Siç e shihni, kemi një kryeministër që bredh nga Prokuroria në Gjykatë, jo thjesht sepse nuk ka punë si kryeministër, por sepse po përpiqet me çdo kusht për dy gjëra. Së pari, të legjitimojë inkriminimin e administratës shtetërore, duke filluar nga Parlamenti dhe së dyti, t’u mbyllë gojën jo vetëm mediave por edhe opozitës. E gjithë çfarë po ndodh në sy të opinionit publik, synon vetëm kaq. Tashmë besoj se gjithë qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për lidhjet që kjo qeveri ka me krimin. Çdo ditë e më shumë janë faktet publike që e vërtetojnë këtë. Kryeministri është koka e kësaj qeverie, është koka e lidhjes të kësaj qeverie me krimin. Absolutisht duke filluar që nga afera më e fundit, që duket qartazi se kemi të bëjmë me një kupolë mafioze dhe jo me një kupolë të një shteti normal, flas për çështjen e quajtur tashmë “Doshi”. Duket se të gjitha përpjekjet e kësaj qeverie, të këtij kryeministri shkojnë vetëm për mbulimin, për mbylljen e çështjes, ashtu siç është bërë për 6 muaj me rradhë dhe në vazhdim. Pra, edhe njëherë e përsëris, kemi të bëjmë tashmë me një fakt të njohur botërisht që kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe absolutisht nuk mund ta ndryshojë këtë asnjë vendim apo asnjë qendrim të kujtdo tjetër.

-Z. Paloka, u fol brenda në seancë për një provë konkrete që kishte të bënte me një vendim të Gjykatës Administrative që nuk ishte apeluar nga avokatura e shtetit. Mund të na thoni konkretisht për kë anëtar të bandës bëhet fjalë?

Së pari, provat do ti paraqesë avokati në seancën tjetër gjyqësore. Të jeni të bindur që kemi më shumë se aq prova dhe po ju bëj të ditur sot publikisht që në seancën tjetër do t’i kërkojmë Gjykatës të na vërë në dispozicion përveç provave që ne do të paraqesim dhe tabulatet e kryeministrit, tabulatet e telefonit të kryeministrit, si provë direkte që do tregojë edhe lidhjet direkt që ky kryeministër ka me individë apo me banda të caktuara.

-Në çfarë periudhe?

Do t’ia bëjmë të qarta gjykatës më vonë në periudhën, që kryeministri mos të fillojë të fshijë që sot e mos të përdorë pushtetin e tij si kryeministër, siç po përpiqet ta përdorë edhe në Gjykatë. U përpoq herën tjetër, vuri nën presion Gjykatën, duke kërcënuar haptazi se nëse nuk dënohet Edi Paloka atëherë ju, i tha Gjykatës, po largoni kryeministrin e vendit nga posti i tij. Ky është presion direkt siç bëri edhe sot në pjesën e dytë të seancës gjyqësore ku përsëri, pasi fyeu para Gjykatës palën tjetër, prapë vendosi, dha vendimin për atë që kjo Gjykatë e nderuar duhet ta japë në fakt, mbasi të mbarojë procesi gjyqësor. Kryeministri e dha vendimin që sot dhe tha që nga sot nuk do të paraqitet më, duke treguar edhe njëherë se vetëm fjalën nuk di ta mbajë, sepse siç e dini edhe ju deklaroi këtu se do të jetë i pranishëm në çdo seancë. Siç duket, seanca e sotme nuk i pëlqeu, më tepër nuk do i pëlqejnë seancat e tjera, dhe sidoqoftë do të përballet me drejtësinë sot, nesër dhe në çdo moment që do të jetë. Ka ardhur sot si denoncues, ka vajtur në Prokurori si person që ka dijeni, shumë shpejt do të vihet si i akuzuar para bankës së drejtësisë.


Prononcim për mediat i Kryetarit të Grupit Parlamentar Edi Paloka, pas seancës gjyqësore me kryeministrin, në Gjykatën e Lartë, 9 Mars 2015