Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie në Lushnje z.Darien Xhindoli, në Kavajë z.Engjëll Cara, në Rrogozhinë z.Eqrem Deliu dhe Divjakë z.Irakli Gorea.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se vota e 21 qershorit  është dhe duhet të jetë vota plebishitare e ndarjes nga politika e lakut në fyt  dhe politikës së gabuar që ka çuar qytetarët në kufijtë e mbijetesës. Ndërsa qytetarët përballen sot me sfidën e bukës së gojës dhe të vetmen shpresë kanë  emigrimin,  kryeministri turist bredh nga njeri vend i botës në tjetrin duke injoruar një popull të tërë të cilin e ka zhytur në varfëri dhe mjerim.

“Ne sot përballemi me qytetarët në Lushnje dhe në gjithë Shqipërinë, që nga mungesa e shpresës kanë marrë rrugët e kurbetit. Qytetarët ikin nga varfëria, Edi Rama ikën sepse nuk do të dëgjojë dhe nuk do të shikojë sepse nuk ia ndjen për problemet e qytetarëve. Le t’i japim fund këtij regjimi të pashpirt. Asnjë të mos qëndrojë në shtëpi, të gjithë bashkë, të djathtë e të majtë t’i themi jo skllavërisë së re”.

Nga Kavaja kryetari i PD-së theksoi se bashkimi i shqiptarëve do ta ndalë të keqen dhe krimin që ka depërtuar deri tek nivelet më të larta të drejtimit të qeverisjes.

“Kudo shoh e prek stagnacionin, ecjen mbrapa, depresionin ekonomik, papunësinë dhe vrasjen e shpresës që janë gjëmat e mëdha të Rilindjes së Ilir Metës, Edi Ramës dhe Ervin Alias Elvis Rroshi. Në 21 qershor është ora juaj. Forca juaj është e papërballueshme nga çdo oligark, është e papërballueshme nga çdo kriminel, nga çdo pazarxhi, është forca e ndryshimit njëherë e përgjithmonë”, theksoi Basha.

Në Rrogozhinë qytetarët i shprehën z.Basha revoltën e tyre për prishjen e ndërtimeve  pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë kompesim. Z.Basha theksoi se qytetarët kanë sot një qeveri që kujdeset vetëm për të zbrazur xhepat e qytetarëve dhe mbushur xhepat e saj.

“Në këto dy vite asnjë vend i ri pune nuk është hapur, përkundrazi, mijëra vende pune janë mbyllur për shkak të politikës të taksave të larta, të arbitraritetit dhe të arrogancës së qeverisë. Ndërkohë që qeveria bën goditje selektive, sheshon dhe godet banesat, bizneset e të pamundurve. Ndërkohë që sarajet e klientëve dhe miqve të tyre hedhin shtat në Rrogozhinë, në Kavajë, në Surrel, në Qeparo dhe gjithë Shqipërinë”.

Çdo qytetar, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, i majtë e i djathtë, është sot i zhgënjyer, i mashtruar nga kjo qeveri. U mori votën me premtime të mëdha, por sot i vetmi rezultat është eksodi.

“Le t’i pyesim këta votues të 23 qershorit të cilët janë këtu sot, dyfish më të zhgënjyer se votuesit tanë. A kanë të ardhura më shumë se dy vite më parë? Apo shesin më shumë dhe më mirë se dy vite më parë? Përgjigja që ju jepni sot këtu është përgjigjja që dëgjojmë në çdo shesh, është përgjigjja e mjerimit pa skaj që ka sjellë politika e dështuar”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29 Prill 2015