Parlamenti dhe demokracia kanë pësuar goditjen më të rëndë të këtyre 25 viteve, kur Kryetari i institucionit më të rëndësishëm në vend, gjendet nën akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve.
Megjithëse janë bërë 16 ditë që Ilir Meta gjendet publikisht nën akuzën më tronditëse të dy dekadave të fundit, ai jo vetëm nuk ka reflektuar, nuk ka dhënë dorëheqjen për t’i hapur rrugën drejtësisë, por në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën, me Saimir Tahirin dhe gjithë strukturat shtetërore që kanë në dorë, po i bëjnë presion prokurorisë, dëshmitarëve kyç, po tentojnë fshehjen e të vërtetës.
Partia Demokratike nuk do të lejojë që republika jonë të bjerë, që ky atentat ndaj ligjit, ndaj hetimit, ndaj drejtësisë, të ndodhë.
Bashkë me qytetarët, me 12 mars, treguam njëzëri se kjo është kërkesa jonë, kërkesa legjitime e mbarë vendit e mbarë shqiptarëve, që Ilir Metatë dorëhiqet, e Edi Rama të mbajë duart larg hetimit, në mënyrë që të kemi një proces të plotë, të drejtë, të painfluencuar nga pushteti.
Nesër që në 9 e 30 të mengjesit, bashkë me qytetarët e vendit, do ta ritheksojmë edhe një herë kërkesën tonë në dyert e Parlamentit. Ne nuk tëndalemi, derisa të ketë drejtësi, derisa të ketë ligj, derisa të zbardhet e vërteta.
Ilir Meta nuk është më “de fakto” kryetar i parlamentit, asnjë qytetar i vendit nuk e njeh për të tillë. Ai e mban karrigen e numrit dy të vendit kundër vullnetit të popullit, vetëm e vetëm për të penguar hetimin, për të fshehur ngjarjen, e për të diktuar përfundimet që ai dëshiron.
Kërkesa e qytetarëve sot është të kemi hetim të plotë, objektiv dhe të drejtë.
Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike.
Ne do ta çlirojmë vendin nga sundimi i krimit.
Nesër në orën 9 e 30 të mëngjesit, bashkë me të gjithë qytetarët që janë kundër krimit e padrejtësisë, që nuk duan që këtë vend ta sundojë krimi e terrori, të protestojmë në dyert e Parlamentit.
Deklaratë për shtyp e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, 18 Mars 2015