Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarët në Berat, Fushë – Mbret të Elbasanit dhe në Peqin. Z. Basha është njohur me shqetësimet e banorëve për papunësinë, çka i ka vënë në kufijtë e mbijetesës. Listat nëpër dyqanet e bukës dhe ushqimeve janë rritur aq shumë sa nuk u japin më as veresie. Bizneset po shkojnë drejt falimentimit, për shkak të rritjes së taksave, çmimeve dhe gjobave korruptive të punonjësve të Tatim – Taksave.
Banorët shprehën shqetësimin për largimet me të padrejtë nga skema e ndihmës ekonomike dhe futjes në të, të miqve dhe familjarëve të qeveritarëve.
Banor: Gruan e kam 80 për qind qorre, më kanë hequr edhe përkrahjen. Çunin e kam sëmurë, vet jam papunë, jam 60 vjeç, ku do ushqehem? Jam pa bukë, më beso, mos më beso. Hajde shiko shtëpinë, po pata për të ngrënë, më dënoftë Zoti lart!
Basha: “Në qoftë se shumica prej jush këtu në Berat, të djathtë e të majtë, mendoni se kjo nuk është aspak rruga e duhur, e punësimit, e pakësimit të varfërisë, e së ardhmes dhe perspektivës për të rinjtë, t’i japim një mesazh të fortë me votën tonë, me një votë kundër papunësisë, kundër varfërisë, kundër mos mbajtjes së premtimeve dhe kundër mosbërjes asgjë për të mbajtur premtimet”.
Rritja e çmimit të energjisë dhe papunësia ka bërë të pamundur pagesën, i thanë zotit Basha banorët në Fushë – Mbret të Elbasanit. Miliona euro janë hedhur në investime luksi në Elbasan të cilat nuk kanë hapur asnjë vend të ri pune, vetëm kanë mbushur xhepat e qytetarëve dhe rritur borxhin për qytetarët. Taksat janë rritur, çmimet janë rritur, tha zoti Basha, ndërsa buxhetit të shtetit i mungojnë 100 milionë dollarë vetëm në katër muaj.
Banor: “Kemi shku në fund për copën e bukës, po vuajmë, energjia elektrike është ngritur shumë, nuk jemi në gjendje ta paguajmë, mor bir!”
Basha: “Taksat i rrit, çmimin e energjisë e rriti, akcizën e naftës e rriti. Të paktën të lante borxhin. Jo e rriti edhe borxhin. Ku janë paratë? Të paktën të mbaronte rrugën, as rruga nuk mbaron. Ku janë paratë? Ku janë 100 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit për periudhën janar-prill. Përgjigja vjen me votë me 21 qershor. Do pranoni me votë me 21 qershor këtë regjim gënjeshtar, mashtrues që nuk hap vende pune, që vjedh nga lekët e taksave apo do ta refuzoni?”
Situata e rëndë ekonomike ka detyruar shumë familje dhe të rinjtë që ka Peqini të emigrojnë. Pronari i një bari i tha z. Basha se dhe kafen që kushton 40 lekë e pijnë me emrin në listë. Në dy vjet, Peqini nuk ka pasur asnjë investim, janë ndërprerë subvencionet për fermerët e nga ana tjetër janë rritur taksat dhe çmimet. Kryetari i PD tha se 21 qershori është momenti për të ndëshkuar me votë keqqeverisjen dhe për të miratuar ofertën e zgjidhjes së halleve dhe problemeve të qytetarëve ofertën e investimeve që hapin vende pune dhe jo atyre që mbushin xhepat e qeveritarëve.
Tregtare: “Vjen fëmija i vogël do akullore, më dhimbset, nuk ka lek për të blerë akullore. Ku ti gjej unë? Vjen pijë një kafe 400 lekë, 300 lekë të vjetra shkruaj emrin se nuk kam. Ku do të vejë ky popull? Ku do të vejë ky njerëzim? Po ikin të gjithë në Gjermani nga e keqja.”
Basha: “Nuk gënjehet më njeri me thesin e miellit. Në këtë kohë krize njeriu ka nevojë për zgjidhje të vërteta, zgjidhje të mëdha. Ne kemi një platformë të ulim me 25% çmimin e energjisë dhe të falim të gjitha kamatë-vonesat, të ulim taksat në nivelin më të ulët në Ballkan. Të imponojmë taksën e sheshtë dhe të punojmë së bashku për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ndihmë ekonomike dhe financiare për ata që prodhojnë dhe punojnë për ti qëndruar në krah njerëzve të punës dhe punës së ndershme. Cila është oferta nga krahu tjetër? Sharje, fyerje!”
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24 Maj 2015