-Mijëra qytetarë shkodranë protestojnë në përkujtim të 2 prillit, kundër varfërisë, papunësisë dhe krimit në pushtet

-Kryetari i Partisë Demokratike fton qytetarët ta kthejnë 21 qershorin në referendum historik për tu ndarë nga e keqja

Mijëra qytetarë të Shkodrës kanë protestuar sot kundër varfërisë, papunësisë, padrejtësisë, dhunës dhe krimit të veshur me pushtet. Në ditën e përkujtimit të vrasjes së katër dëshmoreve të demokracisë, shkodranët përkujtuan dhe pabesinë e Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët pasi morën pushtetin hodhën në kosh çdo premtim me të cilin erdhën në pushtet.

“Me të njëjtën pabesi që regjimi komunist vrau 4 bijtë tuaj në 2 Prill, u sollën Rama dhe Meta me Shkodrën dhe me qytetarët shqiptarë. Firmosën paktin e krimit më 1 Prill, marrëveshjen e zezë të rrenave dhe mashtrimeve, morën votën dhe i prenë në besë shkodranët, prenë në besë gjithë Shqipërinë. Kam hidhërim të madh ta them, por e ndaj sot me ju, me gjithë Shkodrën, me gjithë Shqipërinë bindjen time se me këta të dy më keq do bëhet. Ata janë drama e Shqipërisë deri ditën kur ti largojmë nga pushteti. A do ti largojmë? Po, do t’i largojmë sëbashku. Së bashku do t’i largojmë. Me Shkodrën do t’i largojmë. Me Shqipërinë do ti largojmë. Në zgjedhjet  e 21 qershorit. Duke votuar në një referendum historik për ti thënë Jo Sundimit, Jo Gënjeshtrës në sistem, Jo krimit në sistem. Jo Ilir Metës, Jo Edi Ramës!”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Duke theksuar aktualitetin që ka sot rezistenca e të rinjve shkodranë ndaj regjimit komunist, Basha u shpreh se gjendemi para një sundimi të ri. Ai vuri theksin tek gjendja e rëndë e kriminalitetit dhe e skamjes që ka mbuluar vendin dhe Shkodrën.

“Dua të pyes çfarë i sollën Shkodrës në këto dy vite sundimtarët Rama Meta? A i sollën Punësim? A i sollën zhvillim? A i sollën investime të reja? A i sollën rrije të rrogave dhe pensioneve? A i sollën ulje të çmimit të energjisë elektrike, siç kishin premtuar? A i sollën shëndetësi falas? A i sollën arsim të garantuar për të gjithë? A i sollën rend dhe siguri? Asgjë nuk sollën. Përkundrazi, keq e më keq. Rritën çmimin e energjisë. Rritën çmimin e karburanteve. Nuk hapën vende të reja pune, por me presionin e tyre mbyllën dhjetra e qindra biznese. Flakën mijëra në mes të katër rrugëve. Shëndetësia në ditën e saj më të zezë. Mjerimi dhe varfëria shtrëngojnë lakun në fytin e çdo shqiptari, por dyshja Rama-Meta dhe lakenjtë e tyre pasurohen çdo ditë në kurriz të taksapaguesve të shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Basha para mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin 2 Prilli.

Kreu i opozitës shprehu sigurinë se ky soj, kjo oligarki nuk përfaqëson më qytetarët e vendit, nuk përfaqëson më as socialistët shkodranë të cilët edhe ata nuk ndihen asnjë ditë krenarë për qeverinë e tyre.

“Po të kishin një minimum vetëdije dhe kuptimin për qeverisjen si altar të besimit tek vlerat, tek virtytet me të mira të qytetarëve, nuk i jepnin status të privilegjuar krimit, siç nuk ka ndodhur gjëkundi në asnjë vend të Europës, nuk mbushnin Kuvendin dhe administratën e tyre me individë të njohur, me bosë dhe ushtarë të botës së krimit. Krimi është aleati i tyre për të sunduar. Me krimin janë në ortakëri për të sunduar me çdo mjet. Dhe tani, shihet qartë se me krimin janë bërë njësh, nuk dallohet ku fillon Edi Rama dhe Ilir Meta dhe ku mbaron krimi i veshur me pushtet”, pohoi Basha.

