Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur interesimit të medias lidhur me sulmet personale të kryeministrit Edi Rama ndaj personalitetit të shquar në fushën e mjekësisë, kandidatit për Bashkinë e Tiranës, doktor Halim Kosovës.

“Është reagim i një të frikësuari dhe të çorodituri që pret humbje të thellë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Pasi e ka të pamundur të dalë para qytetarëve që i mashtroi me premtime të parealizuara ndaj edhe ka zbritur në nivelin e etiketimeve mediokre dhe të lodhura. Dr Halimi, ka dash Zoti, është në kulmin e energjive. Bashkuar me një përvojë profesionale dhe menaxheriale që pakkush e ka, energji plus përvojë, plus integritet, baraz drejtuesin e cilësisë së lartë që meritojnë qytetarët e Tiranës, baraz Halim Kosova. Nga ana tjetër është frika e justifikuar e Edi Ramës dhe kandidatit që ai ka nxjerrë nga xhepi për Tiranën. Rezultati i pritshëm në kryeqytet, e ka bërë të nisë këtë fushatë përbaltjesh dhe etiketimesh banale. Halim Kosova është njeriu,  emri i të cilit përmendet me dashuri dhe buzqeshje nga mijëra çifte prindërish, fëmijësh. Halim Kosova i bën nder Tiranës, i bën nder Shqipërisë. Edi Rama është fatkeqësia e Shqipërisë”.

Lidhur me akuzat e socialisteve për Bashkinë e Tiranës zoti Basha theksoi se “Përgjigjen për këtë e ka dhënë puna ime e do ta japin qytetarët e Tiranës me votë”.


Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 23 Prill 2015