skandali “Doshi-Meta” është pjesë e një dosje shumë më të madhe dhe shumë me shqetësuese për parnrerët ndërkombëtarë, që është dosja e dekriminalizimit. Dekriminalizimi është një proces ku mazhoranca u angazhua të bashkëpunojë me opozitën për të cilin është ngritur një komision. Opozita ka vullnetin për ti shkuar deri në fund këtij procesi. Pa një proces të dekriminalizimit të politikës, pa ndarjen e krimit nga vendimmarrja e lartë politike, nuk mund të ecet përpara në asnjë rrafsh; as në zgjedhje lokale, as në reformën në drejtësi dhe as në ndonjë reformë tjetër për të cilat vendi ka nevojë për të përmirësuar gjendjen e papranueshme të pasigurisë, për të reformuar ekonominë, për të krijuar mundësinë për zhvillim ekonomik që hap vende pune dhe siguron mirëqenie. Asgjë nga këto nuk mund të ecën përpara. Shikoni se çfarë ndodh. Numri i atentateve me eksploziv rritet në mënyrë të papranueshme. Numri i vjedhjeve, i grabitjeve, i tentativave ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve rritet. Pse?! Sepse krimi në krye të shtetit është një sinjal i fortë për krimin në tërësi. Ndaj ne duhet të zgjidhim patjetër problemin e krimit të veshur me pushtet dhe të pushtetit të veshur me krim, duke nisur me përgatitjet për zgjedhjet lokale. Nuk mund të pranojmë që në zgjedhjet lokale të garojnë njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale. Ne kemi detyrime ndaj shqiptarëve të krijojmë instrumentat ligjorë dhe institucionalë për të përjashtuar pa asnjë dilemë të gjithë pushtetarët që kanë rekorde kriminale të natyrës së krimit të organizuar, nga çdo organ vendimmarrës i Shqipërisë, administratë, pushtet lokal, apo parlament si dhe për të parandaluar në të ardhmen depërtimin e këtyre elementëve kriminalë në sferat e vendimmarrjes politike në Shqipëri.
Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të angazhuar që këtë proces ta finalizojmë me çdo çmim. Uroj dhe shpresoj që këtë kërkesë tonën që është kërkesa e shumicës dërmuese të shqiptarëve, që është insistimi i institucioneve europiane, që është prioriteti numër një për integrimin europian të Shqipërisë, shumica ta trajtojë me seriozitet, të tregojë vullnet, bashkëpunim në komisionin e dekriminalizimit, në miratimin pa vonesë të kuadrit ligjor që do të bëjë të mundur largimin nga Parlamenti shqiptar dhe nga administrata shqiptare të personave me rekorde të tmerrshme kriminale të krimit të organizuar, trafikantët, kodoshët e prostitucionit, persona të kërkuar apo të dënuar për vrasje, në lidhje me trafikun dhe t’i hapë rrugë bashkëpunimit që duke nisur nga zgjedhjet e ardhme lokale dhe akoma më e rëndësishme, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shqiptarët të shohin në garat për këto poste drejtuese njerëz me integritet. Njerëz që përfaqësojnë aspiratat më të mira të komunitetit, që gëzojnë reputacion dhe besim dhe po kështu, japin garanci se përfaqësojnë më të mirën në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo më të keqen e këtij vendi.
-Z.Basha, po ju a i keni gati kandidatët për zgjedhjet lokale?
Procesi i diskutimit të kandidaturave në të gjithë vendin është hapur. Një gjë është e sigurtë. Në partinë Demokratike, nga java e ardhshme do të ngrihet edhe Komisioni i Integritetit i cili do të ketë detyrë eksluzive kalimin në sitë të çdo kandidature për anëtarë të këshillit apo për kryetar të njësive të pushtet vendor, për të parandaluar në bashkëpunim me sa mundemi me kuadrin aktual ligjor, edhe me institucionet e vendit, pra për të parandaluar depërtimin e çdo personi me rekorde të tmerrshme kriminale. E kam thënë dhe e përsëris. Partia Demokratike është shtëpia e madhe e lirisë, e hapur për këdo. Absolutisht për këdo që ndan vlerat tona. Të vetmit që nuk kanë vend në këtë shtëpi dhe nuk do të gjejnë strehë dhe rehat në këtë shtëpi, janë njerëzit e krimit dhe njerëzit e botës së krimit.
-Z, Basha, a keni nisur negociatat me aleatët?
Ne jemi në një proces diskutimesh me aleatët në mënyrë të vazhdueshme. Në kuptimin formal, besoj se do të ulemi në ditët apo në javët e ardhshme për të formalizuar paktin e aleancës tonë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
-Po për Tiranën?
Partia Demokratike i ka të përcaktuara qendrimet dhe është e hapur për aleancë me këdo që e shikon veten në opozitë me këtë qeveri. Sigurisht e kam thënë dhe e them, asnjë parti s’mund të zgjedhje të bëjë edhe opozitën edhe aleatin e e qeverisë.
-Në Tiranë do t’u shohim ju sërish kandidat?
Për Tiranën qëndrimin tim do ta bëj publik shumë shpejt.
Prononcim për mediat i kryetarit të PD, Lulzim Basha, 20 Mars 2015