Banorët e Fierit të zhgënjyer nga Edi Rama: Populli gaboi rëndë që i dha votën

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me tregtarë dhe banorë të Fierit dhe Roskovecit. Z. Basha u njoh me shqetësimet e shumta që lidhen me pasigurinë për të ardhmen, abuzimet me çmimin e energjisë dhe rënien e fuqisë blerëse. Qytetarët kanë shprehur zhgënjimin për votën e dhënë për mazhorancën me 23 qershor, votë e cila u ka shkaktuar sot dhimbje të mëdha. 

Banore: Populli me një frymë të madhe ja dhanë atij por gaboi rëndë. Mua më kanë hedhur në 2014-ën, 500 mijë lek drita. Ku do t’i gjejë nëna këto lekë ti paguajë, që kam dalë rrugëve për një copë bukë? Kurse djali im më thotë -“Mama unë nuk dal në rrugë, do të hidhem nga kati i pestë.” Si do të bëjë unë për atë fëmijë që kam me edukatë, unë kam marrë për ti dhënë shkollën?! 

Banore: Policia më vrau vëllanë. Vajtën i morën patentën vëllait.

Lulzim Basha: Kur?

Banore: Para 20 ditësh ka vëllai që më ka vdekur. Nuk e përballoi dot patentën që e mori policia, piu fotoksinë e iku. Ngrihej në mëngjes në 3 të natës, nga Patosi vinte në Tiranë, mblidhte pasagjerë, vinte prapë.    

Lulzim Basha: Halli i ka bashkuar njerëzit. Vendi po shkon drejt greminës, jo në drejtimin e duhur. Në greminë do të bien të gjithë, të djathtë e të majtë. Kjo është gremina e mjerimit, e varfërisë, e taksave të larta, e çmimeve të larta, kur në fakt u premtua e kundërta. Vota me 23 qershor u mor me premtimin se do të uleshin taksat, me premtimin se do të ulej çmimi i energjisë, me premtimin se do të ulej çmimi i naftës e do të hapeshin 300 mijë vende të reja pune.

Ndërsa ka dëgjuar shqetësimet e banorëve të Roskovecit, zoti Basha u ka kujtuar se kandidatja e mazhorancës dje deputete nuk kundërshtoi asnjëherë asnjë nga nismat e qeverisë për rritje të çmimit të energjisë, naftës, rritje  taksash etj, madje ajo votoi dhe kundër propozimeve të opozitës për ulje çmimesh dhe taksash e  nxitje të hapjes së vendeve të reja të punës. Sot, tha z. Basha, Edi Rama me hipokrizi flet për dashuri ndaj grave, por respekti tregohet, u shpreh z. Basha, duke ua lehtësuar jetën dhe jo vështirësuar atë.

“Çfarë dashurie ke për gratë, kur nuk ke hapur asnjë perspektivë, asnjë mundësi për punësimin e tyre apo të burrave të tyre?  Kur vetë gratë shkojnë në shtëpi me kokën e ulur dhe me sytë përdhe, sepse shumica prej tyre nuk e dinë si ta mbyllin muajin, nuk e dinë ku t’i gjejnë lekët për të nesërmen, kur listat shtohen, kur mijëra e mijëra janë nxjerrë nga puna apo janë hequr nga listat e ndihmës ekonomike. Ndaj, me 21 qershor kemi një mundësi, ashtu siç erdhi e keqja, ashtu ta ndalim me votë. Të votojmë me 21 qershor platformën tonë të uljes së taksave, të uljes së çmimit të energjisë, të uljes së çmimit të naftës, të rritjes së rrogave dhe pensioneve si rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza”!


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 31 Maj 2015