Qytetarët e Elbasanit ngrenë shqetësimin për ndikimin që ka në jetën e tyre landfillimi që ndërtoi Edi Rama, pa transparencë, në shkelje të ligjit, dhe pa respektuar kriteret teknike. Pikëpyetje të mëdha u ngritën në takimin e departamenteve të PD me banorët, studentët e intelektualët e qytetit.

Departamenti i Mjedisit dhe i Antikorrupsionit në Partinë Demokratike organizuan dje një tryezë të hapur me qytetarë të Elbasanit lidhur me impianin e djegies së mbetjeve në këtë qytet. Kreu i departamentit të Mjedisit Jamarbër Malltezi e cilësoi këtë impiant si të nxituar, pa studim, korruptiv e madje që do të sjellë dëme për banorët e zonës. “Kontrata është nënshkruar pa analizë dhe studim. Leja mjedisore është dhënë dy muaj pas kontratave. Nuk është konsultuar me banorët e kësaj zone ku do të ndërtohet landfilli. Nuk është parashikuar depozitimi i hirit të këtyre mbetjeve që cilësohen mbetje të rrezikshme”, tha Malltezi, i cili u bëri thirrje organeve ligjore të nisin një hetim në lidhje me ndërtimin e këtij impiani.

Janë 15 pikëpyetje mjedisore që nuk kanë përgjigje nga qeveria si dhe 14 pikepyetje ligjore të procedurave që janë shkelur haptazi. Sipas ekspertëve, koncesioni nuk është shpallur në buletinin e APP-së, është lidhur kontratë për ndërtim TEC pa treguar se sa para do investohen nga buxheti i shtetit, nuk ka as leje mjedisore dhe as modelim të gazrave. Brenda 1 dite (16-17 Dhjetor) janë kryer 9 procedura ligjore përfshirë afatet e ankimimit, shqyrtimit të ankimimit, komenteve me shkrim nga ministritë e tjera, hartimit të draft-kontratës, negociimit të kontratës, etj. Qytetarët e pranishëm në takim hodhë dyshime për një aferë të rëndë nga ana e qeverisë me pasoja në shendetin e tyre.

Në takim morën pjesë këshilltarët bashkiake, kryetari i Qarkut, kryetari i Komunës Bradashesh, OJQ mjedisore, intelektualë, pedagogë dhe studentë të cilët nuk u pajtuan më këtë investim të dyshimtë të qeverisë.

Pikepyetjet mjedisore dhe ligjore të impiantit të djegies së mbetjeve në Elbasan

Pikëpyetje mjedisore:

1.      A ka studim fizibiliteti?

2.      Cilat ishin alternativat e trajtimit të mbetjeve?

3.      Pse u zgjodh mënyra e djegies së mbetjeve dhe cilat janë alternativat e teknologjive të trajtimit?

4.      Kush e propozoi? Sa eksperiencë kishte propozuesi?

5.      Sa kushton dhe çfarë përfshihet?

6.      A përmirëson gjendjen mjedisore apo na rrezikon?

7.      Cilat do jene sasitë e shkarkimeve të gazrave?

8.      Pse nuk ka modelim të shkarkimeve të gazrave?

9.      Sa është kapaciteti mbajtës me emetime ndotëse të Elbasanit?

10. Pse shkelet ligji dhe nuk ka studim të thelluar të VNM?

11. Kush e ka vlerësuar? Cilët janë ekspertët?

12. Pse u shkel ligji dhe nuk pati proces të rregullt të dëgjesave publike?

13. Si merret leje mjedisore pa pasur një studim të thelluar të ndikimit në mjedis?

14. Si ndërtohet një TEC pa bërë modelim të shkarkimit te gazrave?

15. Ku do shkoje hiri i djegieve që është mbetje e rrezikshme?

Pikëpyetjet e procedurave ligjore:

1.      Kush e propozoi?

2.      Kur u krijua kompania që u shpall fituese?

3.      Sa eksperiencë të ngjashme ka kjo kompani?

4.      Sa buxhet ka kjo kompani?

5.      Pse nuk u shpall forma e procedurës koncesionare (psh. tender i hapur ndërkombetar)?

6.      Pse nuk u publikua as njoftimi i garës për kontratë dhe as njoftimi i fituesit të gares?

7.      Ku jane kriteret ligjore dhe teknike për vlerësimin e cilësisë, funksionale dhe mjedisore?

8.      Për cilat merita apo kapacitete zgjidhet operatori ekonomik i sapoformuar me 0 përvojë në fushë?

9.      Si lidh kontratë qeveria me VKM me subjektin pa leje mjedisore? Leja mjedisore marrë me 24 shkurt 2015, pra mbi 2 muaj pas lidhjes se kontratës me VKM

10. Komisioni i vlerësimit e shpall fitues kompaninë me 16 Dhjetor 2014 ndërsa një ditë me pas me 17 Dhjetor 2014 miratohet me VKM kontrata!

11. Kur u njoftua fituesi dhe humbësi? Kur u la kohë për ankimim?

12. Kur u konsultuan ministritë e tjera nësë kishin komente për të lidhur këtë kontratë?

13. Kur u hartua kontrata?

14. Sa është kosto e taksapaguesve dhe pse?


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 8 Prill 2015