-Më poshtë, fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Të  dashur qytetarë dhe qytetare të Shkodrës,

Të dashur prindër, familjarë, të afërm, miq dhe shokë të dëshmorëve të 2 prillit, heronjve që na bashkojnë sot në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë.

Të  nderuar deputetë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë vendorë të saj,

Vëllezër dhe motra.

Zonja dhe zotërinj,

Sa herë jam në Shkodër, sa herë jam mes jush është sikur vij për herë të parë. Por kur je këtu në këtë shesh dhe mes jush me 2 prill, asgjë nuk krahasohet me emocionet që mbërthejnë këdo, kaq shumë e do ky qytet lirinë, kaq shumë e refuzon sundimin e egër, kaq shumë të frymëzon me historinë, me protestat, me heronjtë e 2 prillit, me monumentin e lirisë që ka ngritur mbi persekucionin e egër komunist të 50 viteve.

Sot, tani, tek po përkujtonim e po nderonim thellësisht 4 heronjtë e 2 Prillit nën tingujt dhe fjalët legjendare të hymnit tonë kombëtarët, rreth flamurit të përbashkuar, e ndjeva, e preka në zemrën time dhe të gjithësecilit prej jush dhe të qindra shqiptarëve që na ndjekin, se sot jemi të gjithë shkodranë, jemi të gjithë rreth Shkodrës së përbashkuar për të krijuar që këtej pranverën e shpresës, pranverën e lirisë, pranverën e rikthimit të demokracisë në themel të jetës tone, dhe të shporrjes të Ilir Metës dhe Edi Ramës.

Protesta masive popullore po zhvillohen qytet me qytet. Në këto protesta, mijëra qytetarë janë përbashkuar kundër qeverisë Rama-Meta, qeverisë të krimit të ngritur në sistem dhe lakut në fyt për shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, dhe sot ja tek vjen protesta juaj, protesta e Shkodrës, protesta e rinisë shkodrane vjen e përbashkuar në këtë përvjetor të dhimbshëm por legjendar, me një homazh fisnik për katër djem të Shkodrës, për katër njëzet vjeçarë, për Arben Brocin, Bujar Beshanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, 4 heronjtë e Shkodrës dhe demokracisë të cilët u vranë pabesisht me armë zjarri në 2 prill të vitit 1991 nga ndërtesa e komitetit të Partisë së Punës së Shqipërisë, kryeselia e rregjimit barbar dhe gjakpirës së Shkodrës dhe gjithë shqiptarëve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.

E përjetshme është lavdia e tyre në zemrat e Shkodrës e gjithë Shqipërisë. E përjetshme është buzeqeshja e tyre e drejtuar nga një e ardhme e re, me të cilën ishin lidhur fort që të katër.

Ata na mungojnë sepse nuk i kemi fizikisht mes nesh. Por ata i kemi mes nesh brez pas brezi me ëndrrën e madhe të demokratëve për një Shkodër zonjë, për një Shqipëri zonjë në familjen e kombeve të lira.

Ata janë vetë e ardhmja, njezet vjeçarë të përjetshëm që na tregojnë e ritregojnë historinë e rrugës nga u nisëm.

2 prilli i vrasjes së Arbenit, Bujarit, Besnikut dhe Nazmiut është padyshim dita e një tragjedie të pakthyeshme për familjet dhe të afërmit e tyre, për miqtë dhe shokët e tyre, për demokratët  dhe qytetarët e Shkodrës dhe për shqiptarët që e duan lirinë anembanë.

Por është në në të njëjtën kohë dita e një dëshmie të shkruar me gjakun e kulluar të bijve të Shkodrës.

E dëshmisë se tirania komuniste në Shqipëri e kishte nisur me dhunë, e kishte vazhduar me dhunë dhe po e mbyllte me dhunë si bisha që godet në grahmat e fundit.

