Mijëra qytetarë të Vlorës protestuan sot në sheshin Pavarësia kundër varfërisë, papunësisë në rritje, padrejtësive dhe krimit në qeverisje. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se bashkë me vlonjatët, i gjithë vendi është bashkuar në një revoltë mbarëqytetare, ndërsa kryeministri është zhdukur nga Vlora bashkë me premtimet e tij.
“U kthye përmbys për keq, dhe në vend të mrekullisë që do sillte Edi Rama, kanë pllakosur ditë të vështira, dëshpërim, varfëri, papunësi, skamje. Asnjë zhvillim, asnjë vend i ri pune.
Ato që deputeti i parë i Vlorës i fryn me pompën e propagandës janë ca copa letrash dhe shkarravina që nuk i hyjnë askujt në xhep, se vlonjatët kanë humbur shpresën, kanë humbur besimin dhe nuk shohin një ditë të mirë në jetën e tyre.
Qeveria, dyshja Rama-Meta ju ka braktisur, janë zhdukur bashkë me premtimet e tyre të fushatës. Nuk gjenden në asnjë lloj forme”, tha Basha.
Përpara qytetarëve vlonjatë, kreu i opozitës u shpreh se 21 qershori do të jetë dita e gjykimit për keqqeverisjen e Ramës dhe Metës.
“Nuk ka asgjë më të pushtetshme se bashkimi i qytetarëve për kauzën e tyre të drejtë, si ky bashkim sot në këtë shesh. Pushteti i vërtetë janë njerëzit, jo njerëzit me pushtet.
21 qershori po afron. Eshtë dita e gjykimit për të gjitha mashtrimet, mbrapshtitë dhe keqqeverisjen Rama Meta. Jam i bindur se Vlora, kjo gjykatëse e rreptë e hijerëndë do të dijë t’i japë përgjigjen e merituar një oligarkie që nuk i llogarit qytetarët, që i ka fshirë sikur të mos ekzistonin.
E keni parë se si po rend kryeministri të kapë çdo parti që mundet, çdo sahanlëpires që vjen vërdallë. Është shumë e qartë për këdo pse po ndodh kjo. Edi Rama i tërheq sepse e di tashmë se ka humbur mbështetjen e socialistëve që janë socialistë dhe nuk i lidh asgjë me pazaret e tij, nuk i lidh asgjë me malavitën. E ndjen se i është gërryer mbështetja dhe legjitimiteti. Ai e di mirë se kuotat i kanë rënë në fund. Prandaj e bën. E bën se përballja me votën e qytetarëve është makthi i tij. Është makthi i mashtruesit kur duhet të përballet me të vërtetën.
Kot e ka. Nuk clirohet dot nga ankthi duke ulur ca mashtrues më shumë në tryezën e mëkateve dhe gjynaheve kundër shqiptarëve”, tha Basha
Kryetari Basha ftoi vlonjatët dhe gjithë shqiptarët të bashkohen me opozitën për të dalë nga skamja që ka pllakusur në të gjithë vendin.
“Koalicioni i Partisë Demokratike është me qytetarët e këtij vendi. Kjo është tryeza jonë! Ky shesh është aleanca jonë! Si sot këtu në Vlorë, dje në Shkodër, në Kukës e Sarandë, në Durrës e Dibër, në Korçë e Elbasan, në Lezhë e Gjirokastër, kudo me njerëzit për njerëzit.
Me ju dhe gjithë ata që sot përtej siglave apo ngjyrave të partive janë pa punë, nuk sigurojnë dot bukën e gojës, nuk paguajnë dot faturat e dyfishuara të energjisë, çmimin e karburanteve, nuk blejnë dot ilaçe, nuk përballojnë dot spitalet e kripura që u premtuan “falas”, ata që nuk kane mundësi të çojnë fëmijët nëpër universitete për shkak të tarifave të rritura.
Me ju dhe me qindra mijë shqiptarë që janë kredhur në mjerim e skamje e që nuk pranojnë të kundrojnë asnjë ditë më shumë qeveritarët që po ndajnë milionat e tenderave”, deklaroi Basha.
