Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi kandidatin për kryetar të Bashkisë së Vlores z. Genc Deromemaj. Zoti Basha ka ndarë me banorët e Vlorës shqetësimin për eksodin masiv të qytetarëve që ka prekur çdo fshat dhe qytet të vendit, nga jugu në veri. Kreu i opozitës theksoi se përgjegjës për këtë eksod janë dyshja sundimtare Rama-Meta që çdo ditë po varfërojnë shqiptarët dhe pasurojnë veten.

“Shqiptarët pyesin se çfarë po ndodh, vlonjatët pyesin si erdhën deri këtu, si arritën në më pak se dy vjet ta fusin ekonominë në krizën më të thellë që ka njohur në 15 vite, të mbyllin me mijëra biznese, të shkaktojnë eksodin e kapitalit që solli eksodin e investimeve, të vendeve të punës dhe tani eksodin e shqiptarëve. Si ia dolën të nxjerrin mijëra të rinj në rrugë, pa punë, shkollë, pa perspektivë, pa shpresë, si ia dolën t’ia hedhin një populli të tërë që i premtuan se do ia ulnin taksat, çmimet, se do të ulnin çmimin e energjisë ndërkohë që e rritën për 77% të shqiptarëve, rritën taksat e po i rrisin edhe më tej?! Çmimet u rritën, karburanti paguhet më shtrenjtë sot në Vlorë se sa në Berlin e Paris.

Pyesin vlonjatët, pyesin shqiptarët si erdhën deri këtu, si ia dolën t’i mashtrojnë e t’u thonë shëndetësia do të jetë falas, kur sot paguhet nën dorë më shtrenjtë e gjendja e spitaleve është e mjerueshme, si ia dolën të flasin për legalizime falas?! E vetmja gjë që bën ky palo kryeministër është një version i dobët dhe i pagëlltitshëm i “Portokallisë”, me leje legalizimesh që vetëm falas nuk janë. Si erdhën deri këtu? Pse po ikin shqiptarët? Pse po largohen shqiptarët nga vendi i tyre, aty ku peshojnë e duhet të peshojnë më rëndë se kudo tjetër, pse po ikin nga sytë këmbët dhe kur e shohin se azil nuk jepet, që askush nuk i pret me krahëhapur.

Erdhën deri këtu sepse varfëria është pesëfishuar, numri i shqiptarëve që jetojnë me 1 dollarë në ditë është pesëfishuar, është rikthyer në gjendjen ku ishte në vitin 2005, erdhën deri këtu sepse 20 mijë familje shqiptare nuk marrin më ndihmë ekonomike, nuk kualifikohen më për ndihmë ekonomike dhe e di pse?! Sepse iu gjendet një karrige në shtëpi, një tavolinë në shtëpi dhe kur gjen tavolinë e karrige nuk kualifikohesh më për ndihmë ekonomike, sepse duhet të jetë si në mesjetë që të përfitosh ato 16 mijë lekë të mjera që merr sot ajo pakicë që i merr, ndërkohë që fatura minimale e energjisë është 35 mijë lekë dhe po s’pate ta paguash, çfarë të pret?!

Si erdhën deri këtu, kur papunësia ka shkuar në 20%, me 35% e të papunëve, nën moshën 30 vjeç? Ndërkohë, arbitrariteti, arroganca, pashpirtësia e qeverisë bën kërdinë. Mbi 8 mijë të larguar nga administrata publike, nëpunës civilë, me dhjetra mijë të tjerë të larguar nga sektori privat sepse kompanitë mbyllen, investitorët i vënë kyçin, bizneset e vogla mbyllen sepse nuk paguajnë dot taksat.

