Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorë të Laprakës dhe dëgjoi shqetësimet e tyre. Problemet me insfrastrukturën dhe mosrespektimi i personave me aftësi të kufizuara, janë dy çështje për të cilat Halim Kosova u angazhua për zgjidhje.
“Çdo projekt do të ketë një datë fillimi e një datë mbarimi. Po të ketë një datë fillimi, një datë mbarimi, dhe mbaron kjo e pastaj fillon një tjetër, unë them do të jetë shumë e vlefshme për qytetarët . Afati i përcaktuar dhe i zbatuar me regorizitet. Dhe një gjë të vlefshme për lagjen, për qytetin, për shtëpinë, mos të kthehet në një bezdi të pafund”.
Halim Kosova u tha banorëve se ai është si ata, qytetar që kërkon një qytet më të mirë. Kosova shprehu vendosmërinë për t’u qëndruar punëve mbi kokë e për të analizuar e ushtruar përgjegjësi kur projektet nuk ecin si duhet.
“Unë jam si ju por që kam pranuar disa përgjegjësi më shumë. Do ta shohim me imtësi pse ka ngecur. Janë njerëzit, ata që e kanë marrë përgjegjësinë dhe nuk janë njerëzit e duhur, nuk kanë respektuar afatet, kanë devijuar ndonjë një fond të rrugës ?! Do ti shoh me imtësi dhe të jeni të sigurtë që do t’i bëj parandalimin çdo situate të papëlqyeshme”.
Një person me aftësi të kufizuar, i rrëfen Halim Kosovës kalvarin e tij të vuajtjeve të përditshme. Ai nuk ka marrë prej muajsh pagesën e invaliditetit.
“Unë tani sapo u ktheva nga Ministria e Çështjeve Sociale dhe më priti ajo sekretarja tek recepsioni me një përgjigje; shko tek Bashkia. I thashë po përderisa Bashkia ka dhënë kujdestarinë si ka mundësi që nuk i paska kaluar dhe këto? Jo po tha aq sa na kanë kërkuar fonde aq u kemi dërguar. Ne paguajmë dritat e ujin. Tre herë në muaj, çdo ditë më vjen policia kontroll aty, kontroll këtu. Shko kapni ata, po vidhen bankat përditë dhe asnjë s’kapet. Edhe vijnë e na ngacmojnë ne invalidëve, fukarallëkun”.
“Bashkia duhet të jetë përgjegjëse për çdo hall, për qytetarët tanë. Dhe Bashkia duhet të përgjigjet në të ardhmen, ti marrë kompetencat dhe nuk duhet të rrijë kjo në duar të politikës dhe të bindjeve të tyre. Unë jam i sigurtë se edhe ato lekë që ju prisni janë shumë minimale. Por duhet të punojmë të gjithë, duhet të hapim projekte, duhet të ecim përpara në mënyrë që edhe juve që nuk mundeni t’iu vijë siç e meritoni”, u shpreh Kosova.
“Shpresojmë tek ju”.
Halim Kosova teksa takon të rinj në rrugët e Laprakës, shprehet se do të donte që situata të mos ishte kjo.
“Jam i sigurtë se po të kishit nga një vend pune nuk do të mblidheshit sot dhe unë do isha më i kënaqur sikur mos më priste njeri kështu paraditeve. I jap dorën shumë vetëve që kanë muskuj por që s’kanë mundësi të punojnë dhe kjo është e trishtueshme për qytetin se vetëm me punë mund të vijnë të ardhurat. Kështu që, do të çajmë të gjithë përpara që t’ia hapim projektet Tiranës, t’ia hapim prespektivën Tiranës dhe pse jo të rregullojmë çdo gjë që nuk ka shkuar mirë”, deklaron Halim Kosova.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Maj 2015