Me taksën e sheshtë 9% një punonjës me pagë 450 mijë lekë do paguajë 1350 lekë taksë, ndërsa me taksën 13% të Ramës sot paguan 1950 lekë. 45 milionë dollarë janë mbledhur më pak se plani për 4 muajt e parë të vitit.

Alibeaj: Vendimi i parë si kryebashkiak do të jetë anulimi i koncesionit të parkimeve në Fier.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë e Fierit. Z. Basha ka shprehur shqetësimin për situatën ekonomike që po kalon vendi. Niveli i papunësisë tek të rinjtë ka arritur në rreth 40%. Shumica e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin dhe emigrimi është e vetmja shpresë për ta. Kryetari i PD theksoi se opozita  u ka dhënë  alternativat dhe mundësitë e daljes nga kjo situatë përmes amendamenteve por ata i votuan kundër, pasi për ta punësimi dhe dalja na varfëria nuk është prioritet.

“Ne u dhamë rrugëzgjidhjet tona, rrugëzgjidhjet e halleve tuaja, sepse hallet tuaja janë prioriteti ynë dhe ata i votuan kundër. I çuam propozimin, hiq tvsh për miellin, orizin, sheqerin, vajin.  E votuan kundër. Ule çmimin e energjisë me 14% të TVSH, siç premtove në fushatë, votoje amendamentin! Votuan kundër. Ule çmimin e naftës, e votuan kundër. Për  ta prioritet nuk është punësimi, nuk është varfëria” .

Dyshja Rama Meta, theksoi zoti Basha nuk ka mbajtur asnjë premtim. Premtoi 300 mije vende pune, mbylli mijëra vende pune, premtoi ulje çmimesh, solli rritje çmimesh, premtoi ulje taksash, solli rritje te tyre. Në katër muaj, theksoi zoti Basha, në buxhetin e shtetit mungojnë 45 milionë dollarë.  Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shpalosur platformën e demokratëve për taksa të ulëta, ulje të çmimit të energjisë dhe karburantit, eliminimin e tvsh për mallrat e shportës etj.

“Ku janë lekët tuaja, që ua marrin me taksa më të larta!? Ku janë 45 milionë dollarë që duhej të kishin mbledhur sipas planit për këta 4 muaj?!  Nuk do të marrim më shumë por do të marrim më pak lekë nga xhepat tuaj, do të ulim taksat që paguajnë familjet, taksat që paguan biznesi. 25% ulje të çmimit të energjisë, falje të kamatë-vonesave për energjinë dhe ujin anembanë Shqipërisë, ulje të taksës së qarkullimit që do të përkthehet në ulje të çmimit të naftës, subvencione për bujqësinë, eliminimin e tvsh për mallrat e shportës”.

Kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi se projekti i Partisë Demokratike parashikon 9% taksë të sheshtë.  Me këtë taksë, qytetarët do të paguajnë më pak, tha zoti Basha dhe do të kursejnë më shumë.

“Uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9% taksë e sheshtë për të gjithë pa përjashtim dhe i them sot kryeministrit: – O je gënjeshtar, ose ke mbetur në matematikë! 450 mijë lekë rrogë, 300 mijë leke rroge  janë pa taksa, ashtu e kemi bërë ne. Ato 150 mijë që taksohen, po të taksohen me sistemin e Edi Ramës, Ilir Metës e Koço Kokëdhimës sot janë 13%, paguajnë 1950 lekë. Po të taksohen me sistemin që propozojmë dhe do të jetësojmë ne, me votën e bashkuar të shqiptarëve, të djathtë e të majtë 9%, paguajnë 1350 lekë. Kush paguan më pak? Sistemi Basha apo sistemi Rama?!”

Kandidati për kryetar i Bashkisë së Fierit, Enkelejd Alibeaj duke iu përgjigjur interesit të të rinjve për parkingjet me pagesë ka theksuar se vendimi i parë i tij si kryetar bashkie do të jetë anulimi i tij.

“Akti i parë do të jetë zhbërja e koncesionit  të parkimit, aktit më korruptiv që ka ndodhur në bashkinë Fier. Është e drejtë publike e fierakëve ta parkojnë por të mos u vidhet makina, ta parkojnë por të mos u zhvaten paratë” – theksoi Alibeaj.

Kryetari i PD Lulzim Basha u takua dhe me banorë të Mbrostarit. Zoti Basha u njoh me shqetësimet e tyre për faturat e larta të energjisë elektrike, faturimet abuzive, mungesën e subvencioneve dhe rritjen e çmimit të naftës.  Z. Basha ka garantuar se në platformën e PD, ndër çështjet prioritare janë ulja e çmimit të energjisë, falja e kamatë-vonesave, dhënia e subvencioneve për fermerët dhe ulja e taksës së qarkullimit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 18  Maj 2015