E dëshmisë se kur fitojnë zgjedhjet, siç bënë me 31 mars 1991, dy ditë para vrasjeve të 2 prillit, nxënësit, pinjollët dhe trashëgimtarët politikë të bllokut hoxhist heqin çdo maskë dhe kthehen sërish në fis. I thërret kushtrimi i të parëve, verbohen, nuk lënë mjet pa përdorur për të sunduar në kurriz të qytetarëve, në dhunim të lirive, në shkelje të Kushetutës, ligjeve dhe standarteve demokratike.

Kjo është një dëshmi që flet e duhet t’u flasë brezave si një testament i gjallë.

Qytetarët e Shkodrës nuk harrojnë.

Rinia shkodrane e viteve nëntëdhjetë, ajo që ishte shpirti dhe forca vullkanike e demostratave antikomuniste të kohës, nuk i harron kurrë të rënët nga radhët e saj.

Rinia e sotme e Shkodrës, kjo që ka mbushur e zbukuruar sot si asnjëherë tjetër këtë shesh, nuk ka si të mos e dijë e të mos jetë krenare për historinë e këtij qyteti me emër të madh, me njerëz të mëdhenj, shembull i qytetarisë, i trimërisë dhe kurajos civile; nuk ka si të mos adhurojë e mësojë rinia e sotme nga ata që u ngritën para një çerek shekulli, që luftuan, sakrifikuan dhe fituan një botë të ndaluar, një botë të re, lirinë, hapjen, të drejtat, dinjitetin.

Kjo rini dhe ne të gjithë përkulemi sot me nderim të thellë para kujtimit të pavdekshëm të dëshmorëve të 2 prillit, heronjve tanë, heronjve të Shkodrës, heronjve të Shqipërisë.

Përkulemi dhe kujtojmë. Përkulemi, mendojmë dhe reflektojmë.

Kujtojmë fytyrat e tyre të përndritura nga ëndrra e demokracisë. Kujtojmë vrasjen e tyre të pabesë dhe kujen e Shkodrës, kujen e Shqipërisë.

Mendojmë për absurditetin e atyre vrasjeve, të cilat, përtej verdiktit që dha drejtësia, rëndojnë përjetë në koshiencën e atyre që urdhëruan të qëllohet me armë zjarri mbi rininë shkodrane nga një seli e destinuar për t’u zhdukur me turp në kujtimet më të këqija.

Mendojmë dhe reflektojmë sot për mesazhin cinik të ngjarjeve të 2 prillit, që u ka kujtuar demokratëve të kësaj kohe dhe na kujton sot e kësaj dite thënien e vjetër të popullit “ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron”, thënie aktuale, më aktuale se kurrë në qeverinë e sotme Rama-Meta të njëmijë e një të zezave.

Shkodra, qyteti bastion dhe simbol i rezitencës antikomuniste, embrioni, Jeruzalemi, Betlehemi dhe Meka e demokracisë e di mirë se trajektorja e pushtetit të punistëve në diktaturë dhe e trashëgimtarëve të tyre sot në postdiktaturë ka kaluar tre “stacione” që janë: idelogjia vrastare në sistem, korrupsioni i ngritur në sistem dhe së fundi krimi i ngritur në sistem. Kjo është trajektorja e izolimit të vendit, e poshtërimit të popullit, e varfërimit të skajshëm të qytetarëve.

Qëllimi, objektivi është i njëjti, po i pari, ai që kishin etërit dje në diktaturë.  Vetëm mjetet i kanë ndryshuar në përshtatje me kohën. Qëllimi është sundimi me çdo mjet i shqiptarëve. Sundimi është qëllimi.

Kastat komuniste dhe pinjollët e  tyre kanë njohur e njohin vetëm sundimin, por jo qeverisjen. Ata nuk kanë mësuar kurrë të qeverisin, nuk kanë mësuar kurrë se qeverisja e popullit, për popullin dhe prej popullit nuk është parullë, por vlerë  themelore e shoqërisë së lirë demokratike; nuk kanë mësuar se qeverisja është përgjegjësi, është llogaridhënie, është transparencë, se qeverisja nuk është ajo që kontrollon qytetarët, por janë qytetarët ata që kontrollojnë qeverisjen.

