Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi në Roskovec kandidatin për kryetar Bashkie z Gëzim Çaushi.
Basha tha se 21 Qershori është momenti ku qytetarët do japin përgjigje plagës së madhe që ka pllakosur sot Roskovecin, Fierin dhe gjithë Shqipërinë që është papunësia, varfëria, mungesa e shpresës për një të nesërme më të mirë, e cila ka vulosur dhjetra e qindra dyer tek fierakët, banorë të Roskovecit e banorë të zonave përreth, e që i ka detyruar ata të marrin rrugët e kurbetit në një eksod, përmasat e të cilit i kishim harruar në këto 25 vite.

“Me 21 Qershor, vëllezër e motra, fjalën nuk e ka më qeveria, fjalën nuk e ka më kryeministri, fjalën nuk e ka më politika, fjalën e kanë qytetarët, fjalën e kanë banorët e Roskovecit, fjalën e kanë banorët e Fierit, fjalën e kanë shqiptarët që do të vulosin me votën e tyre. Më gjatë se kurrë më tha dikush para disa ditësh, por dalngangalë ora e gjykimit të drejtë popullor me votë po vjen. Ora e gjykimit për dështimet dhe mashtrimet në kurriz të banorëve të Roskovecit dhe gjithë Shqipërisë po vjen. A do të jetë kjo ora kur zullumqarët përsëri të arrijnë ta blejnë zërin tuaj, mendjen tuaj, shpirtin tuaj, zemrën tuaj, të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj për për një grusht parash ?! A do jetë kjo dita kur ata të thonë ‘punë e madhe që nuk bëmë gjë në roskovec’ ‘punë e madhe se nxorëm me dhjera e qindra nga puna’ ‘ shkojmë e i fusim një 20 mijë lekësh e tu themi; ja ku i keni,  mbylleni gojën ?! A do të jetë kjo ditë 21 Qershori ?! A do të jetë kjo dita e poshtërimit të dytë të burrave dhe grave të Roskovecit, të fëmijëve dhe së ardhmes së Roskovecit ?!

Apo do të jetë dita e ngritjes me krenari të kokës tuaj, e kërkimit me votën tuaj e me votën tuaj ta vini përpara përgjegjësisë së dështimeve e mashtrimeve?! Atyre që dy vjet më parë ju premtuan parajsën dhe pastaj u zhdukën pa lënë gjurmë duke nisur me përfaqësuesen tuaj të derisotme në Parlament që nuk e ngriti njëherë zërin për dhjetra investime të nisura por të bllokuara prej dy vitesh për qindra banorë të kësaj zone që u ka shkuar laku në fyt, që shtrëngojnë rripin ditë për ditë, që nuk kanë punë, që nuk kanë para e ç’është më e keqja nuk kanë shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Apo do të jetë dita kur të bashkohemi të gjithë e të themi Jo ?!

Nuk duam një kukull të Rama-Metës në Roskovec që kujdeset për punët e Rama-Metës e të marë e të pres në mes rryshfetet e Rama-Metës e të përfaqësojë interesat e e Rama-Metës. Por duam zërin, fytyrën, forcën, fuqinë e banorëve të Roskovecit që t’ju përfaqësojë denjësisht këtu, të ngrejë zërin për ju, të punojë për ju, të qajë hallet me ju e bashkë me ju të bëjë gati kthimin e faqes për Roskovecin nesër e për Shqipërinë pasnesër duke premtuar solemnisht se nuk do të rriten taksat por do të luftojë me ju që t’i ulë ato . Duke u bërë pjesë e kauzës tuaj të drejtë, duke u hequr, bashkë me ju, marshimin tuaj, në krahun tim e në krahun e gjithë shqiptarve të tjerë që kërkojnë një të nesërme ndryshe, për të ulur çmimin e energjisë, për të ulur çmimin e karburantit, për të rritur pensionet, për të rritur rrogat , për të çuar paratë në investime që hapin vende pune dhe jo lluks për qeveritarët”, tha Basha.

Pashpirtesia, tha kreu i opozitës, është virtyti i kësaj qeverie që s’ka mbajtur asnjë premtim, nuk ka hapur asnjë vend të ri pune, por e ka zhytur vendin në varfëri he mjerim.

“Duke i trajtuar me pashpirtësi të madhe, duke i ballafaquar me virtytin e vetëm të kësaj qeverie, pashpirtësinë. Paaftësinë për të dëgjuar, për t’ju dëgjuar ju, për t’ju shikuar ju, për t’ju ndjerë ju, për të prekur dhimbjen tuaj siç e ka prekur deri më sot dhe si do ta prekë ditë për ditë nesër, duke u përpjekur dhe luftuar me ju për ta pakësuar dhimbjen tuaj duke hapur me ju, me mua, me gjithë shqiptarët horizontet e së nesërmes që patjetër do të jetë më e mirë.

Kandidati ynë sot dhe kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Roskovecit, Gëzim Çaushaj. Nuk jua sjellim këtë kandidat për Partinë Demokratike. Nuk jua sjellim Gëzim Çaushin për veten tonë. E gjejmë këtu mes jush me përkushtim, me integritet, me punë shumë e fjalë pak dhe jam i sigurtë , unë dhe të gjithë demokratët, jam i sigurtë unë dhe të gjithë shqiptarët që kërkojmë një të nesërme ndryshe se duke i besuar votën atij keni një arsye më shumë që sëbashku me njëri tjetrin, sëbashku me kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Roskovecit, sëbashku me mua, të hapim një kapitull të ri se koha nuk pret më” theksoi Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Prill 2015