Kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova, dëgjon kërkesat dhe shqetësimet e grave në Kryeqytet dhe angazhohet të ofrojë lehtësi e mbështetje për to. Por dhe t’u japë përgjegjësi për qeverisjen e qytetit. 

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dhe bashkëbisedoi dje me gra të profesioneve të ndryshme në kryeqytet.

Kosova që në hyrje e vlerësoi si arritje ndryshimin ligjor që bën të mundur që listat e këshillit bashkiak të jenë të përbëra në gjysmën e tyre nga gratë.

“Isha pjesë e votimit që 50 %, pse jo, edhe të këshillave bashkiakë, të jenë femra. Sepse në fund të fundit janë femrat, gratë dhe vajzat ato që kanë peshën kryesore të familjeve dhe janë ato që mendojnë ditë e natë të bëjnë më të mirën për  fëmijët e tyre”, tha kandidati për kryebashkiak.

Doktor Kosova theksoi se ai i ka idetë e qarta se si të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi i cili do ta ruajë shëndetin e gruas sepse të gjithë pjesëtarët e familjes janë të rëndësishëm por nëna është ajo që i mbledh të gjithë rreth vetes dhe nëna është ajo që që i jep drejtimin e duhur familjes.

Z.Kosova siguroi se nisur nga përvoja e tij, do të bëjë gjithçka për të promovuar gratë në përgjegjësi e detyra, pasi ato dinë të drejtojnë me sukses dhe efikasitet.

“Ashku sikundër gjatë gjithë jetës sime përbri suksesit tim u kam pasur ju, gra dhe vajza, në sektorin që kam punuar, pse jo të mos e vazhdoj këtë eksperiencë të mirë edhe nesër në bashki që t’u kem ju përkrah për të drejtuar sektorë që kanë shumë nevojë edhe për zemërgjerësinë, dashurinë, njerzillëkun”, tha Kosova.

Kandidati për kryebashkiak dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e grave.

“Jam e larguar nga puna në Zyrat e Punës, nga ministri Erion Veliaj. Doja të dija si do të veproni ju me administratën?”.

“Drejtësia, ose vënia në vend e asaj që nuk shkon, ose dhënia e hakut të çdo njeriu, ky do të jetë, ka qënë dhe do të jetë prioriteti im”, u përgjigj Kosova.

“Personalisht u kam borxh jetën time sepse më keni shpëtuar nga një lindje e vështirë. Kam një dyqan të vogël. Jam piktore dhe stiliste. Dua nga bashkia të ndihmojë gratë në bzines”.

“Në çdo qytet, nëse kryetari i bashkisë së atij qyteti nuk ndihmon biznesin e vogël dhe të mesëm i cili përfaqëson pjesë më të madhe të biznesit në qytet, i ka bërë një dëm shumë të madh qytetit të vet”, u shpreh Kosova.

Z.Kosova shpjegoi se po punohet për një program të detajuar, të saktë dhe efikas për qeverisjen e qytetit.

“Kemi disa plane konkrete që dita ditës po afron periudha që ne do t’i shpalosim dhe pse jo sërish presim sugjerime të vlefshme për këtë moment sepse gjërat nuk vulosen dhe nuk ndryshojnë. Jemi të gatshëm të marrim mendime nga shtresa të ndryshme në mënyrë që ato të bëhen pjesë e programit tonë të nesërm. Program që të jetë realist, i zbatueshëm, i aplikueshëm dhe i prekshëm nga të gjithë. Dhe gjërat që do të vendosim të mos ngelin në letër por por të kenë një impakt direkt tek ju”, deklaroi Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29 Prill 2015