Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma takoi gratë dhe vajzat e një prej bizneseve fason në qytet. Duma u shpreh se Durrësi ka një shans për ti kthyer shpresën e për të pasur më shumë punë.

“Nuk do t’u them më jepni votën mua sepse atë do e bëni si ta ndjeni vetë. Ajo që unë kam detyrë të them është që kemi një shans. E kemi bashkë këtë shansin sot të bëjmë dy gjëra të mëdha. Ta bëjmë Durrësin siç e meriton një qytet që të sjellë më shumë punë, për fëmijët dhe për vetë ne me një rrogë më dinjitoze. Dhe këtu falenderoj me mirënjohje biznesin që arrin të mbijetojë edhe në kushte të vështira”, tha Duma.

Kandidatja për Durrësin shtoi se qyteti dhe rrethinat e tij në bashkinë e re, kanë një potencial të vërtetë për të dalë nga varfëria. Ajo tha se do të punojë për një model tjetër, më afër qytetarëve dhe biznesit

“Jetoni në një qytet të mrekullueshëm. Realiteti i një qyteti me port. Realiteti e një qyteti me plazh. Realiteti e një turizmi që mban gjithë turizmin e Shqipërisë përfundon që të jetë më i varfër në përgjithësi se sa mesatarja e Shqipërisë. Nuk mund dhe duhet të mbarojë ku skalvari që skeni shpresë nesër. Kam ardhur me shpirt për ta marrë Bashkinë e Durrësit, për të pasur një model si ne, për të pasur një model me dashuri. Ajo që ju kërkoj është hajdeni me mua në një projekt tjetër, në një tjetër qytet dhe të bëjmë me mirënjohje ndaj këtij biznesi dhe ndaj shumë bizneseve të tjera, një gjë që të nesërmen ta ketë më të mirë”, tha Duma.

Ajo mori mbështetjen e grave dhe vajzave të pranishme duke shpresuar tek modeli ndryshe e zonjës Duma. “Shpresa vdes gjithmonë e fundit. Ne shpresojmë dhe kemi besim të plotë tek ju. Dhe shpresojmë që çdo gjë të realizohet. Ne do të jemi gjithmonë pas jush”, tha një punonjëse.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Prill 2015