Mbi 8 mijë ndërtesa në proces legalizimi, të prishura, me leje apo në proces legalizimi ndërkohë që sarajet e qeveritarëve lartësohen ditë për ditë, nga Surrojt në Qeparo. Arroganca, arbitrariteti dhe paligjshmëria, mjerimi, skamja dhe papunësia janë arsyet e eksodit. Eksodi i shqiptarëve është denoncimi më i fuqishëm i keqqeverisjes, dështimeve, është prova më e saktë se sa u përket shqiptarëve dhe halleve të tyre, këta e kanë lëshuar timonin, pa duar. Po për vete?! Për vete janë zhytur në luks të shfrenuar. 600 milionë euro të shqiptarëve po i bëjnë rrush e kumbulla, palma dhe kulla, qendrat e qyteteve të investuara jo më herët se 10 vjet përpara rindërtohen përsëri në tendera, gjysma e parave të së cilave shkojnë për pushtetarët e korruptuar. Kurrë s’ka qenë hendeku më i madh midis qytetarëve që vuajnë për bukën e gojës, që vuajnë për një vend pune, që nuk arrijnë do të paguajnë faturat dhe qeveritarëve të kredhur në luks që krekosen majë sajeve të tyre, që mbushin xhepat ndërkohë që populli vuan e rënkon, që fërkojnë duart kur njerëzit largohen, sepse u gënjen mendja se u largohen votat kundër e nga ana tjetër i bëjnë presion Europës, “shiko se ç’ju bëjmë ne!”. Ky është një rikthim i dhimbshëm në kohët më të zeza, kur sundonin jo oligarkët e sotëm por skalioni i fundit i mënxyrës që kapi për fyti këtë vend për 50 vite.

Si do të shpëtojmë? Si do të shpëtojmë nga këta?! Duke ikur nga vendi ynë, duke ikur nga Vlora apo duke pranuar ofertën që po na sjellin për zgjedhjet lokale, ofertën e komiteteve ekzekutive, ku askush nuk është pyetur për ndarjen territoriale, ku në vend që të zvogëlohej hendeku mes pushtetarit vendor dhe qytetarit, po zmadhohet aq sa nuk i del koha në 4 vite askujt të takojë qytetarët kudo që janë e jo më t’i pyesë për hallet, jo më të kujdeset për hallet e tyre?! Komiteti ekzekutiv është përgjigjja. Jo vetëm kaq por në traditën më të mirë të byrosë, i caktojnë vetë kryetarët e kandidatët për komitetin ekzekutiv.

E kanë vendosur dhe këtu se kë do të sjellin për kryetar të komitetit ekzekutiv. Do të sjellin dikë që do të zbatojë urdhrat e shefit e shefi kësaj radhe është Koço Kokëdhima. Nuk i mjaftojnë sarajet e Qeparoit, do t’i ngrejë sarajet edhe këtu, në mes të Vlorë, t’ua përplasë në fytyrë vlonjatëve. E kanë zgjedhur kandidatin që do të marrë urdhrat nga Koçua, do të punojë për Koçon, do të japë hesap te Koço. Vlonjatët, çfarë janë këta? Kush pyet për vlonjatët? Vlonjatët, merru taksën, merru votën, bleju votën, ulja kokën, mbyllja gojën! Prandaj edhe nuk guxojnë të dalin në dritë të diellit, janë mbyllur në një zyrë të errët aty  5 vetë, Koçua thotë, ja kryetari i komitetit ekzekutiv, ky do të jetë”, tha Basha.

Zgjidhja, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, nuk është largimi i shqiptarëve por largimi i së keqes në pushtet që po u merr frymën qytetarëve.
“Kështu mendojnë këta se mund ta kalojnë, kështu mendojnë se mund t’ua hedhin, duke shkelur, nëpërkëmbur, shpërfillur, braktisur popullin e tyre dhe në fund fare edhe duke e përqeshur.  A mund ta pranojë Shqipëria diçka të tillë ? A mund ta pranojë Vlora diçka të tillë? A ka në Vlorë bijë dhe bija nënash sot që t’i dalin përballë kësaj mënxyre? Unë shoh shumë rreth e qark këtu, të rinj të viteve ’90 që u çuan një herë me guxim dhe brezin tjetër të të rinjve që është gati, i njeh dhe i di sakrificat e prindërve të vet për liri, për çlirim nga dhuna, nga terrori, për mirëqenie bazuar mbi djersën e ballit, me krahun e punës.

