Rreth 1000 familje nga Cakrani kanë emigruar për shkak të kushteve të vështira të jetës dhe papunësisë së lartë. Qindra të rinj nga mosha 15 vjeç e lart janë larguar drejt Gjermanisë, duke mos parë asnjë shpresë, siç i thanë kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha banorët e Cakranit. Papunësia, çmimi i lartë i energjisë, naftës, plehrave kimike ka bërë që kjo zonë të zhytet në varfëri.

Qytetar: – Mua më ka ikur një djalë 15 vjeç. Këtu e gjejnë veten të pasigurt, të pashpresë. Kam një mulli bluajtje. Vijnë goxha burra, qajnë në pikë të lotit, se s’kanë të marrin kilen e miellit.

I ri: – Çuna të rinj që jemi do ikim të tërë edhe neve, do ikim s’kemi…

Qytetar: – Më thonë këta, sill fatura 70 mijë lekë, 100 mijë lekë në muaj. Ku do mbytem unë?! Urdhëro, unë jam pa punë, fëmijët pa punë, ku do ushqehem unë, jam bërë të var veten.

Qytetar: – Do ul taksat, tha, do ul çmimin e plehrave. Cilin çmim, cilën taksë ka ulur?

Qytetar: – Fëmija im mori çunin 2 muajsh dhe iku në Greqi. Jo se më tha ndonjëri, që tregojnë ca, që thonë janë grupe mafiozë që i dërgojnë andej, por jemi pa bukë.

Kryetari i PD ka theksuar në bashkëbisedimin me banorët se eksodi nuk ështe zgjidhje, pavarësisht situatës së rëndë ekonomike ku e kanë zhytur vendin Rama –Meta. Zgjidhja, tha z. Basha, është largimi i së keqes dhe kjo do të bëhet e mundur duke nisur nga 21 qershori.

“Njerëzit po ikin nga e gjithë Shqipëria, po ikin nga e keqja. Asnjë nuk po ikën për qejf. Po ikin se s’kanë punë, s’kanë lekë, po ikin se s’kanë bukë, po ikin se nuk kanë shpresë. Varfërinë e kanë pesëfishuar. A e dini ju që numri i shqiptarëve që jetojnë me një dollar, me 1 mijë lekë të vjetra në ditë është pesëfishuar në një vit?! Fatkeqësi për qytetarët, luks për qeveritarët. Prandaj, në 21 qershor, ju keni në dorë jo vetëm t’i thoni ndal së keqes por edhe të rikthejmë shpresën”, tha Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 23 Prill 2015