Sot, Rama u tregoi qytetarëve të vendit se është një producent i dobët shfaqjesh televizive, por nuk ka degë palme që mbulon dështimin e tij monumental si një kryeministër që ka rritur me 7 përqind papunësinë, që ka çuar varfërinë dhe dëshpërimin në kufijtë historikë.
Milionat që ai po shpenzon për fushatë elektorale, me fasada qytetesh, nuk kanë ndihmuar askënd, përpos klientelës që po pasurohet me këto tendera. Fasadat, sidomos ato që lyhen vetëm nga faqet e shesheve, nuk sjellin zhvillim. Në të kundërt, përse 16 mijë qytetarë të vendit, sipas raportimeve të mediave serioze, kanë lënë vendin vetëm në 3 muaj, në një eksod të dëshpëruar pa fund e pa krye, vetëm për t’i ikur skamjes?
Cilin shqiptar kanë ndihmuar milionat e bëra rrush e kumbulla për trille dekorative e pasurim klanesh?
Mos kanë ndihmuar dhjetra mijë bashkëqytetarët tanë që kanë përfunduar në burg për shkak se nuk paguajnë dot energjinë elektrike, se nuk kanë me se, se janë pa punë e pa të ardhura?
20 mijë familje ka hequr qeveria nga skema e ndihmës ekonomike. I ka dëbuar, i ka përjashtuar nga mbështetja e shoqërisë, i ka hedhur në rrugë të madhe. Dhe për ata që përfitojnë, kjo ndihmë është ulur, dhe është sot sa gjysma e parave që i duhet një familjeje për të paguar gjobën e përmuajshme të OSHEE-së.
Ç’do t’u thotë Rama rreth 80 përqind të familjeve shqiptare, për të cilat rriti me mbi 25 përqind çmimin e energjisë elektrike? Do t’u thotë rrini në errësirë, rrini në errësirë – se tani kemi palma.
Me Edi Ramën në këto dy vite është pesëfishuar numri i familjeve që jetojnë në kushte ekstremisht të varfra. Ky është realiteti i hidhur që preket me dorë e ndjehet në çdo rrugë, dhe shfaqja në salla me dokumentarë të sajuar është një akt cinik talljeje që thellon edhe më shumë dhimbjen e shqiptarëve.
Si mund të kesh guximin t’u shesësh qytetarëve një Shqipëri që nuk ekziston, kur në vend ka mbërthyer kriza e urisë?
Borxhi publik është rritur në 70 përqind, investitorët po ikin, taksat e rritura po i marrin shpirtin ekonomisë, nuk ka një investim të vetëm, s’ka një kilometër rrugë të re, çmimi i naftës është më i larti në rajon, pagat dhe pensionet nuk rriten prej dy vitesh, ka rënë besimi dhe fuqia blerëse e konsumatorëve.
Llogariten rreth 8 mijë ndërtime të ligjshme të hedhura në tokë nga Edi Rama. Mijëra jetë të rrënuara, duke bërë hi mundin e djersën, kursimet e 20 viteve. Eksportet janë më të ulta se vjet dhe poashtu të ardhurat tatimore e doganore kane rënë frikshëm.
Shfaqja e sotme me siguri do të marrë çmimin si provokimi më i madh i bërë në këto 25 vite. Ndërsa vetë producenti, Edi Rama, do ta marrë më 21 qershor vlerësimin e publikut, të qytetarëve, të popullit që po e shtyp dhe e sundon me arrogancë e arbitraritet prej 2 vitesh.
Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Florion Mima, 28 Prill 2015