Ligjet dhe planet urbane që shkelen haptazi nga miqtë politikë të Edi Ramës ndërsa qytetarët e thjeshtë përballen me arrogancën e pushtetit.

Rama na mallëngjeu me deklaratën e tij: “Ne do bëjmë shtet. Kush shkel ligjin është i papranueshëm”.

Në fakt, shteti i Edi Ramës i burgos të varfërit për një tendë pa leje në shtëpinë e tyre. Por

shteti i Edi Ramës mbyll sytë kur kalon nga Zogu i Zi ku ndërtesa 6 katëshe pa leje e deputetit të tij Abazi ka bllokuar diellin dhe ajrin e fqinjëve deri në katin e 6-të.

Shteti i Ramës po e paguan në natyrë me mushkritë e Tiranës ndertuesin bujar të sarajeve të Surrelit. Shteti i Ramës fshihet dhe ikën në drejtim të paditur kur përballet me paligjshmeritë e Koçove, Sadrive, Vangjushëve, dhe gjithë Metastazave të Oligarkisë kur keta shkelin dhjetra ligje njëherësh.

Partia Demokratike po i jep mundesinë Ramës që t’a mbajë fjalën dhe mos gënjejë si gjithnjë dhe për gjithçka. Partia Demokratike depozitoi në Prokurori kallëzimin penal të argumentuar në 12 faqe lidhur me paligjshmërinë e Koços.

Sarajet e Koços dhunojnë jo 1 apo 2 por plot 10 ligje dhe 2 plane urbane. Ato përfaqësojnë një obelisk të anti-ligjit në Shqipëri. Për fat të keq, në vend që të deklaronte prishjen e obeliskut më të madh të anti-ligjit në Shqipëri, javën e shkuar Edi Rama premtoi që do i bëjë edhe një shëtitore përpara. Ky është tregues i llojit të shtetit që do të bëjë Rama.

Ndërkohë që po i shpall paligjshmëritë e Koços si “Monumente Kulture që mbrohen nga shteti i Edit” janë me qindra shtëpi e dyqane që u janë shembur të pamundurve pa procedure, pa ligj, dhe madje pa u dhënë kohë të sistemohen diku.

Koço shkel të gjithë ligjet e urbanistikës, mbrojtjës së mjedisit, lejeve mjedisore, rezervave ujore, planifikimit dhe kontrollit të territorit, inspektimeve të ndërtimit si edhe 2 Plane Urbanistike në fuqi, përkatësisht Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut dhe Planet e Detajuara Vendore të Bashkisë Himarë.

Ja tek janë hartat e Planit Rajonal dhe Planit të Detajuar Vendor që tregojnë sarajet e Koços në dhunim të plotë të këtyre planeve.

Kallëzimi penal përfshin veprat “Ndërtim i paligjshëm”, “Pushtim i tokës”, “Dëmtim të mjedisit”, “Shpërdorim i detyrës”, si dhe çdo vepër tjetër të konsumuar apo të mbetur në tentativë që do dalë nga hetimet si psh “falsifikim dokumentash” apo “dëshmi e rreme” nga drejtuesit e policisë.

Shpresojmë që Prokuroria që ka hapur çështje penale edhe për një tende pa leje në tokë të vet tek “armiqtë e partisë” dhe qytetarët e thjeshtë, do të këtë kurajon të çojë para ligjit Koçon për këto shkelje flagrante të 10 ligjeve dhe 2 planeve urbanistike në fuqi.

Nëse qeveria nuk ka qef të zbatojë shtetin ligjor në rastet kur cënohen interesat e Koçove të pushtetit, të pakten t’a bëjë në mënyrë ligjore, dhe të shtojë në Kushtetutë nenin “Çdo ligj shpallet i pavlefshem nëse bie ndesh me dëshirën e Metastazave të oligarkise së pushtetit”.

Ligjet e dhunuara nga Koço Kokëdhima:

1.      Ligji “Për urbanistikën”, i ndryshuar;

2.      Ligji “Për Rezervat Ujore”;

3.      Ligji “Për Mbrojtjen e Mjedisit;

4.      Ligji “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”

5.      Ligji “Për Lejet Mjedisore;

6.      Ligji “Për planifikimin e territorit”

7.      Ligji “Për inspektimin e ndërtimit”

8.      Ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”

9.      Ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”

10.  Ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

Planet Urbanistike qe dhunon Koço Kokëdhima:

1.      Planin e zhvillimit të Bregut të Jugut, miratuar me Vendimin nr. 1, datë 17/07/2008,

të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), ish KRTRSH;

2.      Planet e Detajuara Vendore të Bashkisë Himarë, vendimi nr. 1 datë 01.06.2012 i KKT.


Deklaratë për media e drejtuesit të Departamentit të Mjedisit Jamarbër Malltezi, 4 Prill 2015