Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua me banorë të Petrelës dhe Vorës.  Mungesa e mbështetjes dhe subvencioneve për bujqësinë, rritja e çmimit të energjisë  dhe fuqisë blerëse kanë qenë shqetësimet që banorët e Petrelës i kanë shprehur kryetarit të opozitës. Dy vjet më parë, Edi Rama u premtoi subvencione, ulje të çmimit te naftës dhe subvencione por edhe pse qeveria po bën dy vjet në pushtet, banorët shprehen se nuk kanë parë ende asgjë. Zoti Basha theksoi në fjalën e tij që Rama-Meta, jo vetëm nuk mbajtën premtimet por votuan kundër dhe propozimeve të Partisë Demokratike për t’u ardhur në ndihmë fermerëve. 

“Premtuan që do të hiqnin akcizën e naftës për bujqësinë, premtuan një fond prej 40 milionë dollarësh në vit për bujqësinë. A kanë parë gjë fermerët e Petrelës nga këto fonde? Sa prej jush kanë marrë subvencione në këto dy vite? Ne i çuam propozimet  që ju të paguanit më pak kur blini farërat, fidanët, lëndët e tjera të para, propozuam të hiqej  taksa e qarkullimit, naftën që përdorni ju dhe këta i rrëzuan pa argument, prandaj nuk vijnë këtu  të flasin për këto probleme, harxhojnë orë e orë  të tëra duke sulmuar opozitën, duke sulmuar kandidatët e opozitës. Pse e bëjnë këtë? Sepse po mos të bëjnë këtë , duhet të japin përgjigje për premtimet e pambajtuara, sepse po nuk bënë këtë, duhet t’ju ofrojnë ju një zgjidhje, po zgjidhje nuk kanë” 

Lideri i opozitës Lulzim Basha u ka kërkuar qytetarëve që ditën e votimit të kujtojnë premtimet e pambajtura të Edi Ramës dhe Ilir Metës, mungesës së përpjekjeve për të bërë diçka për hallet dhe problemet e qytetarëve dhe të vlerësojnë ofertën e PD nëse ajo është e duhur për të futur në rrugën e zgjidhjes problemet me të cilat ndeshen qytetarët sot. 

“Në 21 qershor, unë kërkoj që gjithsecili prej jush të mbajë mend tre gjëra. Nëse këta i mbajtën premtimet e para dy viteve apo jo? Nëse këta bënë diçka për t’i mbajtur premtimet apo jo? Dhe së treti, të vlerësoje nëse për ju, platforma  ime funksionon  dhe kjo është platforma e uljes së taksave,  kjo është platforma e uljes së çmimit të energjisë dhe e faljes së kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët, kjo është platforma e  rritjes së rrogave dhe pensioneve, kjo është platforma e subvencioneve  për bujqësinë, e uljes së çmimit të naftës. Në 21 qershor, me votën tuaj  ju do të mund të arrini atë që opozita nuk arriti dot në parlament, sepse këta kishin kartonat” 

Aktivistët dhe kandidati i PD në Vorë është vënë nën presionin e hapur të pushtetit dhe bandave të lidhura me to. E njëjta gjë po ndodh në Malësi të Madhe, Shkodër, Vaun e Dejës, Durrës e shumë qytete të tjera. Nga Vora, kryetari i opozitës e ka cilësuar këtë shenjë dëshpërimi të Edi Ramës dhe Ilir Metës që u vjen nga revolta popullore, për t’u dhënë ndëshkimin më të madh që ka ndodhur në 25 vite demokraci, për keqqeverisjen e tyre. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se këto presione të dëshpëruara vetëm rrisin bashkimin e shqiptarëve për fitore, ndërsa garantoi se përgjegjësit do të marrin ndëshkimin ligjor. 

“Edhe në këto ditë, në këto javë ku shqetësimi më i madh i shqiptarëve është papunësia, është varfëria nuk e kanë mendjen  as të ofrojnë zgjidhje për ju, as të hapin mundësi për ju, as të krijojnë punë për ju. Ditë e natë  janë vërsulur  me tatimorë,  janë vërsulur  me xhandarë, janë vërsulur me  banditë, u janë vërsulur aktivistëve të opozitës, u janë vërsulur kandidatëve të opozitës, u janë vërsulur punëdhënësve. Asgjë nuk do të na bëni, përveçse do të shtoni vendosmërinë tonë, guximin tonë, bashkimin tonë për fitore, nuk do t’i shpëtoni llogaridhënies, ora e drejtësisë po afron”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26  Maj 2015