Basha: Rama-Meta  godasin qytetarët e pamundur dhe mbrojnë mafiozët e kriminelët 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie në Vaun e Dejës, z. Zef Hila. 

Lideri i opozitës ka ndarë me banorët e Vaut të Dejës shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike në vend. Papunësia është rritur dhe varfëria ka zënë vend në çdo familje shqiptare.  Siç po dëshmohet çdo ditë – theksoi z. Basha, shqiptarët kanë humbur besimin te kjo qeveri, duke iu rikthyer rrugës se eksodit. Kryetari i PD theksoi se eksodi nuk është zgjidhja por bashkimi i shqiptarëve më 21 qershor dhe me votën e tyre të largojnë të keqen që ka mbërthyer vendin. 

“Më 21 qershor do të votojmë të gjithë bashkë, për t’i treguar Ilir Metës dhe Edi Ramës se banorët e kësaj zone nuk e ulin kokën para poshtërimit, nuk mund ta pranojnë politikën e lakut në fyt që i lë pa bukë në tryezat e tyre, ndërkohë që mbush kontot dhe valixhet e qeveritarëve të korruptuar Ilir Meta dhe Edi Rama. I godasin qytetarët e pafajshëm e të pamundur, po i mbrojnë mafiozët e kriminelët Ilir Meta dhe Edi Rama që ulen e hanë në sofrën e tyre”-  theksoi kryetari i PD, Lulzim Basha. 

Kryetari i PD ka shpalosur ofertën e re e cila do të çojë vendin drejt ringritjes. Ulja e taksave e çmimit te naftës dhe karburanteve, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës është mënyrë për të dalë nga kjo situatë ekonomike, deklaroi z. Basha. 

“Pas 21 qershorit na pret një rrugë tjetër, e shpresës, e ringritjes, e mirësisë, e përpjekjeve tona për të ulur çdo taksë, për t’i çuar të gjithë paratë në zhvillimin e ekonomisë që hap vende të reja pune për ju, për të detyruar këta që të ulin çmimin e energjisë dhe naftës. Për këtë nuk mjafton fitorja, për këtë duhet një fitore plebishitare e thellë që i ka rrënjët në zemërimin tuaj dhe i ka frytet në shpresën tuaj për një të ardhme më të mirë që do ta bëjmë së bashku”. 

Zef Hila, kandidat për kryetar bashkie i Vaut të Dejës theksoi se projekti i tij do të mbetet zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Shfrytëzimi i çdo hapësire ligjore për uljen e taksave do të jetë në qendër të angazhimit të z. Hila, sikundër theksoi se dyert e bashkisë do të vazhdojnë si deri më sot të jenë të hapura për hallet dhe problemet e qytetarëve. 

Bashkia e Vaut të Dejës do të jetë një model, do të marrë një fytyrë të re, për një zhvillim, punësim, dinjitet” – theksoi kandidati për kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Prill 2015