Kërkesa e Prokurorisë lidhur me dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ka dy anë, ka dy aspekte. Aspektin e saj formal procedurial dhe aspektin e përmbajtjes. Lidhur me aspektin formal procedurial, Partia Demokratike, në mënyrë koherente, ka qenë gjithmonë në favor të kërkesave të Prokurorisë për çdo anëtar të Kuvendit, në mënyrë që ata të shkojnë para drejtësisë si çdo qytetar i këtij vendi. Ky ka qenë një qëndrim koherent prej dhjetë vjetësh i Partisë Demokratike. Madje tre vjet më parë, ka qenë Partia Demokratike që ka propozuar një ndryshim kushtetues, sipas të cilit çdo deputet duhet të kishte të njëjtin standard për t’u gjykuar në mënyrë të barabartë si çdo qytetar i lirë i këtij vendi dhe ka qenë Partia Socialiste që e ka refuzuar. Në rast se Partia Socialiste do ta kishte pranuar në atë kohë amendamentin kushtetues, sigurisht që sot, nuk do kishte fare nevojë as për kërkesë të Prokurorisë për t’ia dërguar Parlamentit dhe as që të mblidhej ky Këshill. Standardi i Partisë Demokratike ka qenë një standard europian, pro hetimit, në mënyrë koherente dhe të qëndrueshme. Një standard që shkon drejt sundimit të ligjit, një standard që shkon drejt funksionimit të institucioneve demokratike në mënyrë që insitucionet të jenë të besueshme, por po ashtu edhe hetimi që del nga këto institucione të jetë i besueshëm. Kaq, përsa i përket anës formale proceduriale të kërkesës së Prokurorisë.

Lidhur me anën e përmbajtjes, Partia Demokratike e ka bërë të qartë, se ajo dhe gjithë qytetarët shqiptarë e shohin këtë çështje si një përpjekje farsë për të mbyllur një orë e më parë çështjen ndaj Kryetarit të Kuvendit. Partia Demokratike e ka theksuar se çështja nuk ka filluar në datën 3 mars 2015. Çështja ka filluar 6 muaj më parë, kur Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, respektivisht Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, shmangën Prokurorinë për 6 muaj dhe në datën 3 mars 2015, kur Prokuroria filloi çështjen, ata dolën njëri pas tjetrit dhe u thanë shqiptarëve se këtu çështje nuk ka. Ndaj dhe për Partinë Demokratike dhe për gjithë shqiptarët është e qartë, se një hetim i kësaj afere, i kësaj çështje të numrit dy të shtetit dhe numrit një të ekzekutivit, nuk mund të jetë i besueshëm, për aq kohë sa numri dy i shtetit mban postin. Ai duhet të shkojë para drejtësisë ashtu si çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi, pa funksionin e Kryetarit të Kuvendit. Ndaj dhe qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë, ai do vazhdojë të jetë i njëjtë. Ne kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të japë dorëheqjen, të shkojë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë, në mënyrë që hetimi i Prokurorisë të jetë i besueshëm dhe i pranueshëm për Partinë Demokratike dhe për gjithë qytetarët.


Prononcim për mediat i deputetit të PD, Eduard Halimi, 21 Mars 2015