Ai u shpreh se oferta e re e Partisë Demokratike do të krijojë vende pune, mirëqënie e siguri.
“Vlora si gjithë vendi ka nevojë për një ofertë të re, për një qeverisje të përulur para qytetarëve e jo që krekoset mbi ta me dhunë e me arrogancë. Për një qeveri që dëgjon e vendos bashkë me ju. Për një qeveri që ekziston për kërkesat, hallet e shpresat tuaja. Duke ulur taksat, duke krijuar vende pune, duke hapur kantiere zhvillimi, duke sjelle rend e siguri”, pohoi Basha.
Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha:
Miq të dashur
Vlonjatë e vlonjate
Zonja e zotërinj
Ky shesh quhet Pavarësia, sepse Vlora e ka qendisur me dorën e vet fatin në histori.
Eshtë privilegj dhe emocion i madh të ngjitem këtu sot, këtu ku është zanafilla e shtetit shqiptar.
Me të drejtë, shumë herë mblidhen shqiptarët këtu për të përkujtuar të shkuarën tonë heroike.
Por më besoni miqtë e mi, nuk ka arsye më të fortë për qytetarët që të bashkohen në sheshin Pavarësia, se sa dinjiteti i tyre, se sa e ardhmja e tyre.
Dinjiteti dhe e ardhmja, sot janë të shkelura rëndë e të nëpërkëmbura këtu në Vlorë dhe në gjithë vendin, në mënyrë sistematike, ditë për ditë prej dy vitesh, nga qeveria e lakut në fyt, qeveria e krimit të ngritur në sistem, shkurt “Rama-Meta”.
Në çdo qytet, në çdo fshat të Shqipërisë, në çdo lagje dhe madje në çdo shtëpi ku kam shkuar e po shkoj, nga Jugu në Veri, kam parë e kam prekur në fjalët, vështrimet dhe dhimbjen e njerëzve, në shpirtin e tyre të njëjtën ndjenjë, : Revoltën!
Revoltën kundër pabesisë së një qeverie që grisi dhe hodhi në kosh me të kaluar lumin premtimet me të cilat mori votat!
Revoltën kundër vërshimit në drejtim dhe në pushtet të një aradhe të gjatë personash me rekorde kriminale, trafikantë, vrasës, tutotë të prostitucionit, siç nuk ka ndodhur kurrë!
Revoltën kundër fjalëve të bukura dhe gurëve në trastë të Edi Ramës me shokë që vetëm godasin në xhepat e holluar, në faturat dhe mbifaturat e kripura, në tryezat e varfëruara, në shpresat e fishkura, në ëndrrat e plagosura të qytetarëve të thjeshtë.
Revolta është mbarëqytetare, revolta është kombëtare. Dallga e saj po ngrihet kudo, shqiptarët po bashkohen pa dallime politike rreth opozitës dhe rreth Partisë Demokratike që i prin kësaj stuhie zemërimi dhe revolte të drejtë e të përligjur të njerëzve të braktisur, të harruar, të shpërfillur, të goditur e të poshtëruar nga dyshja Rama Meta dhe shushunjat e tyre.
Sot këtu në Vlorë më lejoni t’ju rrëfej me zemër të pastër: shqiptarët kudo ku jam ndalur në këtë tur protestash po pyesin e po shikojnë:
C’thotë Vlora? C’do të bëjë Vlora? A do reagojë Vlora?
Cfarë do ti thotë Vlora politikës së ndarjes së njerëzve në ca të nënës dhe shumë të njerkës?
A e pranon Vlora politikën e varfërisë dhe dajakut?
A e gëlltit Vlora krenare e kryelartë arrogancën e qeverisë që i hedh kripë me dorën e saj cinike plagëve që ju hap njerëzve cdo ditë e gajaset me rënkimet e tyre?
