-Të rinjtë shqiptarë janë reshtuar të parët për t’i thënë jo krimit në krye të qeverisë.

-Shqiptarët do të çohen kundër tiranisë së varfërisë, për ti thonë jo një qeverie të lidhur me krimin.

-Le ti themi Shqipërisë tonë të dashur, na jep më të mirët e tu, të rinjtë dhe të rejat, demokratë dhe socialist, ta pastrojmë politikën njëherë e mirë nga krimi.

-Qindra e mijëra shqiptarë që të dalin nesër në Sheshin Skëndërbej, në orën 11:00, është aspirata e një populli të tërë për ti thënë jo krimit në krye të qeverisjes, për ti thënë jo mafias në pushtet dhe bashkë me ne janë aspiratat e çdo shqiptari.

-Nesër shqiptarët do të ushtrojnë të drejtën e tyre për një protestë madhështore, paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit.

-Nesër është ora e përballjes, me një qeveri që erdhi me premtime të mëdha dhe jo vetëm që nuk i mbajti ato premtime, por e zhyti vendin në mjerim.

-Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re, rinia shqiptare ka nevojë për një ofertë të re dhe unë ju jap fjalën se rinia shqiptare jo vetëm do ta ketë këtë ofertë të re por do të jetë pjesë e pandashme e kësaj oferte.

Përshëndetje dhe përqafime të përzemërta për gjithsecilin për ju në këtë sallë e për mijëra e mijëra të rinj jashtë kësaj salle.

Flamurtarët e betejës për demokracinë, për shtetin ligjor, për dekriminalizimin.

Të dashur të rinj dhe të reja. Jam i prekur dhe i emocionuar nga ky entuziazëm sepse në këtë orë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, çdokush ka nevojë të lexojë besimin tek e nesërmja që e pret Shqipërinë siç është sot në fytyrat tuaja, në fytyrat e rinisë shqiptare.

Ju jeni të parët, të parët që u rreshtuat në këtë betejë. Një betejë që nuk na ndan në të majtë e të djathtë por na bashkon të gjithë shqiptarët. Shqiptarët që kanë vendosur ti thonë jo, boll më krimit në krye të qeverisë. Kanë vendosur ti thonë jo terrorit, pasigurisë, tritolit dhe tritolpolitikës. Kanë vendosur ti thonë jo padrejtësisë që merr jetë njerëzish, largimeve të padrejta nga puna, faturave të papërballushme dhe shpesh abuzive të energjisë.  Laku që shtrëngohet çdo ditë në fytin e më të pamundurve, në fytin e prindërve tuaj, vëllezërve dhe motrave tuaj më të mëdhenj. Kanë vendosur ti thonë jo një qeverie që rrit taksat por pakëson shërbimet, që vjel më shumë të ardhura nga shqiptarët por që në vend ti destinojë ato për shqiptarët i kthen ato në skema korrupsioni galopant për të mbushur trastat dhe xhepat e qeveritarëve të korruptuar.

Ju jeni bërë këto ditë zëri dhe shpresa e një Shqipërie e cila po rënkon nën thundrën e tiranisë së varfërisë, tiranisë së pamundësisë, e cila jo vetëm shtrydh çdo kacidhe nga xhepat e kryefamiljarëve e prindërve tuaj por mundohen të shtrydhin shpresën. Ti shtyjnë shqiptarët drejt dëshpërimit më të madh e deri drejt largimit nga vendi i tyre, largimit nga shtëpitë e tyre. E pra ju jeni bashkuar këto ditë siç do të bashkohen shqiptarët nesër në manifestimin më madhështor, në një marshim proteste për ti dhënë shkaktarëve të kësaj gjendje një mesazh të fortë, për ti treguar me zërin e lartë të bashkimit të shqiptarëve, mesazhin se punëdhënësit e qeverisë janë qytetarët, se janë qytetarët që kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveria që kontrollon qytetarët, se janë njerëzit e këtij vendi që kontrollojnë politikën dhe jo politika që kontrollon njerëzit.

