Qytetarët shprehen të shqetësuar për shëndetin e vënë në rrezik nga shpërthimi i puseve të naftës. Kërkohet rimbursim dhe ndërhyjre e menjëhershme e qeverisë. Deputeti Mihaj dhe përfaqësuesit e PD takojnë banorët.

Banorët e Marinzës në Fier shprehen të indinjuar nga ndotja e shkaktuar pas shpërthimit të puseve të naftës një javë më parë. Ata thonë se ndotja është në shkallën më të lartë të rrezikshmërisë, si në ujë, toka, të mbjella dhe ajër.

Shqetësimet e banorëve i dëgjuan nga afër deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Mihaj, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi, Kryetari i Komunës dhe i Bashkisë Roskovec.

Banorët shfaqën shqetësimin e tyre në lidhje me shëndetin e vënë në rrezik gjatë këtyre ditëve. Ata i bënë të ditur deputetit Mihaj raportet mjekësore të cilat vërtetonin gjendjen e përkeqësuar shëndetësore.

Deputeti Mihaj kërkoi që shërbimi mjekësor t’u ofrohet falas këtyre banorëve të cilët rrezikojnë jetën duke vazhduar të jetojnë në zonën e kontaminuar nga fenoli e metani.

“Është detyrë e kësaj mazhorance që të qajë hallet e banorëve e të monitorojë rreptësisht këtë ambient. Të përpilojë strategjinë se si mund të veprohet me këta njerëz. Me të drejtë banorët kërkojnë kushte jetesese, por në radhë të parë duhet të kenë kushte të pastra mjedisore. Këtu është një problem se kur njerëzit ngrenë zërin, kërkojnë zgjidhje, vijnë, premtojnë dhe asgjë nuk bëhet. Ne si deputetë të opozitës gjithmonë do të ngremë zërin fort, për kushtet e jetesë”, tha Mihaj.

Deputeti Mihaj vuri në dukje diskriminimin që u bëhet banorëve duke mos u lënë hapësira për shfrytëzimin e tokave të tyre për bujqësi e blegtori. Monitorimi periodik i shëndetit të banorëve dhe i ambientit është prioritar, tha Mihaj. Nese mazhoranca propagandon për check-up falas nga mosha 45-60 vjeç, atëherë ta fillojë nga Marinza, u shpreh Mihaj.

Ai theksoi se rimbursimi është i domosdoshëm për banorët, jo vetëm në dëmet materiale por edhe ushqimore. Këtu duhet të ndërhyjë qeveria.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike 8 Prill 2015