-Z. Ristani, a ishte një distancim i juaji nga deklaratat e Partisë Demokratike sepse ju kërkuat të tërhiqej padia nga z.Rama pasi thatë që nuk ishte personale por në emër të PD?
Siç jeni në dijeni, sot ishte seanca gjyqësore që sipas procedurave që ndjek gjykata ka të bëjë me një formalitet pajtues midis palëve në proces. I kërkova të dëmtuarit akuzues që ta tërhiqte kërkesën e tij ndaj kallëzimit që ka bërë për Arben Ristanin sepse qendrimi që është mbajtur dhe fjalët që për të dëmtuarin akuzues përbëjnë shpifje apo fyerje, nuk janë fjalë personale të Arben Ristanit por është qëndrim politik i Partisë Demokratike, ndonëse unë ndaj bindjen time të thellë që qendrimi politik i Partisë Demokratike është një qëndrim i saktë, i drejtë, i vërtetë dhe i provuar. Sepse në pushtet kemi një bandë kriminale, një kryeministër të lidhur me bandat që punon për bandat dhe ka inkriminuar parlamentin dhe administratën shtetërore. Tashmë ju keni dokumente publike zyrtare siç është marrëveshja e dekriminalizimit ku me kërkesën dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe me mbështetjen e parnerëve ndërkombëtarë u arrit të firmosej një marrëveshje për dekriminalizimin e parlamentit dhe administratës dhe është e kuptueshme se përgjegjësi kryesor për inkriminimin parlamentit dhe administratës është kryeministri i Shqipërisë. Po kështu keni edhe një qëndrim zyrtar të SHBA-ve, ku i kërkohet kryeministrit që të vazhdojë dekriminalizimin e administratës publike dhe të parlamentit. Qendrimi ynë publik i Partisë Demokratike është tërësisht i bazuar tashmë edhe në dokumente zyrtare përveç shumë provave të tjera që tregojnë inkriminimin e kësaj qeverie.
-Ambasada e SHBA-ve u ka bërë thirrje të gjithë partive politike që të heqin dorë dhe të vazhdojnë të njëjtën gjë siç bëri kryeministri duke larguar një nga deputetët që ambasada e cilësonte sit ë inkriminuar?
Edhe në pyetjen tuaj duket qartë se Ambasada e SHBA-ve, e cila edhe ajo nuk shpreh qëndrim personal por qendrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i bën thirrje kryeministrit që të dekriminalizojë. Po flasim për një kryeministër të inkriminuar dhe bashkëpunëtor me krimin.
-Çfarë provash do të paraqesni në seancë?
Provat janë të shumta përveç dokumenteve zyrtare. Por le të themi që për kënaqësinë e publikut dhe tuajën, edhe një prononcim të ish-ministrit Dritan Prifti i cili e ka parë z Rama duke mbushur hundët me kokainë në tavolinën e zyrës, gjë që tregon lidhjen e tij me krimin sepse kokainën nuk e ka blerë në farmaci por e ka marrë nëpërmjet kriminelëve dhe bandave të krimit që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri.
Prononcim për mediat i Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, pas seancës gjyqësore me kryeministrin, në Gjykatën e Lartë, 9 Mars 2015