Si kemi ardhur në këtë orë të zezë për ekonominë e vendit, për sigurinë e vendit, për mirëqënien, për shanset për punësim ?! Si kemi ardhur në këtë orë të zezë ?! Kemi ardhur për shkak të një politike dhe qeverie të papërgjegjshme. Këtë e dimë të gjithë. Por ajo që kemi dëgjuar 10 ditët e fundit sfidon edhe fantazinë më të shfrenuar, të shqiptarëve dhe europianëve. Kemi parë, kemi dëgjuar nga gjiri i mazhorancës për përpjekje për likujdime, jo me aktorë siç i pëlqen të thotë kryeministri klloun por me vrasës serialë, me vrasës të njohur, të skeduar. Me vrasës që kanë marrë pjesë në vrasjet më të bujshme. Herë për hesap të njërës anë, e herë për hesap të anës tjetër, por gjithmonë për hesap të krimit.

Dhe tani, pasi i vunë lakun në fyt më të pamundurve, pasi hoqën masivisht njerëzit nga puna dhe mbyllën mijëra vende të tjera pune përmes taksave të larta, informalitetit, kontrabandës, që rrënoi biznese të vogla, të mesme, të mëdha. Pasi shtuan e shtuan taksat sa i morën dhe kacidhen e fundit shqiptarëve. Pasi i falën 600 milionë euro CEZ-it dhe rritën çmimin e energjisë duke goditur në palcë ekonomitë familjare duke shtyrë shumë njerëz drejt vetflijimit, pasi shkatërruan pronat e shqiptarëve me djersë dhe me gjak, ata që kanë për detyrë ti mbrojnë këto prona dhe pasi u zunë dhe u grinë me njëri tjetrin, sa për naftë e Albpetrol, sa për kanabis e kokainë, tani filluan të lajnë hesapet me njëri tjetrin. Një skenar i denjë vetëm për filmat e mafies por fatkeqësisht ky nuk është një film. Shqiptarët po e përjetojnë këtë realitet. Ky nuk është film. Ky është një realitet i dhimbshëm që na prek drejtpërdrejtë ne, na trondit ne siç po trondit gjithë botën.

Por të parët që e vuajnë është rinia shqiptare. A është ky shembulli që qeveria duhet ti japë rinisë ?! Përmes promovimit të krimit, infiltrimit në nivelet e larta të qeverisjes, dhurimit të pozicioneve e posteve kriminelëve, nejrëzve që në CV-në e tyre kanë vite burg dhe jo vite universitetesh. A janë këta drejtuesit që duhet të drejtojnë Shqipërinë?! A janë këta njerëzit që duhet të ketë në krye vendi ynë, qytetarët e këtij vendi, rinia shqiptare?!

Ja tek erdhëm, ashtu siç e paralajmëruar tek një finale e zezë e filmit të tyre mafioz. Akuzohet kryetarit i Kuvendit se ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Kryeministri e ka ditur për 6 muaj por ka heshtur. Ministri i Brendshëm është ulur, jo me aktorin por me një vrasës të dyshuar që është përdorur njëherë nga njëra anë dhe herë nga ana tjetër për hesape të krimit. Por kanë pirë kafe në rezidencat qeveritare të Durrësit dhe zyrën e tij në vend që të aplikonin ligjin. Sepse janë dy Shqipëri. Është Shqipëria e ligjit që vepron si kërbaç mbi të pamundurit dhe Shqipëria e ligjit të mikut ku vrasësi ulet me Ministrin e Brendshëm, në vend që të arrestohet e të proçedohet sipas ligjit, del i lirë, shëtit i lirë, madje mund edhe t’ia mbathë nga vendi, e nëqoftëse i duhet e kthejnë prap, e përdorin siç i përdor. Ky nuk është shtet ligjor, ky nuk është sundimi i ligjit por është sundimi i mafias. Çfarë duan shqiptarët, të djathtë dhe të majtë?  Për çfarë qendrojmë ne sot? A jemi për sundimin e ligjit apo për sundimin e mafias? A jemi për demokracinë apo për oligarkinë Rama-Meta? A jemi për lirinë apo jemi për shtypjen nga krimi? Këto janë dilemat të cilave ne do t’ia japim përgjigjen duke nisur nga dita e nesërme.

