Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar në qytetin e Gjirokastrës kandidatin për kryetar Bashkie Igli Kokalari. Zoti Basha ka theksuar se në të gjithë Shqipërinë qytetarët janë bashkuar si asnjëherë më parë dhe po presin me padurim ditën e votimit, për t’i dhënë ndëshkimin e merituar, dyshes Rama – Meta. 21 qershori, tha Basha është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, është dita e ndëshkimit me votë të keqqeverisjes Rama – Meta.
“Pse po vërshojnë qytetarët, pse po vërshojnë njerëzit në mënyrë plebishitare, popullore, në takimet tona paraprake të prezantimit të kandidatëve tanë? Ç’është ky vërshim si në kohët e përmbysjes së regjimit të tollonave e arratisë? Ç’është ky entuziazëm në mes të kësaj gjendje të tmerrshme ekonomike që ka kapluar vendin?! Ju a them unë se e ndiej në shpirt. Njerëzit po presin me padurim ditën e votimit, ka një padurim për të votuar, për t’u dhënë një mësim që ta mbajnë mend, për t’u dhënë ndëshkimin e merituar.
21 qershori është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, dita e gjykimit me votë të keqqeverisjes Rama-Meta”.
Kryetari i Partisë Demokratike ndërsa është njohur me problemet e mëdha të qytetarëve, theksoi se qeveria i ka vënë qytetarëve lakun në fyt me pabesitë e saj, me mashtrimet e saj, me taksat, me arbitraritetin e saj, me rritjen pa kufi të taksave, me rritjen e çmimit të energjisë të cilin premtoi se do ta ulte, me rritjen e çmimit të naftës. Gjirokastritët nuk do të pranojnë të qeverisen nga Gjiri i Lalzit tha Basha por do ti besojne votën Igli Kokalarit
“Për çfarë vijnë të kërkojnë votën këta? Për çfarë e kërkon votën qeveria? E kërkojnë si miratim për gënjeshtrat e mashtrimet e tyre, për gjoja 300 mijë vende të reja pune apo shëndetësinë falas, rendin e sigurinë, uljen e taksave për të gjithë shqiptarët apo uljen e çmimit të energjisë?! Të gjitha gënjeshtra. E kërkojnë votën tuaj për të miratuar politikën e lakut në fyt dhe vota juaj do ta miratojë këtë politikë të lakut në fyt ose do ta heqë lakun nga fyti i shqiptarëve.
Kërkojnë votën tuaj për të zhbërë me votën tuaj, me duart tuaja pushtetin vendor, që vendimet për Gjirokastrën të mos merren në Gjirokastër por në Gjirin e Lalzit.
Bashkisë së re të Gjirokastrës, qytetarëve të rinj e të vjetër të këtij qyteti e çdo komune, një njeri i sprovuar në shërbimin ndaj tyre, një njeri që urdhrat nuk do i marrë as nga Tirana e as nga Gjiri i Lalzit por do i marrë nga gjirokastritët dhe ky eshte Igli Kokalari”, tha Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 Prill 2015