Pas prezantimit të kandidatit për kryetar bashkie në Konispol zotin Malo Myrtaj, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me banorë të komunës Xarrë. Banorët i kanë kërkuar zotit Basha t’i ndihmojë që tokat e tyre të mos grabiten nga Koço Kokëdhima si dhe i kanë shprehur shqetësimet lidhur me mungesën e subvencioneve, pamundësinë për të siguruar bukën e përditshme, ndërprerjen e ndihmës ekonomike, etj.
Banor: S’kemi marrë as subvencione, asgjë. “Po ke mik, do të hash fiq”, i thotë një llaf i urtë popullore.
Banor: Më përpara jepeshin 6 milion për ha, tanimë nuk jepen më. Këtu në fshatin tonë janë 60 ha tokë e përmbytur dhe janë 36 familje pa tokë fare sepse i merr Koçua ( Koço Kokëdhima) në mënyrë të padrejtë.
Invalid: Unë kam dy fëmijë. Pardje vajta në komision dhe ajo e komisionit më çoi për Tiranë. Unë kam dy fëmijë, jam njeri sakat, me një këmbë ku të ha? Merrja ndihmë sociale 99 mijë lekë, edhe atë ma prenë.
Banor: Dasmat e tyre i bëjnë me të gjitha, por hallet e popullit nuk i shikojnë fare.
Shitëse: Qeveria nuk vë dorë, ne shitësit çfarë do bëjmë?! Ja, unë jam bllokuar fare se mbajmë njerëzit me bukë. Kam dy blloqe, njërin e kam të madh fare, të vish ta shikosh nuk e lan dot njeri. Taksat u rritën.
Ndërsa në Delvinë teksa po prezantonte kandidatin për kryetar bashkie. zotin Dhurim Alinani, një qytetare ka ndërprerë fjalën e zotit Basha për t’i treguar se si ai së bashku me gruan, vajzën dhe të vëllain ishin larguar nga puna.
Basha: Le t’i ngrenë duart ata që e paguajnë faturën e energjisë më pak se para një viti apo para dy vjetësh. Kush është futur në punë vitin e fundit të ngrejë dorën.
Qytetare: Zoti Basha mundem? Kam katër libreza, të pushuar nga puna, katër të pushkatuar ekonomikisht nga kjo qeveri. Turp të kenë!
Në Sarandë kryetari i Partisë Demokratike prezantoi Kreshnik Bozhon si kandidat për kryetar bashkie.
Ndërsa qytetarët janë në kufijtë e mbijetesës dhe si të vetmen zgjidhje shohin emigrimin, kryeministri është kthyer në një turist që çdo fundjavë bredh rrugëve të Europës.
Keqqeverisja ka marrë trajtat e pashpirtësisë me mënyrën se si godet më të pamundurit. Duke iu rritur taksat e duke blerë palma, duke iu rritur çmimin e energjisë e duke ndërtuar kulla korrupsioni, duke u shembur të pamundurve djersën dhe gjakun e duke i lartësuar sarajet e tyre nga Surreli i Dajtit e deri në Qeparo. Populli refugjat, kryeministri turist. Edi Rama është kryeministri turist i një populli refugjat, theksoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar në Libohovë kandidatin për kryetar bashkie zotin Altin Çomo.
Basha shprehu bindjen se vota e 21 qershorit do të jetë për projektin e shpresës, që të hap vende pune, të krijon mirëqenie. Që qytetarët mos ta kenë më alternativë ikjen si të vetmen shpresë, por të nisin të ndërtojnë pa asnjë pengesë të ardhmen e tyre në vendin tyre.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27 Prill 2015