Mendonin se do ta linin pa përgjigje. Harruan rininë shqiptare. Harruan se një vend edhe mund të vihet përkohësisht nën thundrën e krimit, por rinia shqiptare nuk vihet dot asnjë ditë. Ndaj  rinia shqiptare e ka treguar. Pse?

T’ju bëj një pyetje? A e keni parë se si i ka zënë paniku? E keni parë si dridhen nga frika ?! A e keni parë sa të stresuar janë? Pse kanë kaq frikë? Kanë frikë sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran.

Shqiptarët janë tronditur, shqiptarët po rënkojnë. Shumë prej tyre po kërkojnë rrugë të daljes. Rinia do t’jua jap këtë rrugë të daljes. Rinia është e tronditur gjithashtu. Por rinia është e vendosur që tronditjen mos ta kthejë në habi, tronditjen mos ta kthejë në dëshpërim, tronditjen mos ta kthejë në vetflijim, por ta kthejë në forcë. Ta kthejë në forcë, ta kthejë në forcë për të tronditur në themele shkaktarët e kësaj gjendje.

Ndaj jam sot plot shpresë, sepse e di që bashkë me ne, bashkë me rininë shqiptare, bashkë me qindra e mijëra shqiptarët që do të dalin nesër në Sheshin Skëndërbej, në orën 11:00, është aspirata e një populli të tërë për ti thënë jo krimit në sistem, për ti thënë jo krimit në krye të qeverisjes, për ti thënë jo mafias në pushtet dhe bashkë me ne janë aspiratat e çdo shqiptari.

Nuk jemi vetëm, në krah kemi vullnetin, dëshirën, mbështetjen, urimet dhe bekimet e aleatëve dhe miqve tanë, demokracive të mëdha perëndimore, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Le ta nisim pra marshimin tonë nesër për të mos e ndalur deri sa të përfundoj dekriminalizimi i plotë.

Kriminelët jashtë Kuvendit dhe jashtë politikës. Dhe le ti themi shqiptarëve; Shqipëria e vuajtur dhe e tronditur nuk meriton këtë drejtim. Le ti themi Shqipërisë tonë të dashur, na jep më të mirët e tu, të rinjtë dhe të rejat, demokratë dhe socialist, ta pastrojmë Shqipërinë njëherë e mirë. Ta pastrojmë politikën njëherë e mirë.

Nesër do të ushtrojmë të drejtën tonë, për një protestë madhështore, paqësore. Paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit.

 Unë ju them sot, me autorizimin e shpirtrave tuaj të çiltër, me autorizimin e zemrave të pastra të rinisë shqiptare dhe të gjithë protestuesve shqiptarë nesër, se nuk do të ketë vend mes nesh për krimin dhe kriminelët. Krimin dhe kriminelët i keni në gjirin tuaj. Krimin dhe kriminelët i keni në qeverisje dhe ne do t’i largojmë me çdo çmim.

Nesër është ora e përballjes, me një qeveri që erdhi me premtime të mëdha dhe jo vetëm që nuk i mbajti ato premtime, por e zhyti vendin në mjerim. Nesër është ora që me fuqinë e bashkimit, shqiptarët, bosët e bosave të qeverisë, njerëzit që emëruan dhe emërojnë qeveritë, të nisin procesin e pakthyshëm të pushimit nga puna.

Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re, rinia shqiptare ka nevojë për një ofertë të re dhe unë ju jap fjalën se rinia shqiptare jo vetëm do ta ketë këtë ofertë të re por do të jetë pjesë e pandashme e kësaj oferte.

Ejani pra nesër, të mblidhemi si asnjëherë më parë. Bashkohuni dhe me forcën e bashkimit, pa dhunë, nuk ka nevojë për dhunë, por me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi.

Rroftë rinia shqiptare.

Nesër në orën 11:00 tek Sheshi Skënderbej.


Mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha me të rinjtë demokratë një ditë para protestës, 11 Mars 2015