Edi Rama dhe Ilir Meta kërkojnë ta mbajnë në këmbë regjimin hibrid që kanë instaluar të krimit me pushtetin dhe të pushtetit me krimin, në mënyrë që trafikantët, autorët e krimeve të rënda që sot i kanë deputetë e në pikat kyçe të institucioneve, të vazhdojnë të shërbejnë për ta në këto zgjedhje, për të blerë vota me paratë e krimit, e për të shantazhuar e kërcënuar votuesit, siç është në zanatin e tyre.

Prej 3 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta mbajnë të bllokuar procesin e dekriminalizimit, duke ndaluar çdo veprim, çdo hap përpara në këtë drejtim.

Me datë 26 mars, unë në cilësinë e kryetarit të komisionit, i kam kërkuar Kuvendit t’i kërkojë Komisionit të Venecias dhe partnerëve të tjerë, aistencën dhe ekspertizën e tyre lidhur me paketën e amendamenteve të dekriminalizimit.

Kjo letër, mbahet e mbyllur në sirtar nga ajo ditë nga përfaqësuesit e mazhorancës në komision. Kjo vonesë pengon marrjen e ekspertizës së Komisionit të Venecias përpara zgjedhjeve te 21 qershorit.

Prej 3 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta, gjithashtu, refuzojnë të sjellin ekspertët e tyre pranë komisionit të dekriminalizimit, megjithë kërkesat tona të vazhdueshme.

Nuk ka më asnjë dyshim, se Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë asnjë grimcë vullneti për të bërë dekriminalizimin. Jo vetëm kaq, por e pengojnë dhe e bllokojnë atë në mënyrë sistematike.

Arsyet janë të dukshme, kërkojnë që dekriminalizimi të mos bëhet, dhe posaçërisht dekriminalizimi të mos bëhet para zgjedhjeve të 21 qershorit, dhe pasojat po i shohim.

Edi Rama dhe Ilir Meta kërkojnë ta mbajnë në këmbë regjimin hibrid që kanë instaluar të krimit me pushtetin dhe të pushtetit me krimin.

Duan të mbajnë këtë regjim, në mënyrë që trafikantët, autorët e krimeve të rënda që sot i kanë deputetë e në pikat kyçe të institucioneve e administratës, të vazhdojnë të shërbejnë për ta në këto zgjedhje, për të blerë vota me paratë e krimit, e për të shantazhuar e kërcënuar votuesit, siç është në zanatin e tyre.

Shembulli më i freskët, është kandidimi nga Edi Rama i deputetit Artur Bushi në Krujë, i ndaluar dhe i arrestuar në Itali për trafik kokaine.

Mbarë qytetarët e vendit janë mbledhur dhe kanë shprehur revoltën e tyre kundër krimit në pushtet e kundër trafikantëve në vendimmarrje. Europa është alarmuar nga shkalla e lartë e inkriminimit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Çdo faktor, e çdo arsye, sot kërkon dekriminalizimin, përveç Edi Ramës e Ilir Metës.

Me aktet e fundit, kjo dyshe e ardhur në pushtet me krimin, ka shkuar shumë larg.

Partia Demokratike nuk do të pranojë që krimi dhe përfaqësuesit e tij të bëhen pjesë e këtyre zgjedhjeve.

Ne sot do t’i nisim Komisionit të Venecias kërkesën tonë që ata të asistojnë procesin e të ndihmojnë me ekspertizën e tyre.

Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund këtij procesi, kësaj nevoje jetike siç është dekriminalizimi.

Nëse Edi Rama dhe Ilir Meta do të zgjedhin sërish krimin dhe inkriminimin, atëherë qytetarët e vendit nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të përmbysin këtë regjim hibrid të krimit me pushtetin.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, 14 Prill 2015