Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi sot kandidatët për kryetar bashkie,  Elez Maçin në Has dhe Besnik Dushën në Tropojë.

Lideri i opozitës theksoi se kjo mazhorancë punon me standarde të dyfishta. “Ndërsa shqiptarët janë sot në kufijtë e mbijetesës, dyshja Rama – Meta dhe klientët e e tyre po pasurohen ditë për ditë”,- deklaroi Kryetari i PD-së.

“Qytetarët burgosen për 30 mijë lekë të vjetra, fatura të papaguara të energjisë, ndërsa miqve dhe klientët e Ilir Metës dhe Edi Ramës u falen milion lekë detyrime.”

“Para pafund për vete dhe klientelën e saj,  papunësi, varfëri, lakun në fyt  për familjet shqiptare. Këta që nuk lejojnë qytetarët të kapin mistrinë me dorë,  për vete sarajet i lartësojnë  nga Surreli i Dajtit në Qeparo të Himarës.  20 mijë familje shqiptare janë hequr me të padrejtë  nga listat e ndihmës ekonomike, ju është hequr buka e gojës, ndërkohë që ata që kanë mbetur në listë marrin për ndihmë ekonomike aq pak sa nuk paguajnë dot as  gjysmën e faturave të energjisë” .

“Situata e rëndë ekonomike që po kalojnë familjet shqiptare, tha zoti Basha,- është merita e dyshes Rama-Meta që me politikat e tyre, arrogancën dhe papërgjegjeshmërinë kanë bërë që shqiptarët të shohin si të vetmen shpresë eksodin. Shumica e qytetarëve marrin borxh për bukën e gojës, ndërsa nuk presin asnjë permirësim në muajt që vijnë.”

“Mijëra familje hasjane dhe shqiptare janë kredhur në mjerim, marrin borxh për të shtyrë muajin, mijëra te tjera kanë dyfishuar listat nëpër dyqane, qindra të rinj enden të pashpresë rrugëve. Në vend që të sigurojë punësim, shkatërron vende pune, mbyll qepena dyqanesh, rritën taksat kur kishin premtuar uljen e tyre. Me pabesi rritën çmimin e energjisë kur kishin premtuar uljen e saj”,- theksoi Basha.

Zoti Basha tha se kjo situatë e rëndë ekonomike, padrejtësisë që po i bëhet çdo qytetari, ka sjellë një bashkim të madh të shqiptarëve që me votën e tyre më 21 qershor do t’i japin një mësim të madh të keqes që ka mbërthyer vendin.

“Padurimi po i mbledh shqiptarët nëpër sheshe, nëpër rrugë, po i mbledh kudo ku ne bëjmë prezantimet paraprake te kandidatëve tanë. Ky është i njëjti padurim si ai i 23 viteve më parë, kur u ndamë me votë nga regjimi i tollonave, nga regjimi i kërbaçit,  nga regjimi i arratisë, nga regjimi komunist”,- theksoi lideri i opozitës Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp e Partisë Demokratike, 4 Maj 2015