Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha priti në një takim kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç  dhe delegacionin  që e shoqëron.

Basha i uroi mirseardhjen në Tiranë kryeministrit Vuçiç ndërsa vlerësoi se kjo vizitë është një hap përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Lideri i opozitës shprehu angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur zgjerimin dhe forcimin  e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mundësive për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe serbë.

Shqipëria dhe shqiptarët tha z. Basha nuk kanë dallime politike kur vjen fjala tek dëshira për të patur marrëdhënie sa më normale bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë të cilat do të jenë një impuls zhvillimi për dy vendet.

Bashkëpunimi tha z. Basha kërkon vullnet të dyanshëm ndërsa shprehu bindjen se është koha për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar të ardhmen.  Kjo është sfida e brezit të ri të politikanëve në të dy vendet dhe mbarë rajonin.

Vizioni ynë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike,  është  integrimi europian i të gjitha vendeve të Ballkanit dhe këtu duhet të orientohen energjitë tona për të çuar përpara projektin final të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Është koha tha zoti Basha të shohim ç’mund të bëjmë në interes të qytetarëve tanë dhe të ardhmes tonë. Qytetarët tanë presin lidership të vërtetë europian, tejkalim të problemeve të së kaluarës dhe punë të përbashkët për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqënie.

Ne duhet të punojmë me përkushtim për hartimin dhe realizimin e projekteve  të përbashkëta infrastrukturore dhe ekonomike theksoi kryetari Basha, duke mirëpritur angazhimin  për të avancuar projektin e nisur 6 vite më parë nga ministrat e brendshëm asokohe Basha dhe Daçiç për të hequr pengesat kufitare, dhe për të mundësuar levizjen e lirë mes dy vendeve. Kjo do ta bënte  më të lehtë shkëmbimin e mallrave, njerëzve dhe kapitalit  dhe do të shërbente për rritjen e investimeve dhe punësimin e qytetarëve në të dy vendet. Z. Basha mirëpriti edhe angazhimin e kryeministrit Vuçiç për projektin e autostradës Durrës- Kukës-Prishtinë- Merdare- Nish.

Për ne  Kosova e pavarur është një realitet që nuk drejtohet kundër serbëve dhe Serbisë tha z. Basha, por një zgjidhje përfundimtare  e krizës së shkaktuar në rajon pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Kryetari i Partisë Demokratike ka vlerësuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ka nxitur intensifikimin e këtij dialogu në funksion të zgjidhjeve dhe lehtësirave të prekshme për qytetarët e dy vendeve.  Unë shpresoj që dita kur lidershipi serb të njohë pavarësinë e Kosovës të mos jetë e largët theksoi z. Basha  pasi ky është interesi më i mirë për të dy vendet dhe rruga e vetme për të garantuar paqe, siguri,  mirëqënie  dhe zhvillim për të gjithë  rajonin.

Duke u ndalur tek situata në Luginën e Preshevës,  z. Basha i kërkoi  kryeministrit Vuçiç një vëmendje më të madhe  nga ana e qeverisë serbe  si përsa i përket zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor të  kësaj zone por dhe rritjes së shanseve për punësim dhe arsimim.

Basha ka kërkuar nga kryeministri serb edhe zbatimin e marrëveshjes  për tekstet  shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27  Maj 2015