Fyerja e kryeministrit ndaj popullit të tij, theksoi zoti Basha është e njëjtë me deklaratat e ultranacionalistit serb Nikoliç. Problemi i shqiptarëve, tha Basha nuk janë aspiratat por qeveritarët e paaftë.
“Kryeministri i të keqes nga Tirana tha se fajin për varfërinë dhe për krizën ekonomike e kanë shqiptarët sepse ata janë një popull pa aspirata. Ti thuash shqiptarëve një popull pa aspirata do të thotë të jesh jo vetëm cinik, arrogant dhe i pashpirt por të fyesh një popull të tërë siç nuk e ka bërë askush dhe siç e ka bërë vetëm Nikoliç dhe paraardhësit e tij. Fajin për krizën ekonomike nuk e kanë shqiptarët, por e kanë ata që sollën papunësinë, që sollën taksat e larta, që mbyllën dyert e bizneseve, ky është thelbi i të keqes që ka kapur sot për fyti shqiptarët, që ka kapur për fyti ekonominë tonë dhe që po shtyn njerëzit drejt eksodit”.
Shqipëria reale, tha zoti Basha është larg Shqipërisë që jetojnë pushtetarët tanë. Qytetarët vuajnë për bukën e gojës ndërsa qeveritarët jetojnë në luks të shfrenuar si pasojë e korrupsionit galopant ku janë zhytur.
“Ju gënjen mendja se me fasada dhe truke propogandistike mund të pikturojnë një Shqipëri ndryshe nga kjo që prekni ditë për ditë, nga kjo që prekni ju ditë për ditë Shqipërinë e halleve, të mundimeve, të derteve, Shqipërine e papunësisë, të varfërisë që shtohet e thellohet dita -ditës. Nuk kanë si t’a kuptojnë realitetin sepse vetë jetojnë në një botë tjetër, janë zhytur në një luks të paparë”.
Zgjedhjet e 21 qershorit theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha janë mundësia e qytetarëve për të ndëshkuar me votë të keqen që ka pushtuar vendin dhe ka shtyrë qytetarët drejt emigrimit.
“21 qershori është dita e ndarjes me votë plebishitare të gjithë qytetarëve të lirë nga regjimi i varfërisë dhe i mjerimit, nga regjimi i padrejtësisë dhe i fjalës së pambajtur, i besprerjes së qytetarëve nga regjimi i mashtrimeve dhe i dështimeve, i pashpirtësisë dhe i cinizmit pakufi”.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Prill 2015