Këta ujq qimendërruar por zakon paharruar, po të kishin respektin minimal për konceptin demokratik të qeverisjes, pra po të mos ishin të pushtuar nga zakoni i vjetër i sundimit, nuk  flaknin në kosh, pa u skuqur, shumicën dërrmuese të premtimeve elektorale, nuk mburreshin pa turp siç i shohim të mburren se po  shtrojnë popullin në dajak, si të ishin konkuistadorë të mesjetës, nuk iu binin paturpësisht borive të propagandës dhe daulleve siç u bien ditë për ditë, ndërkohë që kriza ekonomike thellohet, përkeqësimi rritet, varfëria shtohet, dëshpërimi shtohet, revolta ngrihet.

Po të kishin një minimum vetëdije dhe kuptimin për qeverisjen si altar të besimit tek vlerat, tek virtytet me të mira të qytetarëve, nuk i jepnin status të privilegjuar krimit, siç nuk ka ndodhur gjëkundi në asnjë vend të Europës, nuk mbushnin Kuvendin dhe administratën e tyre me individë të njohur, me bosë dhe ushtarë të botës së krimit.

Krimi është aleati i tyre për të sunduar. Me krimin janë në ortakëri për të sunduar me çdo mjet. Dhe tani, shihet qartë se me krimin janë bërë njësh, nuk dallohet ku fillon Edi Rama dhe Ilir Meta dhe ku mbaron krimi i veshur me pushtet.

Ne e dimë vëllezër dhe motra se kjo oligarki nuk përfaqëson më qytetarët e vendit, nuk përfaqëson më as socialistët shqiptarë të cilët nuk ndihen asnjë ditë krenarë për qeverisjen e tyre, të cilët si demokratët, si çdo shqiptar nuk e gëlltisin dot më çorbën e prishur Rama-Meta.

Vëllezër dhe motra,

Kam ardhur disa herë në Shkodër në funskionin e kryetarit të Partisë Demokratike. Këtu nga ju kam marrë bekimin dhe frymëzimin për nisjen e re të demokratëve, për demokracinë e re për Shqipërinë. Këtu, kemi folur me zemër të hapur dhe më pas edhe në qytete të tjera të vendit për problemet, për dhimbjen, mungesën e shpresës, për vuajtjet, për pamundësitë, por dhe për shpresat tona, për zgjidhjet, për rrugët e reja. Nuk dua të përsëris çfarë kam thënë në takimet e mëparshme, por dua të pyes çfarë i sollën Shkodrës në këto dy vite sundimtarët Rama Meta? A i sollën Punësim? A i sollën zhvillim? A i sollën investime të reja? A i sollën rrije të rrogave dhe pensioneve? A i sollën ulje të çmimit të energjisë elektrike, siç kishin premtuar? A i sollën shëndetësi falas? A i sollën arsim të garantuar për të gjithë? A i sollën rend dhe siguri? Asgjë nuk sollën. Përkundrazi, keq e më keq. Rritën çmimin e energjisë. Rritën çmimin e karburanteve. Nuk hapën vende të reja pune, por me presionin e tyre mbyllën dhjetra e qindra biznese. Flakën mijëra në mes të katër rrugëve. Shëndetësia në ditën e saj më të zezë. Mjerimi dhe varfëria shtrëngojnë lakun në fytin e çdo shqiptari, por dyshja Rama-Meta dhe lakenjtë e tyre pasurohen çdo ditë në kurriz të taksapaguesve të shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.

Lista e rrenave është e gjatë, të gjithë e kanë parasysh. Por nuk mund të themi se nuk kanë sjellë asgjë, apo jo? Kanë sjellë varfëri të madhe në Shkodër, kanë sjellë poshtërim të Shkodrës si askush para tyre, kanë sjell krim në Shkodër.

