Kandidati Gjergji Mero:” Fitorja ime,  do të jetë  fitorja e njerëzve në nevojë dhe me aftësi të kufizuara”.

Kandidati për bashkinë e Korçës, profesor Gjergji  Mero, u takua sot me shoqatën e personave me aftësi të kufizuar (PAK),  të cilët në Korçë arrijnë deri në 7 mijë vetë. Kryetari i shoqatës z. Maksim Rushi tha se kjo kategori është mashtruar me premtime nga ish- kryebashkiaku Peleshi dhe ai aktual Filo dhe asgjë nuk është realizuar nga kërkesat e bëra nga PAK. Këta njerëz të sëmurë dhe pa përkrahje nuk kanë asnjë strehëz në Korçë nga shërbimi social dhe janë goditur rëndë nga reforma e pensioneve. Sipas z. Rushi pagesa që ata merrnin para dy vitesh ishte afro 10 mijë lekë të reja ndërsa sot është reduktuar në 2 mijë deri në 2 mijë e 500 lekë , para të cilat nuk mjaftojnë as për bukën e gojës e jo më për ilaçe dhe kurim. Kandidati Mero tha se kjo shtresë duhet të ishte prioritet për shërbimet e bashkisë  dhe se me  programin e tij, ata  do të sigurojnë bashkëpunimin ligjor social, ngritjen e qendrës  së PAK dhe do të kenë një kujdes të veçantë nga shërbimi social.

“Mbështetja juaj është detyrim dhe përgjegjësi e madhe për mua, nevojat tuaja jetike janë domosdoshmëri  për zgjidhje si nga bashkia ashtu edhe nga qeveria”. Prioritet  tjetër i bashkisë së ardhshme  tha z. Mero do të jetë dhënia e bursave për fëmijët e personave me aftësi të kufizuara për edukim dhe punësim. Qasja e deritanishme e pushtetarëve lokalë  për shfrytëzimin e PAK vetëm për vota është jo njerëzore, dhe turpëron qytetarinë  tha z. Mero.

Kryetari i shoqatës z. Rushi duke falenderuar z. Mero për mbështetjen e kauzës së PAK, shprehu bindjen se Korça do të votojë intelektualin, njeriun social që mban fjalën dhe që bashkinë do ta mbajë hapur për hallet dhe problemet e shumta të kësaj shtrese.

Fitorja ime tha z. Mero,  do të jetë  fitorja e njerëzve në nevojë dhe me aftësi të kufizuara”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Maj 2015