-Z. Basha, një prononcim për zhvillimet e pasdrekës ku kemi një kërkesë nga Prokuroria për autorizim nga Kuvendi për arrestimin e dy deputetve Doshi dhe Frroku.

Për ne ky nuk vjen si një hap i papritur. Kemi paralajmëruar që prej ditës së parë se me Ilir Metën Kryetar Kuvendi e vërteta nuk ka asnjë shans, drejtësia shqiptare, Prokuroria shqiptare nuk kanë asnjë mundësi të zbardhin të vërtetën, as unë, por besoj asnjë shqiptar nuk beson se e vërteta mbi këtë çështje, mbi këtë skandal, mund të dalë në dritë, ndërkohë që i akuzuari kryesor vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy në vend, prandaj nga kjo pikëpamje, ajo që ka ndodhur është ajo që porositi kryeministri Rama , z. Meta, dhe që paralajmëroi Sajmir Tahiri, një mbyllje të shpejtë të hetimit. Pyetjet mbeten. Nëse rama, Meta, Tahiri e dinin këtë prej 6 muajsh, përse nuk e bën këtë para 6 muajsh? Pse nuk kërkuan transparencën para 6 muajsh, meqë çështja do të mbyllej? Pse e lanë Fation Skënderaj të largohej për në Gjermani kur ishte në listën e të kërkuarve dhe shkuan pastaj dhe e rikthyen vetë? Ka shumë pse. E sotmja, veprimi i sotëm, vetëm i shton pse-të, veçanërisht në një kohë kur thirrjet e faktorit ndërkombëtar, për një hetim të besueshëm, dhe për hapjen rrugë të hetimit përmes largimit nga posti i numrit dy, Ilir Metës, janë shtuar. Vijnë pra këto hapa në kohën kur kërkesa për dorëheqjen e Ilir Metës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, është një kërkesë që është intesifikuar, ndaj e sotmja nuk zgjidh asgjë, shton pikëpyetjet dhe vërteton atë që ne iu kemi thënë shqiptarve, që sa kohë, që i akuzuari kryesor në këtë aferë vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy, në bashkëpunim me numrin një të ekzekutivit, e vërteta do të mbetet e strukur.

-Z. Basha, vetëm pak minuta më parë, Ambasada Amerikane përshëndeti vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Komenti juaj për këtë çështje?

Unë përshëndes çdo vendimn të institucioneve të vendit që nuk pengohen për të trajtuar të barabartë përpara ligjit këdo. Sepse ne jemi Parti e shtetit ligjor. Partia Demokratike është themeluar dhe do të jetë përgjithmonë parti e shtetit ligjor. Eshtë e paimagjinueshme për ne që të bllokojmë, të hedhim çdo hap që mund të bllokonte hetimet. Hetimet duhet të bëhen të plota. Çdokush përgjegjës për këtë aferë duhet të japë llogari përpara drejtësisë, ndaj dhe e kemi nisur dhe do e vazhdojmë me një mbështetje të plotë për drejtësinë që të bëjë punën e saj pa u ndikuar, por kjo nuk ka për të ndodhur, nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë, për sa kohë që i akuzuari kryesor do vazhdojë të ushtrojë pushtetin e numrit dy në vend.

-A do të vazhdojnë protestat e Partisë Demokratike?

Protestat e Partisë Demokratike dhe të qytetarëve shqiptarë do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Do të vazhdojnë për kauzën e dekriminalizimit, një kauzë të cilën akoma nuk e ka shqiptuar, as Ilir Meta, as Edi Rama, dhe s’kanë si ta shqiptojnë. Sepse kjo që bëjnë sot është një larje hesapesh midis Ramës, Metës, Tahirit, Doshit dhe Frrokut. Por kjo aferë shkon përtej këtyre 5 individëve apo atyre 12-13 të tjerëve me rekorde kriminale në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk janë pazaret e tyre të pista të para 23 Qershorit dhe të pas Gushtit të vitit të kaluar, për të cilat jemi ngritur në protesta. Eshtë kauza e shqiptarëve që përbashkon të majtë e të djathtë, është kauza e pasigurisë sepse krimi është ngritur në sistem. Eshtë kauza e arbitraritetit dhe padrejtësisë që po merr jetë të pafajshme njerëzish sepse krimi është ulur në poltronet e shtetit. Eshtë kauza e papunësisë, e varfërisë, e mjerimit. Eshtë e papërgjegjshmërisë, e rritjes së çmimit të energjisë për çdo shqiptar, kur premtuan uljen, dhe rritjes së taksave për çdo shqiptar, kur premtuan uljen për shumicën e shqiptarëve. Pse?! Sepse papërgjegjshmëria është ulur në prehrin e krimit dhe krimi është ulur në poltronin e pushtetit. Prandaj ne do ti bëjmë thirrje shqiptarëve të bashkohen më shumë dhe më fortë se kurrë në thirrjen tonë për të shndërruar sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, duke filluar nesër me Durrësin, nis institucioni suprem i sovranitetit në kushtet e mosfunksionimit të Kuvendit, në kushtet e kriminalizimit dhe kapjes së institucioneve, në kushtet e braktisjes së qytetarëve nga qeveria Rama-Meta.

-A do të vijoni me kërkesën e dorëheqjes së z Meta?

Pa pikë dyshimi po. Se si mund ti shërbejmë të vërtetës ndërkohë që i akuzuari kryesor bashkë me aleatin e tij kryeministër po bëjnë çdo përpjekje për ta mbuluar të vërtetën, përveçse me dorëheqjen e tij nuk shoh asnjë rrugë tjetër.

-A do ta votoni heqjen e imunitetit të dy deputetëve?

Për këtë e morët përgjigjen. Ne jemi parti e shtetit ligjor. Eshtë e paimagjinueshme për ne të bllokojmë hetimin. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

-Po nëse z.Meta nuk jep dorëheqjen?

Ua dhashë përgjigjen. Protesta.


Prononcim për mediat e kryetarit të PD, Lulzim Basha, 20 Mars 2015