A i duron Vlora kulisat e ndyra me vrasës që nxirren nga dera dhe futen nga dritarja, për ti nxirë edhe më shumë shamitë e zeza të nënave dhe grave që kanë humbur bijtë dhe të dashurit të tyre nga dora e krimit të organizuar?
Shqiptarët pyesin çfarë i thotë Vlora këtyre mynxyrave të dyshes Rama Meta.
Ju po thoni “jo”, nuk i pranoni, nuk i duroni. Dhe unë kështu them: Jo.
Nuk mund t’i thotë Vlora të zezës të bardhë.
Nuk mund t’i bëjë Vlora marshalla të keqes.
Nuk mund të pajtohet Vlora me arrogancën e qeverisë.
Nuk mund të mohojë Vlora veten e saj.
Përkundrazi: Vlora po jep e do të japë shembullin e kërkimit të llogarisë deri në një. Shembullin e gjykimit dhe ndëshkimit të drejtë, me votë kundër, të gënjeshtrave dhe zullumeve.
Kryeministri që është dhe deputeti i Vlorës, ju e mbani mend, premtoi në zgjedhje një kataklizëm, se do ta kthente Vlorën përmbys, se do të bëhej mrekullia.
Vlora u kthye përmbys, por mrekullia nuk ndodhi.
U kthye përmbys për keq, dhe në vend të mrekullisë që do sillte Edi Rama, kanë pllakosur ditë të vështira, dëshpërim, varfëri, papunësi, skamje. Asnjë zhvillim, asnjë vend i ri pune.
Ato që deputeti i parë i Vlorës i fryn me pompën e propagandës janë ca copa letrash dhe shkarravina që nuk i hyjnë askujt në xhep, se vlonjatët kanë humbur shpresën, kanë humbur besimin dhe nuk shohin një ditë të mirë në jetën e tyre.
Qeveria, dyshja Rama-Meta ju ka braktisur, janë zhdukur bashkë me premtimet e tyre të fushatës. Nuk gjenden në asnjë lloj forme.
Nuk u gjenden këtu as ditën e fatkeqësisë natyrore të përmbytjeve.
Ne i kërkuam çdo orë, çdo minutë, qëkur nisën reshjet e para e derisa balta e uji mbuluan qindra shtëpi në Novoselë, Mifol, Fitore, Bisham, Boçovë, që të merrte masat e duhura, që të jepte përgjigjen e duhur, siç e kërkonte situata.
Nuk është nder që qeveria ua bën qytetarëve, është detyrimi i saj kryesor në ato kushte shpallja e emergjencës. Nuk e bëri. Refuzoi.
Kur duhet të vijë qeveria tek njerëzit, nëse nuk vjen ditën e fatkeqësisë natyrore? Pasojat janë dhe sot prezente. Menaxhimi ka qënë skandaloz, selektiv e korruptiv që ditën e parë.
Mungoi Edi Rama në ato orë kritike, por nuk harroi të bëhej prezent me cinizmin e arrogancën e pakufi, me rruspat kriminale të INUK-ut të tij, duke hedhur në tokë qindra shtëpi të lagjes Kushtrimi, duke nxjerrë në rrugë fëmijë, burra e gra, prindër e të moshuar.
Në rrugë të madhe, në qiell të hapur. Edhe sot, edhe tani që flasim. Asnjë plan për strehimin e tyre, asnjë plan për dëmshpërblimin e tyre.
Kjo është qeveria që duan vlonjatët?
Nuk gjendet afër me ndihma kur qytetari është i pamundur dhe i dorëzuar para natyrës dhe vjen me dhunë e bën hi pasurinë e mundin e një jete, bën atë dëm që nuk e shkakton asnjë përmbytje e asnjë tërmet.
Qeveria ka mbërritur këtu në fakt edhe me metoda të tjera ndëshkimi e shtypje të qytetarëve. Rama-Meta janë mes jush cdo ditë cdo orë si brenga, halli dhe rropatja e përditshme e cdo Vlonjati dhe Vlonjate.
Kush e rriti faturën e energjisë sic e keni provuar prej dy muajsh se paguani gati dyfish më shumë nga xhepi juaj.
