Dyshja Rama-Meta rrëzuan amendamentet e opozitës me forcën e kartonit por jo të arsyes, duke djegur në fakt një mundësi për të përmirësuar jetën e shqiptarëve në kushtet e një varfërie ekstreme, të një papunësie ekstreme, dhe të shtrëngesës së përditshme të jetesës.
Edi Rama dhe Ilir Meta megjithëse janë çdo ditë në ekran nga mëngjesi në darkë, ende nuk kanë gjetur një moment për të shpjeguar publikun dhe qytetarët, pse refuzuan të ulin çmimin e energjisë elektrike dhe çmimin e naftës.
Dyshja Rama-Meta, rrëzuan amendamentet e opozitës me forcën e kartonit por jo të arsyes, duke djegur në fakt një mundësi për të përmirësuar jetën e shqiptarëve në kushtet e një varfërie ekstreme, të një papunësie ekstreme, dhe të shtrëngesës së përditshme të jetesës.
Duke refuzuar të ulë çmimin e energjisë elektrike me reduktimin e TVSH-së në 6 përqind, Edi Rama po konfirmon publikisht, se ai ka gënjyer me premtimin e tij elektoral, dhe ka gënjyer qëllimisht, pasi nuk e ul me 14 përqind çmimin e energjisë edhe kur i jepet mundësia, edhe kur këtë ia kujtojnë qytetarët e vendit me dhimbjen e tyre të përditshme, e me zërin e protestës në sheshet e vendit.
Nuk tërhiqet nga mashtrimi dhe e pranon se mashtrim ka qenë.
Duke refuzuar të heqë taksën e qarkullimit të naftës, Edi Rama po u thotë në mënyrë cinike qytetarëve të vendit se ne, Shqipëria, duhet ta mbajë patjetër çmimin më të lartë të karburantit në rajon, sepse kështu dëshiron ai, edhe pse varfëria është më e madhja në rajon e më gjërë, edhe pse të ardhurat janë më të ulëtat në rajon e më gjërë.
Kur refuzon të përmirësosh jetën e qytetarëve e të lehtësosh mjerimin e tyre në dy pika që kanë të bëjnë me çdo produkt të përditshëm të konsumit, me dy cështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me xhepin e tyre, atëherë i ke refuzuar ata si qënie, me dinjitetin dhe të drejtat që kanë.
Por qytetarët nuk janë spektatorë pasivë të lojërave të Edi Ramës. Ata analizojnë, kujtojnë dhe reflektojnë. Dhe shumë shpejt do të marrin vendimin e duhur. Ora e të vërtetës po vjen.
Deklaratë e koordinatores Reila Bozdo, 11 Prill 2015