Sot kam në krahun tim njërin prej këtyre të rinjve, njërin prej këtyre djemve të Vlorës që nuk pranon që bashkëqytetarët e tij, që populli i Vlorës pasi është mashtruar, pasi është nëpërkëmbur, pasi është shtyrë në dëshpërim dhe eksod nga kjo politikë e zezë e mjerimit dhe varfërisë për qytetarët, e kamjes dhe e luksit për qeveritarët dhe ai të poshtërohet me caktimin e kandidatëve për komitetin ekzekutiv nga Byroja e Koços dhe miqve të tij. Ky djalë, ky burrë, ky vlonjat nuk vjen para jush, thjesht dhe vetëm si kandidat i një partie politike, thjesht dhe vetëm si kandidat i opozitës por vjen si qytetari, si djali, si burri, si vlonjati për vlonjatët që kërkon besën tuaj, punën tuaj, djersën tuaj, mundin tuaj, për t’ia marrë  Vlorën tuaj oligarkëve për t’ia kthyer njerëzve që e kanë me tapi, dem bama dem, vlonjatëve.

Kjo është arsyeja që ndër dhjetëra kandidatura dinjitoze u ndalëm tek ky qytetar i Vlorës, u ndalëm tek ky burrë, tek ky djalë sepse në fytyrën e tij do të shihni fytyrën e mijëra djemve të Vlorës, në mendjen e tij do të lexoni mençurinë e mijëra vlonjatëve dhe me vendosmërinë e tij për t’i rikthyer Vlorën vlonjatëve do të lexoni vullnetin plebeshitar të vlonjatëve të djathtë, të majtë e pa parti.

Zonja dhe zotërinj, është kënaqësia ime më e madhe t’ju prezantoj kandidatin tuaj dhe kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Vlorës, Genc Deromemaj” theksoi Basha.

Kandidati për kryetar të Bashkisë së Vlorës, Genc Deromemaj u shpreh i bindur se vlonjatët do të votojnë për alternativën që do të punojë për ta.

“Ndjehem shumë i vlerësuar dhe i privilegjuar në këto momente që Partia Demokratike dhe kryetari i saj z.Lulzim Basha midis shumë kandidaturave të tjera dinjitoze më besoi këtë garë, këtë garë për Vlorën. Kjo garë nuk është e imja personale, është e jona, e përbashkët, e popullit të Vlorës. Në këtë garë ne do të tregojmë se Vlorës duhet t’i kthejmë besimin, një gjë të shumë munguar, shumë të merituar, do t’i kthejmë vlerën që Vlora përfaqëson.

Si përfaqësues politik dhe individ, krenar dhe me vlerat që na karakterizojnë moshën dhe integritetin tone, ju premtoj se do të jem një administrator i juaji, i popullit tonë, i Vlorës. Do të jem i denjë dhe më besoni që do t’ia arrijmë, do t’ia arrijmë të gjithë bashkë. Politikat tona nuk janë politika ekstreme, janë politika për popullin, me popullin, janë në shërbim të njerëzve, qytetarëve të Vlorës, janë në shërbimin tonë.

Kam besimin se Vlora dhe vlonjatët janë fisnikë, i karakterizon një mençuri e rrallë, kësaj radhe do të jenë të aftë dhe të zgjuar të vendosin për veten e tyre, t’ia kthejnë Vlorën vlonjatëve, t’ia kthejnë Vlorën dhe pjesa më e munguar e saj, t’ia kthejnë Vlorën neve qytetarëve, të gjithëve bashkë, të mirës tonë. Të gjithë bashkë do t’ia arrijmë! Vlora jonë !” theksoi Deromemaj.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Prill 2015