Kush i rriti taksat, kush merr një pjesë të madhe të mundit tuaj kur çdokush që punon me djersën e tij mezi ia del të mbyllë muajin?,
Kush e rriti dy vjet me rradhë taksën e qarkullimit dhe e coi cmimin i naftës për shqiptarët më të lartin në rajon?
A dini ju sot, dy vite pasi ka ardhur në pushtet, të ketë bërë qeveria, Edi Rama, një gjë të vetme, një akt të vetëm që ka përmirësuar jetën tuaj?
As edhe një. A njihni ju një njeri më të lumtur në rrethin tuaj miqësor e shoqëror. Demokrat socialist apo pa parti.
Eshtë në fakt dikush i lumtur, dhe kjo është meritë e Edi Ramës. Një gjë që s’mund t’ia mohojmë. Eshtë Koço Kokëdhima. Hija e tij është pas çdo vendi pune këtu, pas çdo tenderi korruptiv, pas çdo prone, pas çdo pasurimi të paligjshëm.
Ky është modeli i qeverisjes Rama-Meta. Kjo është oligarki. Kjo është pakica që sundon shumicën. 2-3 palë duar që zgjaten, gllabërojnë e përvetësojnë gjithçka. Fondet publike e tokat e bredetit tuaj të mrekullueshëm.
Miqtë e mi,
Nuk është vetëm kriza ekonomike, padrejtësitë dhe shpresa e vrarë që risolli këtu në Vlorë kujtimet e eksodit masiv, pak kohë më parë.
Pasiguria është në nivele alarmante, krimi po godet pareshtur.
Kanë ardhur ditë të mira për krimin, se krimi ka njerëzit e vet në qeverisje.
Nëse një të akuzuar në Itali për një akt të tmerrshëm, për rrëmbimin e një vajze të mitur, e bën kryetar të Këshillit të Qarkut, i ke thënë krimit; puna e mbarë.
E ke nxitur krimin të dalë nga skuta e të shfaqet hapur me gjithë mizorinë e tij.
Në poste kyce, në institucione, deri në parlament i solli Edi Rama banditët e mynxyrave, e ktheu këtë në normë.
Cfarë lajmesh vijnë nga Tirana prej gati dy muajsh. Kryetari i kuvendit akuzohet për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Akuzën e bën superdeputeti tjetër i Ramës, ai i Veriut.
Kryeministri di gjithçka dhe për 6 muaj bashkë me Ministrin e përpiqen të bëjnë pazare si në tryezat e Koza Nostras. Kur s’ia dalin dot, krahu më i pushtetshëm i Mafias dominon.
Këtë bënë duke manipuluar hetimin, që arriti kulmin me manipulimin e dëshmitarit kyç. Erdhi kërkesa nga Brukseli për deputetin tjetër të Ramës. i akuzuar për vrasje dhe prostitucion. Edi Rama, fshehu letrat e Interpolit të vendit mik, derisa deputeti foli, cicëroi atë që deshi dyshja në krye.
Ky nuk është film. Kjo është kronika e dramës së madhe që ka zënë këtë vend, e rënies së shtetit dhe ligjit, e zëvendësimit të qeverisjes me sundim kriminal, ku kryeministri e kryetari i parlamentit janë përfshirë kokë e këmbë në këto kanale të punëve të zeza.
Ky është sezoni më i mirë për krimin, ndaj vrasjet janë shtuar, atentatet janë shtuar, grabitjet me maska janë shtuar, pasiguria është shtuar.
A është ky vendi që meritojnë Vlonjatët?
Këtë pasiguri, këtë varfëri, këtë dëshpërim, meritojnë vlonjatët e shqiptarët?
Këta do të vendosin për ju, për fëmijët tuaj?
Këtyre do ua lëmë të ardhmen tonë?
Unë them jo.
Ky shesh sot thotë jo.
Vlora është në këmbë.
Vlora refuzon klikën, refuzon krimin, refuzon skamjen.
