Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kallëzohen për shpërdorim detyre, pengim të zbulimit të së vërtetës, e moskallëzim krimi, të gjithë këto në lidhje me skenarin e porositjes së vrasjes së dy deputetëve ngjarje për të cilën është akuzuar kryetari i Parlamentit, Ilir Meta
Partia Demokratike dorëzoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, për shpërdorim detyre, pengim të zbulimit të së vërtetës, e moskallëzim krimi, të gjithë këto në lidhje me skenarin e porositjes së vrasjes së dy deputetëve ngjarje për të cilën është akuzuar kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë vënë në dijeni për ngjarjen e rëndë dhe për 6 muaj me radhë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ligjor, madje e kanë mbajtur gjithçka të fshehtë.
“Partia Demokratike dorëzoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin ndaj ministrit të Brendshëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe për njësërë veprash të tjera si pengimi për zbulimin e së vërtetës apo për moskallëzim të krimit. Një zhvillim shumë i shëmtuar me ngjarjen “Doshi” dhe patjetër është një ngjarje e denjë për këtë bandë që kemi në pushtet. Ju e dini që ministri i Brendshëm ka kryer veprimet jo si një shtetar dhe jo ashtu siç një shtetari i takonte të vepronte, por tamam si një shok i bandës i cili ulet me njerëz me precedent penalë, me njerëz që dyshohet se janë të porositur për të kryer vrasje, në ambjente zyrtare apo në ambjente jo zyrtare. Më pas deklaron në mënyrë të përçartur se është ai që ka bërë hetimet, është ai që ka bërë edhe konkluzionin, është edhe ai që në fund fare jep edhe vendimin. Lidhur me kallëzimin që ne kemi bërë është e vërtetë që do punë dhe përpjekje, përkushtim dhe cilësi në hetim për të provuar nëse është e vërtetë që kreu i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Por është një hetim formal nga pikëpamja e procedurës që duhet ndjekur për të vazhduar e vërtetuar që ministri i Brendshëm ka shpërdoruar detyrën, ka penguar zbulimin e së vërtetës, nuk ka kallëzuar krimin sipas detyrimit që ka”, deklaroi për mediat Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, pasi kishte dorëzuar kallëzimin penal.
“Sigurisht që jo vetëm besojmë në hetimin e plotë të kësaj ngjarje por edhe e inkurajojmë Prokurorinë e Përgjithshme që të ngrihet në nivelin e duhur ashtu siç i takon një prokurorie të një vendi demokratik dhe të shmanget nga presioni, tensionet politike, apo interesat politike. Unë besoj se mund ta shmangë”, tha Ristani.
Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 7 Mars 2015