Ky qytet ka ecur gjithnjë në një korsi tjetër, kulturën ka zgjedhur, dijen ka zgjedhur, Europën ka zgjedhur. Kur hyn në Shkodër, tek tabela e Bunës shikon që tregon Zagrebin, Gracin, Vjenën. Ka hënën e vet të mbarë Shkodra dhe shkodranët, por ditë të këqia erdhën pas 23 qershorit. Nuk ishte zgjedhja juaj që banditët të merrnin në dorë qytetin, ishte paja e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Jemi pra nën një sundim njësoj asfiksues si 24 vjet më parë. Jemi nën thundrën e një diktature të re, të pushtetit veshur me krim dhe krimit veshur me pushtet. Por Shkodra nuk mban më. Shkodranët nuk mbajnë më. Shqiptarët nuk durojnë më.

Varfëria dhe kriminalizimi janë dy veprat e mëdha, veprat e zeza dhe të pabesa të Edi Ramës dhe Ilir Metës në dy vitet e sundimit  të tyre.

Me të njëjtën pabesi që regjimi komunist vrau 4 bijtë tuaj në 2 Prill, u sollën Rama dhe Meta me Shkodrën dhe me qytetarët shqiptarë. Firmosën paktin e krimit më 1 Prill, marrëveshjen e zezë të rrenave dhe mashtrimeve, morën votën dhe i prenë në besë shkodranët, prenë në besë gjithë Shqipërinë.  Kam hidhërim të madh ta them, por e ndaj sot me ju, me gjithë Shkodrën, me gjithë Shqipërinë bindjen time se me këta të dy më keq do bëhet. Ata janë drama e Shqipërisë deri ditën kur ti largojmë nga pushteti.

A do ti largojmë? Po, do ti largojmë sëbashku. Së bashku do t’i largojmë. Me Shkodrën do ti largojmë. Me Shqipërinë do ti largojmë.

Në zgjedhjet  e 21 qershorit.

Duke votuar në një referendum historik për ti thënë Jo Sundimit, Jo Gënjeshtrës në sistem, Jo krimit në sistem. Jo Ilir Metës, Jo Edi Ramës!

Shpëtimi nga e keqja që ka mbërthyer  vendin  dhe çelja e një të adhmjeje të re që ka për kryefjalë zhvillimin, sigurinë, dinjitetin, punën, ekonominë, është vepër e Partisë Demokratike, është detyrë e opozitës, është detyra ime dhe iu jap fjalën në këtë shesh se do ta përmbush me sukses para jush dhe gjithë shqiptarve.

Por, zonja dhe zotërinj, shpëtimi nga e keqja, shpëtimi nga e zeza që ka mbërthyer sot vendin është më shumë se kurrë detyrë e gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkuar pa dallim.

Së bashku, më të bashkuar se kurrë, të bashkuar si para 24 vitesh,  do t’ia dalim.

Askush që ka në zemër idealet e pastra të lirisë dhe atdhedashurisë nuk duhet të mungojë në këtë bashkim. Gjithkush që ka këto ideale mirësevjen, mirësevini.

Shkodra dhe shkodranët do të jenë në ballë. Shkodra ka barrën dhe  nderin të mbajë lart pishtarin e idealeve pa mort të lirisë, të  vendoset e para kundër ngritjes së krimit në sistem nga oligarkia Rama-Meta, t’u bëjë me dije se nuk mund  ta poshtrojnë Veriun, nuk mund të poshtrojnë Jugun, nuk mund të poshtrojnë Shkodrën. Shkodra ka barrën dhe nderin të përqafojë ofertën e re të demokracisë së re. Ndaj ndizini furnaltat e zemrave shkodrane.

Tiktaku i orës në çdo rrahje afron fundin e pashmangshëm të sundimit oligarkik Rama-Meta.

Ora e sovranit është afër.

Krimi në pushtet i ka ditët të numëruara.

Fitorja e Shkodrës, fitorja e qytetarëve është më afër se kurrë.

Dëshmorët e demokracisë janë frymëzimi jonë.

Rroftë Shkodra

Rroftë Shqipëria


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 2 Prill 2015