Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatin për kryetar të Bashkisë së Kukësit z. Bashkim Shehu.  Z. Basha është ndalur tek situata e rëndë ekonomike që ka pllakosur vendin  ku mijëra familje kanë marrë rrugën e emigrimit pasi e kanë të pamundur të sigurojnë mbijetesën. 

“Kujt i thotë ky me demek kryeministër, se situatën e gjeti kështu? Në Kukës ai prodhoi mjerimin, në Kukës ai ngriti krimin dhe korrupsionin monument, në Kukës ai shkaktoi eksodin më të egër në 25 vite. Me mijëra familje nuk i kemi më mes nesh sepse kjo qeveri e pashpirt nuk u la asnjë rrugë, shteg, asnjë mundësi tjetër përveç largimit nga shtëpitë e tyre, i nisi me rrobat në shpinë, me fëmijët e vegjël në duar e krahë drejt kurbetit. Kjo është vepra, mynxyra e zezë e keqqeverisjes së Edi Ramës e Ilir Metës. Sot, si çdo mëngjes në këto dy vite të qeverisjes së tyre, me mijëra fëmijë janë çuar nga gjumi në shtëpitë e kuksianëve duke gjetur tavolina të zbrazura, prindër kokulur, pa asnjë të ardhur, mijëra familje të zhytura në borxhe deri në fyt, qindra, mijëra biznese në Kukës e mbarë Shqipërinë që shohin se si konsumatorët kokulur gërryejnë xhepat për kacidhet e fundit, që shohin se si listat dyfishohen, siç dyfishohet mjerimi, siç dyfishohet varfëria, papunësia në Shqipërinë e keqqeverisur nga dyshja e makutëve Rama-Meta. Dhimbja e vogëlushëve kuksianë, dhimbja e kryefamiljarëve kuksianë, dëshpërimi i rinisë kuksiane, së cilës me arbitraritet dhe urrejtje të madhe raciste i mbyllën edhe Universitetin e Kukësit, është arsyeja kryesore pse ju jeni përbashkuar kaq shumë rreth ofertës sonë të re, rreth alternativës sonë të re, rreth shpresës që sjell Partia Demokratike në këto zgjedhje, me alternativën tonë. Kurrë më parë nuk kemi patur një qeveri kaq të papërgjegjshme, kaq të paaftë, kaq të pashpirt për t’iu përgjigjur kërkesave elementare të shoqërisë dhe popullit të saj. Puna, mirëqenia, zhvillimi janë e duhet të jenë parafjala e çdo qeverie por kjo qeveri ka të tjera kryefjalë, ka kërbaçin për të pamundurit, ka gënjeshtrën dhe pabesinë për votuesit e saj, të cilëve u premtoi ulje të çmimit të energjisë, ndërkohë që e ngriti atë, të cilëve u premtoi ulje të çmimit të karburantit por e çoi në stratosferë, të cilëve u premtoi taksa të ulëta për 97% të shqiptarëve, kur sot 100% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa, taksa të cilat zhduken në xhepat korruptivë të dyshes Rama-Meta dhe klientëve të pushtetit të saj në Kukës e Tiranë, taksa të cilat nuk kthehen në projekte mirëqenie. Edi Rama dhe Ilir Meta thonë se jemi në rrugën e duhur dhe unë i besoj se ata janë në rrugën e duhur për veten pasi pasuritë e tyre shtohen ditë për ditë”, theksoi z. Basha. 

Nga Kukësi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka kujtuar Edi Ramës dhe Ilir Metës se pavarësisht sa lekë nga paratë e shqiptarëve kanë futur në xhepat e tyre, këto dy vjet  nuk do të mund të blejnë votën dhe shpirtin e qytetarëve që sot i kanë zhytur në varfëri. Mashtrimi i premtimeve të tyre, theksoi z. Basha, u doli boja.

 Bashkimi i shqiptarëve në 21 qershor do të mundësojë kthimin e shpresës për qytetarët  dhe largimin e së keqes. 

“Zgjidhja, miqtë e mi është bashkimi, bashkimi me votë i kuksianëve dhe shqiptarëve në 21 qershor, bashkimi kundër papunësisë, kundër padrejtësisë, kundër kërbaçit në dorën e qeverisë dhe lakut në fyt në familjet kuksiane dhe të Shqipërisë. Me votën tuaj në 21 qershor, ne kemi në dorë t’ua heqim njëherë e përgjithmonë kërbaçin nga dora këtyre boshibozukëve dhe jam i sigurt se do ua heqim. Ne kemi në dorë të heqim lakun nga fyti i familjeve të pamundura e ta vendosim atë në qafën e qeverisë së pashpirt Rama-Meta, për ta rrëzuar, për ta përmbysur me votën popullore, me votën tuaj”, deklaroi lideri i opozitës Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp e Partisë Demokratike, 4 Maj 2015