Miqtë e mi vlonjatë
Nuk ka asgjë më të pushtetshme se bashkimi i qytetarëve për kauzën e tyre të drejtë, si ky bashkim sot në këtë shesh. Pushteti i vërtetë janë njerëzit, jo njerëzit me pushtet.
21 qershori po afron. Eshtë dita e gjykimit për të gjitha mashtrimet, mbrapshtitë dhe keqeverisjen Rama Meta. Jam i bindur se Vlora, kjo gjykatëse e rreptë e hijerëndë do të dijë t’i japë përgjigjen e merituar një oligarkie që nuk i llogarit qytetarët, që i ka fshirë sikur të mos ekzistonin.
E keni parë se si po rend kryeministri të kapë çdo parti që mundet, çdo sahanlëpires që vjen vërdallë. Është shumë e qartë për këdo pse po ndodh kjo. Edi Rama i tërheq sepse e di tashmë se ka humbur mbështetjen e socialistëve që janë socialistë dhe nuk i lidh asgjë me pazaret e tij, nuk i lidh asgjë me malavitën.
E ndjen se i është gërryer mbështetja dhe legjitimiteti. Ai e di mirë se kuotat i kanë rënë në fund.
Prandaj e bën. E bën se përballja me votën e qytetarëve është makthi i tij. Është makthi i mashtruesit kur duhet të përballet me të vërtetën.
Kot e ka. Nuk clirohet dot nga ankthi duke ulur ca mashtrues më shumë në tryezën e mëkateve dhe gjynaheve kundër shqiptarëve.
Koalicioni i Partisë Demokratike është me qytetaret e këtij vendi.
Kjo është tryeza jonë! Ky shesh është aleanca jonë! Si sot këtu në Vlorë, dje në Shkodër, në Kukës e Sarandë, në Durrës e Dibër, në Korçë e Elbasan, në Lezhë e Gjirokastër, kudo me njerëzit për njerëzit.
Me ju dhe gjithë ata që sot përtej siglave apo ngjyrave të partive janë pa punë, nuk sigurojnë dot bukën e gojës, nuk paguajnë dot faturat e dyfishuara të energjisë, çmimin e karburanteve, nuk blejnë dot ilaçe, nuk përballojnë dot spitalet e kripura që u premtuan “falas”, ata që nuk kane mundësi të çojnë fëmijët nëpër universitete për shkak të tarifave të rritura.
Me ju dhe me qindra mijë shqiptarë që janë kredhur në mjerim e skamje e që nuk pranojnë të kundrojnë asnjë ditë më shumë qeveritarët që po ndajnë milionat e tenderave e konçesioneve me miqtë e klientët e tyre.
Me ju është aleanca jonë. Me të rinjtë e të rejat që duan siguri, duan besim, duan të ardhme, duan shpresë, duan punë dhe dinjitet.
Me ju do të përfshijmë në listat e këshilltarëve, qytetarë, djem dhe vajza burra dhe gra, më të mirët prej jush, të arsimuar e me integritet, ata që vërtet duan zhvillimin e qytetit të tyre.
Vlora si gjithë vendi ka nevojë për një ofertë të re, për një qeverisje të përulur para qytetarëve e jo që krekoset mbi ta me dhunë e me arrogancë.
Për një qeveri që dëgjon e vendos bashkë me ju.
Për një qeveri që ekziston për kërkesat, hallet e shpresat tuaja.
Duke ulur taksat, duke krijuar vende pune, duke hapur kantiere zhvillimi, duke bërë rend e siguri.
Ne jemi gati, oferta e re është gati.
Do ndahemi nga e keqja, ditë të mira do të vijnë për Shqipërinë.
Me Vlorën e historisë.
Me Vlorën e Pavarësisë.
Me Vlorën e drejtë të mençur dhe bujare.
Për punë, siguri e dinjitet.
Për një ekonomi të fortë dhe të ardhme të sigurtë.
Me vlonjatët dhe gjithë shqiptarët.
Zoti e bekoftë Vlorën.
Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike 4 Prill 2015